| E merkure, 25.05.2011, 06:59 PM |
NË TROJE ARBËRORE ME HISTORINË DHE PEISAZHIN
Nga PËLLUMB GORICA
Ka qenë ëndërr e kahershme për të vizituar Kosovën. Kjo ëndërr si për ne në Shqipërinë mëmë, por edhe për kosovarë nuk mund të realizoj për 50 vite me radhë sepse ishte një utopi. Këtë fat e kishte caktuar historia që këtë tokë, këto troje arbërore të na i shkëputnin me dhunë grabitqarët e pangopur, qysh një shekull më parë.
Me gëzimin për të fluturuar drejt kësaj ëndrre, Kosovës, unë dhe miqtë e mi të penës, Alfred Moloholli nga Elbasani, Artan Almeta nga Librazhdi dhe bashkëudhetarin Gëzim Shahinin udhëtojmë në një ditë të bukur maji. Kalojmë nëpër Rrugën e Kombit, e cila ka shkurtuar dukshëm largësinë me Kosovën, por edhe e vënë në qendër të akuzave e kritikave për abuzime në fondet për ndërtimin e saj. Mund të them se është një mrekulli njerëzore puna që është kryer me urat e shumta dhe tunelin e Kalimashit, një vepër arti tepër e madhe inxhinierike, që kaloi në jo pak vështirësi e sakrifica për t’u ndërtuar. Ata që e përshkojnë përherë këtë rrugë, janë mësuar me pamje të tilla, por për ne ato janë befasi të këndshme.
Ajo kalon ngjitur luginës së Fanit e rrjedhës së lumit me të njëjtin emër, nëpër vendbanimet të rralla, e diku më tutje në anë të shpateve të thikta gati pingul, që duken sikur takohen me qiellin dhe nën shkëlqimin e diellit marrin pamjen e rëndë. Pas kilometrave të tëra me këtë peizazh të ashpër shfaqet pamja e liqenit dhe pak me tutje, mbi një kodër, shtrihet qyteti i Kukësit. Përtej në horizont shquhen trajtat e malit të Gjallicës. Pamje që me të vërtetë të mahnitin. Kuksi u bë streha e parë e vëllezërve kosovarë, kur në 1999 u përzunë me dhunë çnjerëzore nga trojet e tyre prej makinës vrastare shoviniste serbe, që përpiqej të robëronte e shkatërronte gjysmën e kombit shqiptar. Nuk mund të hiqen nga memoria e shqiptarëve, kur televizionet e gjithë botës shfaqnin pamjet e krimeve monstruoze, të torturave, dëbimeve, të pushkatimeve në rrugë, shtëpi dhe përrenj të familjeve të tëra, por edhe fytyrat e përvuajtura të mijëra prej tyre në rrugët e sheshet e Kukësit, ku u vendosën fillimisht, si dhe vargu i pafund i autobusëve e makinave që i shpërndanin në të gjithë Shqipërinë.
Kosova gëzon sot pavarësinë, duke jetuar e lirë në trojet e lashta, këtu ku liria më shumë se kurrë ka marrë të tjera përmasa drejt realitetit për një Shqipëri natyrale.
Në Prizëren përballë historisë dhe kulturës
Në pikën doganore të Morinës kryem formalitet e nevojshme dhe rendëm drejt Prizrenit, në një nga qytetet më të vjetër të Kosovës, prej shekujsh qendër administrative, por edhe tregtare. Prizreni është qytet historik, i njohur për vlera monumentale, por dhe i lidhur me ngjarje historike, kryengritje, tubime madhore të atdhetarizmit shqiptar. Të dish më shumë për të duhet ta shkelësh, duke hulumtuar sadopak të kaluarën dhe copëza të tij të lavdishme. Edhe një qëndrim i shkurtër, disa orë, është mundësia më e mirë për ta vizituar atë. Në qendër të qytetit ulemi në një lokal karakteristik pranë Shatërvanit. Pak metra më tutje, lumi me emrin Lumëbardhi, që e ndanë qytetin në dy pjesë, rridhte i tejmbushur nga ujërat dhe i potershëm nga shirat.
