| E diele, 29.05.2011, 04:57 PM |
KALORËSIT E ARRATISUR
Nga: KALOSH ÇELIKU
Shtatë male e shtatë fusha larg kishin shkuar krushqit që ta sjellin Nusen me koçi. Në ballë me flamurin kuqezi u printe para Intelektuali i Rrejshëm, hipur mbi Kalin e bardhë me një këmbë të thyer. Hava me dajre u këndonte këngë dhe i përcillte në lëmë deri te porta. Krushkat me ferexhet krahëve hipën në koçi. Krushqit me kobure në brez e mauzer për qafe u nisën drejtë maleve. Gjatë rrugës herë pas here ndeleshin dhe ia merrnin asaj këngës popullore: “ O bini burrat e Bit-Pazarit!...” Merreni me mend kur e dëgjonte këtë këngë Komunisti i Arratisur, shtatë herë në mes të pazarit shkrepte allti:
- “Hajt-haajt, kasolla me kashtë, sot një javë nja pesa - gjashtë… “
Kordinatori Liberator u doli para krushqve dhe i ndali në mes të rrugës, rrëzë Çukës. Të gjithë mbetën gojëhapur s’e çka do t’ju thoshte sot mes këtyre maleve. E njihnin si trim që ia shkrepte në një çajtore edhe në mes të Bit-Pazarit. Vetëm, asnjërit deri më sot nuk i kujtohej betejë më e përgjakshme, që nesër do të hynte edhe në histori, ajo kur e kishte shaluar Kalin e bardhë me një këmbë të thyer në një stadium sportiv rrëzë Sharrit. Atë ditë të gjithë u kishin rënë duarve shuplakë. Vërtet kishte qenë trim mbi trima. E sot? Vallë, sot a do t’i ndihmonte Zoti edhe në këtë luftë për liri?...
Krushqit ende e prisnin fjalën e tij të zjarrtë për fitore para koçisë. Heshtnin. Nën duvak dëneste e duronte edhe Nusja mes krushkave. Vetëm këtë heshtje e prishën të shtënat nga
Koçia me krushqit atë ditë në Bit-Pazar erdhi pa Nuse. Vetëm se, para tyre si bajraktar e dini se kush vinte me flamurin kuqezi në dorë? Jo, ë? Pasardhësi i Zef Serembes. Eh, ta dini se çfarë kënge patriotike ai u këndonte krushqve atë ditë! Zjarr…
“Disidenti” i një kritiku letrar pasi e hapi përurimin e librave dhe dikur mezi iu kujtua të zbres nga bina, u ul në rendin e parë. Vërtet sot e bëri si burrat. Rendin e fjalës ua la të rinjve që filluan të aktrojnë pa tekst. Njëri vërtet shkoi shumë larg, njëkohësisht i luante dy role. Dorën në zemër, i kishte hije. Aktor e përtej aktori. Vetëm sot i mungonte shamia turko-arabe për qafe. Edhe kjo s’ka rëndësi. Burri i botës kishte çka dhe kujt t’i shes art sallonesh atë ditë. Salla plot e përplot me njerëz të kulturës. Mos flasim për ata të rendit të parë: Intelektuali i Rrejshëm, Komunisti i Arratisur, Koordinatori Liberator, Dr. Madhi, Shefi i Klubit të Tullumbave, Zonja Kuqezi, Yllkuqi i Bit-Pazarit, Poeti Servil, Gazetari i Oborrit, Haxhi Deputeti, Drejtori i një gazete të “pavarur” partiake, ish Tellallja e Nënës Parti, (që këto ditë parazgjedhore në një shkrim “analitik” kërkoi të mbulohet me flamurin kuqezi), Honxhobonxho, Rrospia Mashkull…
Vërtet t’i kishte ënda t’i shohësh se si rrinin këmbën përmbi këmbë para kamerave televizive. Herë pas here u binin edhe duarve për të tërhequr vëmendjen e gazetarëve për ndonjë intervistë ekskluzive apo si mysafirë në emisionet debative. Pse jo edhe si kryetarë që ishin të unioneve të viçave, shoqatave joqeveritare e partive politike… Obobooo, alamet burra… Ënda t’i kishte vetëm t’i shikosh, ta plasnin syrin me ato kravata e tespi kuqezi në dorë… E për zonjat e salloneve të mos flasim, i vidhnin me bisht të syrit, mes xhamave të syzeve të zeza.
