Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shefik Shkodra: Zjarri në mes dy vetave - vuajtja e të tjerëve

| E marte, 24.05.2011, 07:59 PM |


ZJARRI NË MES DY VETAVE – VUAJTJA E TË TJERËVE

 

/Shqipëria veç me dy vetë/

 

NGA SHEFIK SHKODRA

 

Sikur nuk ngihen njerëzit me pushtetmbajtje, më mirë me thënë, me përvehtësime e përfitime pesonale duke pas keqpërdorur kierarkinë shtetërore. Kur themi kështu, mund të konstatojmë se, nuk është krejt si flitet nga ata pushtetarë që ulen në fronin për dirigjime shoqërore. Nuk është krejt atdhedashuri, nëse është ndërtuar ndonjë rrugë, për të cilën kemi konsideratë të madhe dhe na gëzon të gjithëve. Kjo s’është iniciativë vetëm e liderëve tonë të tashëm. Insistimi për Rrugën Durrës-Merdare ishte inciativë edhe e të tjerëve. Më në fund, krejt puna është në kurriz të popullit. Populli çdo punë shtetërore e paguan. Ai duhet edhe të shërbehet e të shpërblehet nga shteti.

 

Shteti si pronë private pa qytetarë

 

Edi Rama dhe Sali Berisha, që të dytë ishin apo po bëhen pa kurriz. Andaj, ata mendojnë se as qytetarët e Shqipërisë nuk duhet të kenë kurriz. Mjerë populli! Në këtë shekull kanë mbetur sërish sakrificë e lehtë ndër këmbët e këtyre padronëve të pa matur fare. Kaq shumë smirë e kaq shumë zihje në emër të fatit të popullit. Asnjëri as tjetri nuk janë të shpërlarë nga të zezat e tyre. Asnjëherë zgjedhje me faqe të bardhë. Herë njëri e herë tjetri mbetën duke ia hedhur fajin. Që të dytë janë fajtorë. Që të dytë i marrin në qafë qytetarët dhe të gjithë vendin, madje të gjithë shqiptarët. Shumë shpejt kanë pasur mundësi të prosperojnë, me resurse natyrore dhe ato njerëzore. Është për lakmi me arsimimin e tyre. Po, energjinë më të madhe e harxhojnë me sharje dhe epitete më fëlliqta në mes veti, krejt duke iu falënderuar dy liderve të tyre. Secili prej këtyre mendon se shteti është pronë private e tij, diçka krejt personale. Nuk ishin zgjedhjet e mira as në Kosovë, po për të mos shkuar puna deri aty ku nuk do të ishte më e mira, u kalua e u mbyllën sytë. Kjo nuk do të thotë se duhet të mbyllen sytë dhe të durohet një “zullum” i tillë në çdo kohë prej secilit. Po në këto rrethana politike globale, për gjithë vendin e madje edhe për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, të Serbisë Jugore etj, do të duhej që të merreshin vesh dhe të përafronin punët në mbyllje të këtij votimi, popr edhe për çështje tjera me rëndësi shtetërore e kombëtare.

Pse, pastaj i akuzojnë figurat tjera politike nëpër histori, si Enver Hoxha (vërtet ishte diktator i jashtzakonshëm), por historia e socrealiste e ndëshkoi edhe Ahmet Zogun. Ku ka më diktator se këta dy persona sot në Shqipëri, që po e quajnë vetveten lider të partive. Do të thotë, shpirti (in)doktrinar i programeve politike, ekonomike, kulturore, arsimore e strategjike, do të ushtrohej prej njerëzve të formuar e autoritar. Me kend mund të bëhet ndonjë krahasim në këtë shekull me vëprimet e këtyre dy personave.

 

I kanë armiqësuar e i kanë varfëruar qytetarët e vet

 