Me dëshirën për të kundruar anekënd qytetin ecim me kërshërinë e vizitorit që vjen për herë të parë. Shëtitjen në lagjet karakteristike, e bëjmë me mikun tonë, Berat Batiun, botues dhe shkrimtar. Arkitektura karakteristike të tërheq vëmendjen. Minaret e xhamive, godinat karakteristike janë një nga veçoritë karakteristike të këtij qyteti muze. Prizreni jeton mes kontrasteve të së vjetrës e të së resë. Vështron jo pak ndërtesa të stilit oriental, xhami, hamame, ura me pamjet e tyre arkitektonike mbresëlënëse që të bëjnë t’i admirosh. Xhamia e Sinan Pashës është një nga xhamitë më të vjetra në këtë qytet e ndërtuar në fillim të viteve 1600. Ndër të rrallat ndërtesa të vjetra, që kanë ngelur, është edhe Hamami në qendër të qytetit. Një monument me arkitekturë të jashtëzakonshme, e cila pa diskutim që meriton mbrojtje të veçantë nga institucionet e Kosovës në morinë e vlerave të mrekullueshme që ka Prizreni. Mahnitëse është edhe pamja e mjediseve të brendshëm dhe e 9 kubeve. Është monumental në llojin e vet. Këtë e shpjegon edhe shoqëruesi ynë, Berati. Nuk mund të mos emocionohesh kur kalon Urën e Gurit të ndërtuar disa shekuj më parë, e cila ruhet si monument kulture. Natyrisht, si çdo vizitor që shkel për herë të parë, me kureshtjen e tij të natyrshem, vizitojmë edhe kalanë. Një kala e lashtë dhe e veçantë në llojin e vet. Rruga që të çon aty është e rrethuar nga gjelbërimi. Kalaja ngrihet mbi majën e një kodre, thuajse të ruajtur mirë dhr e mbrujtur me gojëdhëna e legjenda. Ngjitemi në rrugën këmbësore. Anash saj shtëpi të vjetra prej guri dhe diku më tej shtëpi të braktisura. Kalaja zotëron një pamje të gjere, si një ballkon natyror. Nuk mund të mos emocionohesh kur vështron peizazhe me të vërtetë të bukura të qytetit me çati të kuqe, që nën rrezet e diellit të mesditës shndrisnin. I kundron gjatë me kënaqësinë e pamat që provon kushdo që është para pamjeve të tilla. Kalaja po i nënshtrohej një rikonstruktimi prej dëmtimeve të shumta që ka pësuar. Interesant në kala ishte tuneli me gurë, i cili brenda tij mban një sekret. Ai shërbente për të dal nga kalaja në raste rrethimi, por më shumë për t’u furnizuar me ujë në lum në raste rreziku.
Poetët përthithin legjendat
Po shkojmë drejt një lagjeje të vjetër të Prizrenit. Duke ecur nëpër rrugëza të kalldrëmta, dredha-dredha anash me ndërtime dy - trekatëshe dhe me arkitekturë tipike, menjëherë të bien në sy të tjera vlera monumentale të këtij qyteti. Berati, si njohës i mirë i historive të qytetit, rrëfen histori në lidhje me këto monumente dhe të fut në të fshehtat dhe historitë e tyre interesante të mbushura me çudira të pabesueshme. Ura e Syziut, Gjashtë Çezmat paraqiten para nesh me legjendat e tyre. Në lidhje me këto çezma tregohet një gojëdhënë që vjen nga thellësitë e shekujve dhe në çdo kohë ruan një vlerë të veçnatë. Gratë që nuk mund të bëheshin nëna vinin këtu për të besuar se ajo u sjellë pjellshmërinë. Shtëpitë kanë burimet e ujit natyrorë në dhomat e zjarrit. Aty pranë edhe Mulliri i Marashit. Sa histori mbani mbi vete ky mulli, sikur të kishte gojë e të tregonte ç’ka parë në kohëra të shuara. Në lagjen e Marashit gjendet një rrap i vjetër, madhështor, monument kulture. Në një shesh të vogël përballemi me bustin e Musa Shehrzades, përfaqësues i Lidhjes së Prizërenit dhe teqja ku ai sherbeu.