Dhe, kur i sheh kaq të flaktë për Shqipëri Etnike, të vjen të pëlcasish jo nga barku, po nga kurrizi. Komunistët e djeshëm të Partisë Komuniste, “demokratë” të sotshëm me fjalime të zjarrta e shkrime “bombastike” nëpër istikame kulturore e politike. Njëri me kravatë të kuqe mbi shkrimin patriotik, i ndezur zjarr e flakë. Tjetri: me shqiponjën e pergjysmuar dykrenare kuqezi mes flamurit me një gotë ujë përpara mbi tavolinë. “Disidenti” i Doktorziut në mjetet e informacionit po si Mic Sokoli duke e rrokur topin për fyti: “Shqiptarët do t’i zhgarravisin fletëvotimet, Marrëveshja e Ohrit ka vdekur, Pres që të ketë incidente të përgjakshme, Analisti i kërkon falje popullit shqiptar, A duhet të bashkohet Kosova dhe Shqipëria ( edhe Maqedonia e Mali Zi v. j.)”… Edhe, shesin mend: “ideologji deledash e partive shqiptare, presione shantazhe dhe kërcnime të partive politike”. Trusakatët që deri dje u bënin “temena” liderve partiak: Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit. Edhe ua fërkonin natë e ditë me dorë. E sot, kur këta i përzunë nga Partia si material shpenzues vetëm për një përdorim dhe i flugën në hedhurinat e kontejnerëve të berllokut, gurë e dru hedhin mbi këta burra mejdani. Fotografohen me shqiponjën e zezë dykrenare, qafë për qafe me Skënderbeun e dalin në syrret me kësula të bardha. E ti kur i sheh kaq të mjerë, kaq të varfër në tru, aty për aty të hidhet t’i duash këta liderë partiak. E merr guximin të thuash në këtë shkrim: po mirë ua bëjnë Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi. E sidomos ky i fundit, Menduh Thaçi është i pamëshirshëm për sojin e këtyre “patriotëve”, që janë shërbetorë të dëgjueshëm dhe i ndrrojnë partitë politike si kurva burrat brenda një nate. Vetëm edhe Menduh Thaçi nuk rri duarkryq, i dogj gjatë këtyre viteve patriotët e rrejshëm me kësula të bardha. Meritë e vetme kjo e këtij lideri politik shqiptar, që i zhveshi burrat e grave para syve të popullit lakuriq e pisa ashtu siç i ka lindur nëna pas dere një natë dimri. Trusakatët e këtij soji të zmëruar me liderët e tyre partiak, të nesërmen turr me shkrime e sharje të themelojnë parti të reja politike. Dumdumët, që pantollonat mezi i mbajnë me duar dhe u bien rrugës.
E për sa u përket liderve të rinj partiak që gjatë këtyre ndryshimeve demokratike i pollën me shterëzime partitë politike shqiptare: PPD, PDSH dhe BDI, nuk dua të flas mes këtyre rreshtave, kanë qenë vite me radhë shërbetorë të tyre “besnik” për një torbë tagji. Edhe pse më shtini ta them haptas: ata “patriotë” kuqezi të cilët i ka djeg Menduh Thaçi, kurrën e kurrës nuk mund të bëhen liderë të sukseshëm politik shqiptar. Realiteti: me këtë dua të them, edhe këtu në këtë shkrim: Menduh Thaçit duhet t’i takojnë meritat si politikan shqiptar në pastrimin e haleve të partive politike shqiptare, e jo në avansimin dhe zgjidhjen e çështjes shqiptare. Nuk do t’i përmendi emrat në këtë shkrim, i di populli shqiptar. Fatkeqësisht, ndonjëri nga pakujdesia ka shkuar edhe si qeni në rrush.
E kokteji, ë? Koktejin përpak desh e harruam gjatë kësaj fushate parazgjedhore mes këtyre rreshtave. Obobooo, si u sulën drejtë tavolinave! Vërtet, duhet pranuar, këta burra majdani nuk u sulen vetëm foltoreve dhe posteve në Qeveri… E di, tash do të më thuash se nuk ta mbushin syrin, nuk janë intelektualë, njerëz të kulturës e politikës? Profesorë universitar. Tregtarë flamujsh, siç do të thoshte Ernest Koliqi. Hë, vërtet më nervozon, ua ke inat. Eh, ta dish sa “vepra” sakate i kanë shkruar këta burra të kalemit, ore shok! Shtëpitë nuk ua nxënë, as banesat pesëdhomëshe. E, për bibliotekat duhet të presim rafte… Librat që i kanë deledashët i dinë vetëm tryezat e rrumbullakëta, mbledhjet e Partive “demokratike”, mjetet e informacionit… Zoti na i ruajt nga syri i keq që u ka vënë pusi pas porte!... Amen!...
