| E diele, 22.05.2011, 07:38 PM |
Ilir Sefaj
‘99
Një peizazh i vramë
Mbyll një stinë të errët
Me plagë prej hiri po ju flas
Se nëna vajtoi djalin
Motra derdhi lotin
O Zot sa gjak, vaj e lot
Ky numër dysh
Njësh mbettë përgjithmonë
VJESHTA E SHPIRTIT
Shkoi dhe vjeshtë e parë pa të
Me të shkoi edhe buzëqeshja
Mbet vetëm pikëllimi
Fjala e pathënë u ngulfat në grykë
Nata pipëtiu rrezet e fundit
Ditë e re mos lindtë
Vdekjen e mbaj në duar
E lë në dollap
O Zot sa afër unë dhe vdekja
O Zot një milimetër
Një sekondë
O Zot
O Zot
O Zot...
Ikni!
Ikni, ikni, ikni
Bajlozi ka ngritur flatrat
Ikni, ikni, ikni
Ikni se po ju pret
Mallkimi i tokës
I diellit i hënës
I rrezes...
E cila në dheun e huaj pak ngroh
TY
Si me shpatë hape plagë
Dhembjen e mbolle në trup
Në tjetër trup ike
Thave dhe një lis
Zbehe dritën e diellit
Nata errëson edhe më shumë
Dhe vonë agon ditë e re
Sigurisht
Me vete more plagën
Dhe plagë u bërë
Përgjithmonë
Në vetminë tënde
NËNË
Sa lot hidhërimi e gëzimi
Derdhe për mua
Më fal nënë!
Më fal…
Njëmijë herë më fal
Sa ëndrra u venitën
Ka ngelur vetëm një
Të të takoj
Më prit
Një ditë do vij
NËNË
Kjo fjalë që ngrohë e ngrysë shpirtin!