Këmbët na çojnë në kompleksin me vlerë historike dhe arkitekturore të Lidhjes së Prizrenit. Një kompleks i rindërtuar pas djegies, në vitin 1999 nga makina shoviniste serbe. Kushdo që shkel këtu patjetër prek historinë me dokumente, ngjarje, emra, buste, piktura, data, faksimile dhe relike. Këtu, më 1878, u mbajt Lidhja e Prizrenit, një ngjarje madhore për kombin tonë kundër vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit. Duke vështruar muzeun ndeshemi me eksponentë dhe objekte të shumta të traditës popullore, si një trashëgimi e kulturës së shumë krahinave të Shqipërisë. Pak më tutje, një tjetër xhami me arkitekturë mrekullisht të bukur, Xhamia e Bajraklis. Artani mediton ndonjë varg i frymëzuar nga pamjet.
Veç dendësisë së përshtypjeve dhe mbresave të bukura e të paharrueshme për vlerat arkitektonike e historike të Prizrenit, bisedat tona me poetin dhe botuesin Berat Batiu zhvendosen edhe me zhvillimin ekonomik e shoqëror të qytetit. Me këto biseda vazhduam rrugën për në mjediset e Shoqatës për Kulturë dhe Art “Fidani” të shkrimtarëve të Prizrenit. Ky për ne ishte një takim mbresëlënës edhe me poetin e shkrimtarin Abdullah Thaçi.
Drejt Prishtinës me kërshëri
Nisemi për në Prishtinë. E gjithë rruga ka një pamje aq interesante sa udhëtimi të duket i lehtë. Ajo herë gjarpëron faqes së kodrinave me pemë vende-vende të dendura dhe herë kalon në fushat me hapësira të gjera e të gjelbëruara. Kudo ka rilindur jeta: ndërtime të bukura, toka të sistemuara dhe të mbjella me bimë bujqësore. Kosova ka pasuri të shumta ujore, lumenj të rrjedhshëm dhe fusha, muze mahnitës natyror, male dhe qytete me arkitekturë të mrekullueshme. Nga dritaret e makinës me sytë depërtues ne i shijojmë këto bukuri natyrore edhe pse ajo ecën me shpejtësi. Çdokush nga ne përhumbet me ato ç’ka kjo hapësirë me këtë reliev mahnitës të shfaqet para syve. Ndjesi që të shoqërojnë gjithmonë në udhëtime edhe pse Alfredi me shakatë e tij përpiqet të mbajë gjallë bisedat tona. Pas çdo kodre shfaqen lapidarë përkujtimorë, që janë historia më e re dhe më e dhimbshme e kësaj toke. Herë pas here ne ndalonim për pak çaste pranë këtyre memorialëve të ngritur në nderim të gjakut të derdhur.
Ecim dhe, rruga në prag-mbrëmje shpërndan një ndriçim tjetër në natyrën përreth. Ajo të ofronte të tjera pamje piktoreske të trajtave të maleve të ngarkuar me borë. Pamje këndellse për qetësinë e shpirtit. Kur iu afruam Prishtinës nata kishte rënë dhe qyteti shkëlqente nga ndriçimi i dritave, të cilat formonin një si gjerdan të bukur. Nga të dyja anët e rrugës shfaqeshin pallate, rrugë të gjera, lulishte dhe ndërtime të reja e që nuk ishin të pakta dhe dëshmonin se diçka shkonte drejt zhvillimit. Edhe këtu miqtë nuk na mungojnë dhe na bëjnë të ndihemi mrekullisht mirë. Në mjediset e një lokali çlodhës biseduam këndshëm me mikun tonë Afrimin, një ushtarak në profesion, por me kulture të gjerë.
