Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Enver Robelli: Kthimi i dinjitetit

| E enjte, 26.05.2011, 07:44 PM |


Kthimi i dinjitetit

 

Një proces çlirimtar: pranvera e revolucionit arab në sytë e shkrimtarit maroken Tahar Ben Jelloun

 

Nga Enver Robelli

 

1. Nata e pafajësisë

 

Do të kalojë edhe pak kohë derisa të vërehen përmasat e zhvillimeve politike në botën arabe. Me këto lëvizje tektonike që hallakatën pozitivisht shoqëritë arabe do të merren shkencëtarët, publicistët, organizatat joqeveritare, institutet. Së shpejti do të botohen veprat e para, studimet, analizat gjithëpërfshirëse. Rrëzimi i regjimeve në Tunizi dhe Egjipt, protestat masive në Jemen, Siri, Libi e Bahrain kanë ndryshuar rrënjësisht rrethanat gjeostrategjike jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Befas shtresa deri më tani joaktive të popullsisë dolën në rrugë, të prira kryesisht prej të rinjve, dhe kërkuan as më pak e as më shumë se kthimin e dinjitetit të shkelur me decenie nga regjimet semidiktatoriale. Mposhtja e frikës e solli revolucionin arab. Kur mposhtet frika, atëherë rrëzohen muret, të cilat i rrethojnë pushtetarët e korruptuar, të cilët me energji kriminale plaçkitin vendin, terrorizojnë popullsinë, torturojnë kritikët e regjimit dhe i mbajnë ata me vite në burgje. Në pritje të veprave të mëdha për revolucionin arab tashmë në libraritë evropiane gjendet një libër i vogël – i vogël si vëllim (128 faqe), por i rëndësishëm si analizë dhe rrëfim. Autor i librit me titullin “Pranvera arabe. Mbi rikthimin e dinjitetit arab” është Tahar Ben Jelloun (lexo: Zhelun), i lindur në vitin 1944 në Fés të Marokut, i cili jeton në Paris dhe Tanger (Marok). Jelloun njihet si përfaqësuesi më i rëndësishëm i letërsisë së Magrebit në gjuhën frënge. Për romanin e tij “Nata e pafajësisë”, ai në vitin 1997 u shpërblye me “Prix Goncourt”. Që nga atëherë ai ka tërhequr vëmendjen e opinionit me romane dhe ese mbi ndërvarësinë e botës myslimane/arabe me Perëndimin. Eseja e tij “Babi, ç’është islami” është një bashkëbisedim mes prindit dhe të bijës mbi religjionin e profetit Muhamed dhe keqpërdorimin e tij nga hileqarët ekstremistë fetarë.

 

2. Plaçkitës dhe kasapë

 