Zonja dhe zotërinj, mysafirë të nderuar dhe dashamirë të fjalës së shkruar! Në emër të Shtëpisë sonë – Sallonit të librave, ju përshëndes dhe do t’i them disa fjalë në dy gjuhë në lidhje me përurimin e gjashtë librave, ngaqë i shtati është i imi, domethënë i redaktorit të botimeve. Shtëpia jonë botuese, siç e dini, do t’i nxjerrë në dritë të gjitha dorëshkrimet që kanë arritur në redaksi, kuptohet ajo nuk mund t’i marrë edhe dorëshkrimet e atyre që i kanë në shtëpi. Ja, frutat e para ranë edhe pa e shkundur pemën në tokë. Dihet, pesë tituj janë nga Shtëpia jonë e përbashkët, që do të thotë se unë kam merita që e zbulova talentin e tyre të akumuluar vite me radhë në redaksi si redaktor ideologjik. Eh, ta dini ju sa kam pritur edhe unë që të rri nën dardhë, dhe ja erdha si burrat. E kush rri nën dardhë, ha edhe dardha. E di edhe këtë, mund të më shani, se ndonjëherë nën dardhë rri edhe derri. Po, ne sot jemi tubuar këtu për herë të parë t’i ndajmë sukseset dhe përgëzimet me autorët e librave dhe ajkën inteligjencies shqiptare. Vërtet, kur ju shoh kështu kaq të bashkuar të gjithë në rendin e parë krah për krahu me kalorës të arratisur, dhjetëra të tjerë nga Klubi i Tullumbave, zemra më bëhet mal. Njëherit më hidhet edhe nga kjo foltore t’ju thirr që të na prini edhe në të ardhmen, ashtu siç na keni prirë pesëdhjetë vjet me radhë nëpër zyra e kabinete shtetërore. E di unë se të kujt janë gjithë këto merita, që ne sot të jetojmë të barabartë e në liri, ose, siç do të shprehesha më mirë, në vëllazërim – bashkim. Edhe Shtëpia jonë do ta vazhdojë këtë rrugë bashkëjetese, siç e ka mësuar Nëna Parti. Ne këto ditë pritet t’i nxjerrim në dritë edhe disa tituj të rinj, t’i hedhim edhe një gur kullës, ta shpëtojmë letërsinë shqiptare. Në mesin e atyre titujve ne për herë të parë botojmë edhe romanin kalorësiak me tre recensione negative. Edhe autori i këtij romani është banor i Shtëpisë sonë botuese. Megjithëse, tashti gjendet në kurbet, në Qeveri. Por, hapi ynë është për në Librin e Ginisit. Autori në moshën pesëdhjetëvjeçare e boton librin e parë, kuptohet duke m’u falënderuar mua si redaktor letrar. Ne e zbuluam së pari gjeniun e letrave shqipe dhe minsitrin e parë shqiptarë që merret edhe me letërsi artistike. E botuam romanin e tij “Uesterni – shpageti”. E shihni tashti se kjo Shtëpi botuese është dashur më herët të më emërojë në këtë vend pune, e jo me kaq vonesë, dhe atë me direktiva e dhunë partiake. Sidoqoftë, unë jam ai që fal, prandaj edhe ua kthej sot me punë. Mos e zgjas shumë, tashti fjalën ua jap edhe kritikëve të Sallonit Oborrtar.
Duartrokitjet jehuan në sallë dhe zgjatën deri atëherë kur në binë u ngjit Kritiku Qelush me mustaqe. Unë, tha ai pasi mori një pozë serioze, - do të them disa fjalë për tri veprat e para letrare dhe autorët me talent oborri, po kjo nuk do të thotë se janë vlerësime të sigurta me kritere shkencore. Aty për aty e dëgjova njërin që iu përgjigj nga mesi i të pranishmëve: Pasi nuk je i sigurt, atëherë më mirë mos e thuaj, mos na merr kot kohë! Unë qesha, ndërsa ai vazhdoi të radhiste fjalë të bukura patetike. Radhën pas tij e mori Doktorziu, i cili pak më tepër u ndal në romanin e një “Disidenti” melez të vëllazërim-bashkimit. Mirëpo, tha ai, ne duhet t’u frikësohemi librave të rrezikshëm, shqiptarët nuk duhet të merren me letërsi, por me shitjen e cigareve… Drogës… Përpak desh plasa së qeshuri, po të mos më kishte frenuar një mik i imi shkrimtar. Vetë me vete, thashë: e mësova edhe një gjini letrare…
Edhe kësaj mrekullie i erdhi fundi. Gjashtë libra brenda pesëdhjetë minutave u vlerësuan e u ngritën lart mes reve në qiell. Më kot prita ta merrte fjalën ndonjëri nga autorët, përurimi u krye para këmbëve të Babait (Tatkoto) dhe tashti na priste kokteji. Edhe unë s’do mend më në fund e kisha merituar ta çoj një gotë verë të kuqe në mesin e atyre dashamirëve të kulturës. Ndoshta me ndonjërin ta cakërroja gotën kokë më kokë, të flisnim pak në lidhje me veprat e botuara letrare, autorët…
Shtatë ditë më vonë një mik imi më tregoi një fotografi, në të cilën shiheshim unë dhe ai në atë përurim të librave. Ç’t’ju them?! Hata…
-Hi-hii-hiii… U mungon vetëm edhe fushata parazgjedhore e përurimit të librave të kalorësve të arratisur… U tall, Pasardhësi i Zef Serembes…