Në Pejën mahnitëse
Po udhëtojmë drejt Pejës. Mëngjesi është i freskët dhe plot aromë lulesh. Fryn pak erë sa sipërfaqja e gjelbëruar e pyjeve dhe arave të mbljella dallgëzon lehtë. Nuk ke si të mos ndjehesh i mrekulluar nga pamje të tjera mbresëlënëse, që ndryshojnë kilometër pas kilometri, me fshatra të shtrira buzë rrugës dhe luginave me gjelbërim, që të çlodhin sytë me pastërtinë e ajrit dhe ekspozitës së luleve. Herë pas here ndalojmë, për të vështruar më nge pamjet, por edhe për t’i fotografuar ato, gjë që e bën udhëtimin të këndshëm. Peja shfaqet e shpërndarë në një hapësirë të gjerë. Atë e përshkon lumi Lumbardha, i ngjashëm me vetë emrin, i cili gurgullon shkumë bardhë mes përmes qytetit me ura të shumta që lidhin të dy brigjet që e ndajnë qytetin në dy pjesë. Tutje, në horizont, Bjeshkët e Nëmuna me pamjen e ashpër dhe të përzishme i ndriçonte dielli. Duke e ngritur lart shikimin vëmendjen ta tërheqin kurorat e tyre me dëborë. Për Pejën, bukurinë, lashtësinë dhe mikpritjen e saj kisha dëgjuar që në fëmijëri nga bashkëpatrioti im, Riza Cërriku nga Sulova. Në vitet 1941-43 ai erdhi në Pejë, duke iu përgjigjur thirrjes së Ministrit të atëhershëm të Arsimit Shqiptar për të mësuar e përhapur gjuhën e bukur shqipe. Unë tani jam duke shkruar një libër për këtë mësues hero. Kjo është edhe arsyeja që më shtyu më shumë të merrja rrugën këtu në Pejë. Ai dha shpirt me një peng: të shihte Kosovën edhe njëherë, por të lirë e të pavarur.
Peja është një nga qytetet më të bukura të Kosovës. Sidomos, ajo që e bën të bukur është lidhja e harmonishme dhe gati natyrale me malet, ujërat dhe pyjet, që janë ngjitur me qytetin. Ku mund të çlodhesh duke shëtitur. Përshtypje merr edhe me mikpritjen bujare të banorëve të tij. Të tërheqin vëmendjen me simetrinë dhe elegancën e tyre godinat arkitektonike, skulpturat, bustet,parqet dhe shatërvanët. Këtu gjen të ndërthurura arkaiken me modernen. Ndërtesat e vjetra shfaqen aty - këtu midis ndërtesave të reja. Ecim në rrugicat e shtruara me kalldrëm në të cilat bie në sy një ndërtesë e vjetër e qytetit, xhamia, që mendohet se është ndërtuar rreth viteve 1600. Një godinë tjetër me vlerë historike e arkitekturore është edhe Kulla e Haxhi Zekës, atdhetarit të njohur të këtij qyteti. Në një nga sheshet e Pejës gjenden bustet e dy figurave të njohura të këtij qyteti, akademikut Ali Hadri dhe Enver Hadri Hero i Kombit.
Duke i hedhur një vështrim të shkurtër rrjedhës se historisë, mëson shumë për të kaluarën dhe traditën e këtij qyteti të njohur edhe jashtë kufijve të vendit. I banuar në lashtësi, që nga koha Ilire gjë që vërtetohet nga toponimet dhe rrënojat e një kalaje.