Librit më të ri të Ben Jelloun i prijnë dy ese të shkurtra mbi mentalitetin e Hosni Mubarakut, sundimtarit shumëvjeçar të Egjiptit, të cilin e dëboi nga pushteti zemërimi disajavor i popullit, dhe Ben Aliut, kryetarit po ashtu të rrëzuar të Tunizisë. Si shumë liderë të tjerë të vendeve fqinje edhe Mubarak e shihte veten si të pavdekshëm, bashkë me pushtetin e tij. Ai e bëri Egjiptin shtet privat, ku vendoste për gjithçka, kontrollonte çdo degë të ekonomisë dhe në çdo post të rëndësishëm kishte njerëzit e tij. Mubarak, siç shkruan Jelloun, ka grumbulluar aq shumë para, saqë do t’i duheshin disa jetë që t’i harxhonte. Pasuria e tij vlerësohet të jetë rreth 70 miliardë dollarë. Kjo shumë marramendëse supozohet të jetë e deponuar në banka zvicerane (të cilat pas largimit të Mubarakut ngrinë një pjesë të parave) dhe britanike. Klani i Mubarakut kishte blerë patundshmëri në Londër, New York dhe Los Angeles. Të bijtë e Mubarakut thuhet se disponojnë me një pasuri prej 8 dhe 17 miliardë dollarësh. Në Perëndim, Mubaraku shihej me tolerancë, sepse prej vitesh e kishte pozicionuar veten si garant të luftimit të islamizimit politik. Po ashtu ai ishte mbështetës i marrëveshjes paqësore me Izraelin. Liderë të rëndësishëm botërorë ishin shpesh mysafirë të tij. Edhe në vendet e Gjirit Persik, Mubaraku perceptohej si lider i rajonit, prandaj despotët e Arabisë Saudite u hidhëruan tepër me presidentin amerikan Barack Obama, i cili, pas shumë ngurrimeve, hoqi dorë nga Mubaraku dhe mbështeti lëvizjen demokratike. Mubaraku njihej si person që s’kishte kurrfarë humori, madje, siç tregon Jelloun, njëherë, kur ishte në zenitin e pushtetit, diktatori kishte dëgjuar se një ngucakeq po tregonte barsoleta për të dhe kishte urdhëruar shërbimin sekret ta gjejë menjëherë këtë person gojështhurur. Tani, pas rrëzimit të tij, barsoletat për Mubarakun tregohen hapur, postohen në internet, qarkullojnë gjithandej. Për shembull: pas rrëzimit nga pushteti Mubaraku vdes dhe shkon – ku tjetër pos në ferr! Atje e presin dy ish-presidentët e Egjiptit, Sadati dhe Naseri. Ata pyesin: “A të rroku plumbi apo të helmuan?” Mubaraku përgjigjet: “Jo, Facebooku”. I të njëjtit kalibër ishte edhe Ben Aliu, kryetari shumëvjeçar i Tunizisë, i cili më 14 janari iku nga vendi i tij dhe tani jeton në ekzil, në Arabinë Saudite. Ben Aliu la prapa gjurmët e krimit: në Francë u bë një listë e pasurisë së tij, në një aeroport të atjeshëm po mbahet njëri prej avionëve të tij privatë. Ben Jelloun përshkruan reagimin (fiktiv) të Ben Aliut pas vdekjes së Mohamed Bouazizit. Ky shtetas në dhjetor e kishte lagur veten me benzinë dhe pastaj ishte vetëndezur në shenjë proteste kundër keqtrajtimeve që po ia bënte policia. Pas kësaj ngjarjeje në Tunizi filloi revolucioni.

“Vetëm pse ky idiot nuk e kishte frenuar zemërimin e tij dhe i kishte djegur rrobat e veta, unë, që u kam sjell mirëqenie tunizianëve, sot qëndroj vetëm në pallatin tim, pa miq, pa lodra, pa asgjë. Pastaj gjithë këta gazetarë televizivë nga mbarë bota që më acarojnë nervat dhe vetëm gënjeshtra tregojnë. Koka ime është plot imazhe, në të cilat mediave u interesojnë vetëm kaosi, shthurja dhe paniku. Çfarë revolucioni? Një katastrofë, ata do të shkatërrojnë gjithçka në këtë vend të bukur; unë së paku kam sjell miliona turistë, kam krijuar një shtresë të mesme, i kam ngufatur islamikët, kam bërë gjithçka për ta qetësuar botën perëndimore, por tani të gjithë po heqin dorë prej meje. Njerëzit janë mosmirënjohës. E urrej njerëzimin. E urrej këtë pallat, këtë aparat klime që dominon gjithçka, mbajtëset e letrave për të fshirë duart me kapakë dukati, i urrej trevat me pamje të bardhë në të verdhë, as ushqimi këtu nuk më pëlqen. Por, aq më bën, s’kam uri më, ai bir kurve Bouazizi ma shkatërroi jetën time! Vendi e deshi kaosin, tash ja ku e ka; le ta shijojnë, do ta provojnë deri në fund. Tunizianët janë një popull halldupësh dhe frikacakësh; kur më lutnin për poste dhe vendime ata binin në gjunjë. Sot krekosen! Qelbësira! Dështakë të mjerë! Si ma bënë kështu pas gjithë asaj që kam bërë për këtë vend! Kaloi shumë kohë derisa u zgjuan. Një popull gomarësh dhe frikacakësh pa kurriz. (...) Njerëzit mendojnë se si kryetar shteti ti je prej hekuri, prej çeliku që s’ndryshket. Unë kam zemër, ndjenja, i dua kopshtet dhe buqetat me trëndafila, e dua jetën dhe perëndimin e diellit sipër La Marsa (qytet bregdetar tunizian, v.j.)”. Kështu, sipas Tahar Ben Jelloun, mund të ketë menduar diktatori tunizian para se të ikte. - Përveç Mohamed Bouazizit, një tregtari frutash, i cili me aktin e djegies së vetvetes e nisi revolucionin arab nga Tunizia, edhe shumë të rinj të tjerë, shpesh moshatarë të bijve të pushtetarëve, ndikuan që regjimet e dhunshme të rrëzohen me shpejtësi drite. Ben Jelloun i kushton një portret të gjatë prekës Bouazizit dhe disa portrete të shkurtra viktimave të dhunës në Egjipt, si Sajed Bilalit (i vdekur pas keqtrajtimeve) dhe Aiman Nurit, aktivist për të drejtat e njeriut dhe avokat, i lënduar rëndë gjatë protestave kundër Mubarakut.

