| E diele, 22.05.2011, 07:59 PM |
Një qyqe vajton në Tiranë
Shkruan: Shaban Peraj
Shumë zhurmë në këto muaj të pranverës pas zgjedhjeve vendore në Shqipëri, shumë persona politik mbushin ekranet televizive e gazetat ditore me çka vazhdojnë të shesin mend në sy të botës sa të mbetet përshtypja se atje në tokën mëmë nuk gjindet edhe një person i vetëm që të logjikojë me arsyen e atyre që u dhanë votën. Dhe, për habi të mbarë opinionit shqiptar këta “deputetë analistë” paraqesin një pasqyrë reale të asaj çfarë janë, çfarë bëjnë dhe në emër të kujt bëjnë!Allah, o Zot, a ka gjë më të shëmtuar kur shohim nivelin e kulturës së tyre me veprime shtazarake duke kaluar mbi kangjellat e oborrit të shkollës, ku të njëjtit nuk dinë të respektojnë etikën njerëzore dhe turren mbi policinë e vendit në mënyrën më barbare, pa treguar edhe më të voglin respekt për institucionet e vendit. E gjithë kjo gjoja në emër të votuesve, të atyre të pafajshmëve që me dinjitet dhanë votën për kandidatët e tyre, dhe në fund këtë dinjitet të votuesve tentojnë ta përlloçin, ta bëjnë zero me aktivitetet e tyre përçmuese duke shpërndarë shigjeta në drejtime të ndryshme me të vetmin qëllim për të siguruar karrigën e të parit, po çka se rëndojnë pozitën e qytetarit të lodhur tashmë.
Me veprime të tilla këta “zhonglerë” në vend që të ndikojnë në rritjen e përgjegjësisë te ata që kanë rolin udhëheqës , të njëjtit njohin vetëm njërën anë të medaljes, shohin vetëm terrin, shohin vetëm vdekjen, vajtojnë si qyqe për të ndjellur të keqen tek njerëzit pa llogaritur koston e atyre që i votojnë e paguajnë taksë për t’i mbajtur në poste të larta. Harrojnë se veprimeve vandale u ka ikur koha, ndaj vaszhdojnë me lojën e fëmijëve me kolibe duke prishur çdo gjë pa e parë fundin e tunelit me shumë drita e pa menduar se do t’u pihen dhëmbët. E gjithë kjo është e dirigjuar nga një qendër, kurse ata që u besojnë nuk janë askush tjetër vetëm argat të tyre. Kjo dorë e zgjatur po dëshmohet se të vetmin qëllim ka pengimin e funksionimit normal të pushtetit.
Vajtojnë këto qyqe duke vepruar në mënyrën më makabre antinjerëzore e duke etiketuar kundërshtarët politik me shprehje fyese të rangut të një rrugaçërie. Me deklaratat e tyre dhe opinionet e ca analistëve partiak kundërshtojnë edhe atë për çka nuk kanë fakte duke harruar kështu se nga taksa e këtij populli marrin para për të mbajtur vetën në krye të partive e bashkive. Shumë interesant, atyre u dhimbëset kjo popullatë e varfëruar të cilën po e rjepin duke e lënë të papunë për të bredhur para Kryeministrisë e KQZ-së, e kjo do të thotë t’i bësh shërbim “humanistëve, donatorëve që i financojnë”, pa treguar edhe më të voglin respekt që u bëhet militantëve të cilët rrinë me ditë në rrugë.
Ata me veprimet dhe qëndrimet e tyre mendojnë se mund të ndërrojnë kahjen e rrotullimit të tokës dhe se politikën mund drejtojnë sipas koncepteve dhe strategjisë së dirigjuar nga polltronet e tyre “biznismenë” që nga frika se do të humbasin terrenin veprues detyrojnë kryetarin e tyre të bëjë hapa vandalizmi e shkatërrimi atje ku mendojnë se është mesi i botës. Ata rrinë e bërtasin ujkçe para institucioneve legale të vendit gjithë ditën e lume gjoja për parime demokratike pa vlerë e të vërteta dhe mundohen të pengojnë e të godasin atje ku nuk duhet, duke mos marrur parasysh asgjë dhe askend. Sulmet e tyre të ndyta e epsh shtazarak servohen në opinion si diçka e shëmtuar para syve të botës, me çka i zhgënjyen edhe dashamirësit më të më të afërt nga mbarë bota. Me këto sjellje të paqytetnuar e vullgare të tyre dëshmojnë për të satën herë se nuk e njohin profesionalizmin politik, nuk meritojnë t’i prijnë një shoqërie demokratike, ndaj i mundon fakti se institucionet e një vendi bëjnë punën e tyre sipas ligjeve në fuqi, ku kanë dorë edhe ata vet, për të vazhduar me një praktikë të mbrapshtë që kanë në shpirtin e tyre. Nëse duan të besojnë se e kanë seriozisht, ata duhet të reflektojnë më gjatë dhe të punojnë për ndryshimin e kulturës politike, ndryshe rendja pas interesave vetiake e grupeve të fitimit degredon gjendje në të cilën ndodhen. Ky popull meriton një jetë më të mirë dhe jo zhgënjime të reja nga vazhdimi i dëshirës për të qenë dikush në pushtet.