Rreth sofrës së dijes
Në Teatrin “Istref Begolli” të qytetit të Pejës organizohet një festë e bukur letrare. Një eveniment që në morinë universale të vlerave meritojnë përgëzime për përkushtimin e tyre organizatorët Shpresa Gjonbalaj, Niman Muça, Xhelal Tetaj. Rraimonda Moisiu, e cila me këtë rast promovon 4 libra, produkt të botës së ndjenjave të saj, që janë një domethënie e bukur dijesh letrare e kulturore. Rraimonda Moisiu një zë i veçantë, i fuqishëm dhe lakmues i letrave shqipe është e pranishme dhe e spikatur për potencialin e saj letrar, që pasqyrohet me dinjitet në një varg botimesh të suksesshme si në poezi, tregime, publicistike dhe roman, duke dhuruar thesaret e shpirtit të saj me fuqi të shprehjes dhe dimensioneve të reja të mendimit krijues. Kjo finese letrare e Rraimondës u shpërfaq bukur në recitimet e aktorëve të teatrit të Pejës, Rudina Zhara, Besjana Shkreli,Labinot Lajçi,që i dhanë freski dhe atmosferë të vërtetë artistike kësaj krijimtarie. Po aq freski i dha edhe videoja poetike e transmetuar, me vargje zgjedhura, si një pasuri tjetër e tejshme e fjalës së shkruar dhe i dendi me emocione të bukura të pranishmit.
Jam i bindur se çdokush që i boton dhe i shikon librat si kulte të shpirtit, ndjehet i emocionuar kur mblidhet me miq krijues. E them në mënyrën më të sinqertë: ishte ndër kënaqësitë dhe gëzimet e mia më të rralla kjo ngjarje. Rëndësia e takimeve të tilla merr vlera njohje kur pjesëmarrësit dashamirës të librit, poetët, shkrimtarë e studiues janë nga qytete të ndryshme. Nga Klina, Skënderaj, Malisheva, Prizreni dhe Gjakova. Është kënaqësi kur takohesh me mjaft prej tyre, sikur t’i njihje prej kohësh. Aq sa mund të vlerësosh mbresat, emocionet, shijet ndjehesh tepër i ngazëllyer, kur ke në krah figura të njohura të artit dhe kulturës, si Skënder Hoxha, Prend Buzhala, Kozeta Zavalani, Esat Loshaj, Sejdi Berisha. Lumturohesh me nivelin e edukatës dhe kulturës së tyre, por veçmas të dashurisë dhe respektit edhe pse këtë prej vitesh e ndjenim edhe përmes komunikimeve virtuale me dhjetra miq nga Kosova.
Mes fjalëve përgëzuese dhe vlerësuese për Rraimondën dhe krijimtarinë e saj, veçojmë mendimet e poetit dhe studiuesit Prend Buzhala: “Rraimonda Moisiu e zgjon muzën e kuvendimit a të oratorisë së bashkëbisedimit, dialogun nën shenjën e Polihimnisë e të Kaliopës-muzave të retorikës, porse aty në tryezën e bashkëbisedimit, dëgjohet zëri i korit të muzave, Eratos apo i perëndeshës së drejtësisë-Justicia dhe të gjitha këto kanë frymë e aromë shqiptare,…aq me temperament, duke i paraqitur zhgënjimet tona përballë pritjeve e përballë vlerave të mirëfillta kulturore dhe aq shpresëdhënëse për vlerat”. Morën fjalën edhe të tjerë krijues që me një dashamirësi të dukshme vlerësuan diapazonin letrar të autores. Një kënaqësi të madhe dhe emocionuese kësaj feste letrare i dha edhe recitali “Shemba shkja kufirin”, i grupit teatral të Skënderajt, me tekst dhe regji të Shaqir Bejtës, ku luajtën të rinjtë: Hekuran Latifi, Kushtrim Mehmeti, Fitore Mangjolli, Vlora Kodra, Arbnora Xani, Naime Nura, Burim Beqiri, Leotrim Deliu, Shaqir Veseli dhe Ramadan Gashi.