 

3. Pranverë në dimër

 

Revolucioni arab filloi gjatë dimrit. Furtuna spastruese e shndërroi dimrin në pranverë. Pranverë arabe! Populli i zemëruar iu dha fund planeve të diktatorëve për transferimin e pushtetit në duar të trashëgimtarëve. Mubaraku e kishte përgatitur prej vitesh të birin e tij për pasardhës në post. Njëjtë kishte bërë edhe diktatori i shkretëtirës libiane Moamar al-Gadafi, për të cilin Tahar Ben Jelloun thotë se është më i mençur dhe më pervers se Sadam Huseini. Gadafi, pra, është një psikopat që përmbledh brenda personalitetit të tij “elemente të ndryshme të disa diktatorëve që e kanë pikëlluar historinë: pak Musolin, pak Stalin, pak Sadam dhe shumë perversitet vetjak”. Në Siri ndërrimi në kreun e dinastisë është bërë: Bashar al-Asadi është pasardhës i të atit Hafiz al-Asad. Asadi i Riu prej javësh është duke e shtypur brutalisht lëvizjen demokratike. Dyluftimi ende është i hapur, epilogu i paqartë. Në Jemen përleshja mes forcave të presidentit Ali Abdullah Salih dhe protestuesve vazhdon, ndonëse me intensitet në rënie e sipër. Jemeni është ndoshta ndër vendet e rralla larg përtej Perëndimit; një vend tamam oriental, ku burrat rreth mesditës dalin në pazar dhe blejnë një lloj bari të quajtur kat, të cilin e përtypin deri në mbrëmje. 96 për qind e burrave dhe 70 për qind e grave e konsumojnë katin, i cili ka efekte halucinacioni. Të droguar për çdo ditë ata vështirë gjejnë forcë për angazhim të mirëfilltë politik. Ndryshime të shpejta nuk priten as në Algjeri, mendon Ben Jelloun. Ky vend që nga shpallja e pavarësisë në vitin 1962 sundohet nga regjimi ushtarak. Protestat e para sivjet u shtypën egërsisht. Vetëm kur flet për Marokun, atdheun e tij, Ben Jelloun, fatkeqësisht, e lavdëron pa hesap Mbretin në vend se të kritikojë mungesën e demokracisë. Kjo i hedh një hije të zbehtë librit.

 

4. Disfatë për ekstremistë

 

Një ndër arsyet pse Perëndimi ngurroi gjatë të mbështesë revolucionet në Tunizi dhe në Egjipt ishte frika nga triumfi i partive islamike. Me gjasë në sallonet perëndimore dhe në zyrat e shërbimeve sekrete s’ishte vërejtur një ndryshim i madh në botën arabe: dëshira për demokraci, dinjitet, mirëqenie, shkollim, jetë më të mirë. Nuk ishte vërejtur as efekti i mjeteve të reja të komunikimit në internet (Facebook, Twitter, Skype). Bartëse e revolucionit në Egjipt dhe Tunizi ishte rinia, jo grupet islamike, që në emër të fesë synojnë të imponojnë sisteme mesjetare sundimi. “Në radhë të parë kjo lëvizje (revolucionare, v.j.) domethënë disfatë për islamizmin. Aktivistët islamikë u befasuan nga përmasa e protestave dhe në pjesën më të madhe nuk ishin të përfaqësuar. Vlera të reja, të cilat në fakt janë të vjetra, kanë zaptuar terrenin e lëvizjes protestuese arabe: liria, dinjiteti, drejtësia, barazia. Pakoja islamike e software-it – siç e quajnë disa – e ka huq qasjen. Facebooku, Twitteri, interneti dhe botë të tjera përfytyruese e kanë shporrur diskursin e përgjumshëm, anakronik dhe matufosur të islamizmit, i cili synonte të përhapej përmes iracionalitetit dhe fanatizmit neurotik”, shkruan Ben Jelloun.

 

robelli@bluewin.ch - Për ZSH: Mustafë RUGOVA