Gazi i botës! Sikur i mallkon diçka demoniane shqiptarët, apo vërtet janë racë e veçantë për ‘zullume’ vetvetes. I rraptojnë karrikat e ia shajnë familjen njëri-tjetrit si t’ishin rrugaqë me lojën e Guxhit. Bota i shikon me çudi. Dhe, dalin fjalët e shkrimet armiqësore të shekujve të kaluar, prej të tjerëve për shqiptarët. Ata, që dikur ishin të paguar prej elementit sllav e grek, udhëpërshkruesit e ‘diplomatët’ perëndimorë, që sa më keq të paraqesin gjendjen e shqiptarëve. Do të thoshin edhe sot, ‘ja shqiptarët, kemi thënë se nuk janë të aftë të qeverisen’! Ka pasur afera jo të këndshme gjatë këtij mandati edhe të kësaj qeverie. Pra, s’është e paprekshme. Edi Rama dhe Sali Berisha, njëri me një taborr nj’anë dhe tjetri me taborrin e vet n’anën tjetër, kanë bërë që të armiqësojnë qytetarët e vendit në atë masë sa të shkatërrojnë gjithë atë që kanë krijuar me vite. Sepse, këta në radhë të parë, kanë fshirë çdo gjë nga etika njerëzore. Nuk ka mundësi t’i dëgjosh dhe t’i respektosh këta dy tipa, duke pas sakrifikuar qytetarët për intersa të tyre. Që të dytë janë e këqja e vendit, por edhe e gjithë shqiptarisë. Ngjarjet e fillimvitit ishin mjaft të pamatura e shembull i pakëndshëm, sidomos opozita, pa e abstrahuar as pozitën. Pakënaqësitë, sado me arsye të veçantë, nuk do të duhej të shprehen me dhunë. Të shkatërrohet pasuria shoqërore e private. Të rrezikohet jeta e njerëzve (në liri) dhe të tentohet me dhunë të merret pushteti?! Si në kohërat antike, por edhe në historinë më të afërme, në deceniet e fundit të shek. XIX dhe ato të fundit të shek. XX.  Ka mënyra se si do të mund të depërtohej e veprohej dhe të bie vetë qeveria. Në asnjë mënyrë nuk është e dëshirueshme as e pranueshme, rënia e kokave. Kjo është përgjegjësi e atyre liderëve. Sidomos e z. Rama që i rekruton njerëzit për një kryengritje vëllavrasëse. Qytetari, ka raste, as që e di pse duhet aq me ngulm të luftohet kundër shqiptarit me shqiptar. Ai vetë është ‘qyqe në rrembë të thatë’, si thotë populli, një jetë ndoshta vetëm sot për nesër. Gjithnjë në iluzione. Sikur vërtet dikush do të bëj diç më mirë për të nesërmën e tij. Ndërsa, këta zotërinjtë me pasuritë e tyre të pakufishme e të papeshueshme.

 

Partitë duhet të zgjedhin tjerë liderë – pa pashallarë

 

Jam tejet i befasuar, që edhe në njërin taborr edhe në tjetrin ka mjaft njerëz të artit e të kulturës, të ngritur në një shkallë të lartë të intelegjencës dhe këta u shkojnë pas këtyre dy tipave. – Nuk të lëshoj udhë! Bën njëri. – Nuk të lë vend pa të ndjekur! Thotë ky tjetri. Të gjitha takimet politike, mediat, konsultat dhe parlamenti, gjithnjë me probleme, deri në luftë ndërmjet veti, veç për interesa të këtyre dy “pashallarëve”. Kjo politikë e tyre është e errët, damkosëse për qytetarët, e papjekur dhe krejtësisht diletante. Është vetëm urrejtje, pa rrugëdalje, cimentime ditë për ditë dhe vllavrasëse. Kurrfarë fitimi në fund të fundit, sidomos për ithtarët e aderuesit e tyre.

Si në shekullin e XIX, atëherë kur ende sundonte Turqia. Atëherë kur nuk e dinte askush, kush është zot i vendit. Lehtë është me thënë, “unë jam lider” e të krekosesh, pa pas menduar asnjëherë për skamjen e vendeve rurale. Do të duhej të merren këta liderë edhe me zhvillimin ekonomik, duke pas hapur vende të reja pune e duke krijuar kushte standarde për një jetë më të mirë të qytetarëve. Po, jo të fundosen me motoskafë banorët vendorë në detra e lumenj, duke ikur “pa kapuç” nga vatrat e tyre. Si nga ai terrori komunist që e kishte kapluar dikur këtë vend dhe vendet tjera të këtij regjioni.

Dëshmi dhe pamje e keqe është vetë (mos)zhvillimi i vendit në mënyrë të barabartë. Në Tiranë e poshtë, tjetër Shqipëri, në Tiranë e deri në Kosovë (krejt veriu) veç mjerim, ndoshta për dy vjet ka ndryshuar?! As në kohën e mbretit Zog, as në atë të E. Hoxhës e as në kohën e Edi Ramës e Sali Berishës nuk është punuar gjë në këto terrene. Pra, viset rurale të veriut kanë mbetur si të mos ishin në mbikëqyrje të asnjë qeverie. As si të mos gjendeshin në të njëjtin shtet.

Shqipëria i ka kushtet dhe resurset edhe natyrore, po edhe njerëzore që të përparoj, për të mos thënë do kishte mundësi të krahasohej për njëzet vite edhe me vende më të zhvilluara evropiane. Sigurisht, po të merreshin aq me vetveten këta dy politikanë me partitë e tyre, për zënie karrigash pushtetare. Nuk besoj se janë të pa zëvendësueshëm këta e askush tjetër kudo. Kërkohet që të mbahen zgjedhjet dhe të gjenden njerëz tjerë. Ata do të duhej të ishin shumë gjentlemen, të jepnin dorëheeqje prej atyre funksioneve partiake e shtetërore. Partia Socialiste e as Partia Demokratike të Shqipërisë s’janë pronë e askujt.