Shoqata e Shkrimtarëve të Pejës me kryetar poetin Esat Loshaj, për kontributin e dhënë në letërsi, art dhe kulturë vlerësoi poeteshat Rr. Moisiu dhe K. Zavalani me diplomë mirënjohje. Në fund të kësaj festë të bukur me përshtypjet dhe mbresat, shkrimtarja Rraimonda Moisiu me fjalë shpirti do shprehej e mbushur plot nga emocioni dhe kënaqësia me falënderimin më të sinqertë për këtë pritje shqiptarçe. Kjo festë e bukur përfundoi me urimin: U mbledhshim përsëri në të tilla ngjarje të bukura letrare.
Gryka e Rrugovës, kjo perlë e natyrës
- Nuk mund të ikni pa vizituar Grykën e Rrugovës - na thotë Aliu, një intelektual altruist. - Kush ka ardhur këtu është mrekulluar me bukurinë e saj.
A thua mes këtyre fjalëve të mikut tonë, lindi dëshira për të vizituar këtë vend përrallor? Patjetër që unë dhe miqtë e mi poetë nuk mund të humbnim këtë ftesë bujare. Në shëtitje të mrekullive të natyrës bashkohen me ne, miqtë tanë pejanë, poetë, gazetarë dhe intelektualë me vizion si Esati, Aliu, Marini, Xhelali dhe Halili.
Gryka e Rrugovës ka një bukuri natyrore të veçanta e mbresëlënëse. Për të gjithë adhuruesit e klimës së përkryer dhe vendeve turistike kjo luginë është një perlë natyrore, ndër më të bukurat e Ballkanit. Një bukuri e papërsëritshme që nuk ka njeri që mund t’i përshkruaj me fjalë, veç piktorët do ta kishin zili. Malet e larta e rrethojnë luginën e thellë. Rruga gjarpëronte nëpër shpatet shkëmbore. Ajo ndjek drejtimin e kundërt të rrjedhës së lumit. Mrekullohesh me gjarpërimet e saj, ku në të dyja anët ngrihen shpate të lartë e të thikta gati pingul. Vështrimin e marramendur nuk mund ta largojmë lehtë dhe ngado që e hedh sytë ndesh diçka interesante që të befason. Një peizazh që tjetërsohet metër pas metri: Lumi gurgullues me ujin e bardhë si vet emri që mban Lumbardha, rrjedh dredha-dredha, drurët me një gjelbërim e bukuri të rrallë, aromë lulesh dehëse, klithma shpendësh dhe fllad freskues që përkund lehtë gjethet e pemëve. Të gëzojnë syrin këto pamje e nuk mund të mos rrish pa i fotografuar. Qielli është i kaltër dhe dielli ngroh. Dhe kur vjen në një ditë të tillë të bukur me qiell të pastër e të kaltër i shijon edhe më bukur pamjet, por edhe provon një ndjenjë paqe e harmonie.
Vështrojmë të tjera pamje magjepsëse, që të tërheqin, duke i gëzuar e i lumturuar mbushesh me krenari. Pamjet bëhen më mbresëlënëse kur kalon ujëvarat me burime të shumta e të pastra si loti dhe një kanion të vogël magjepsës. Dielli shkëlqen e shpërndan një dritë të artë. Ta ka enda të rrish ca çaste aty e të vështrosh këtë mrekulli të natyrës.
Të tjera çaste me biseda të gëzueshme e të mbushura me poezi kalojmë me miqtë tanë pejanë, Aliun, Esatin, Marinin dhe Xhelalin në një mjedis të “Hanit” ku poetë pejanë, gjejnë qetësinë e tyre këndjellëse dhe frymëzimin. Secili merr zjarr e reciton vargje, bisedon dhe trokit gotat me kënaqësi.
***
Muzgu i pasdites së vonë shpërndante një ndriçim mbi natyrën përreth. Ecim në peizazhe të tjera mbresëlënëse që ndryshojnë njëri pas tjetrit. Tej male, fusha, kodra, fshatra dhe qytete. Dëshira për të vizituar qytete e krahina të tjera të Kosovës ishte e madhe. Ndoshta kjo edhe për shkak te kohës së kufizuar. Largohemi me dëshirën për të ardhur përsëri.