| E shtune, 21.05.2011, 07:58 PM |
Recension
Tregime ironike-sarkastike, me tematikë aktuale shoqërore
Hilmi Saraçi: “Cubeli”(Tregime dhe ese) –Prishtinë, 2011
Nga Dr. Zenun Gjocaj
Hilmi Saraçi në letrat shqipe, sidomos në gazetari, historiografi, publicistikë e prozë letrare është dëshmuar me shkrime të shumta . Shkroi më tepër se 12 vepra të zhanreve të ndryshme . Këto ditë doli me vepren me tregime dhe ese (të përmbledhura): “Cubeli”. Këto tregime dhe ese, kryesisht janë me përmbajtje ironike –sarkastike dhe me tematikë aktuale shoqërore . Në këto proza artistike përmes personifikimit e anamalizimit të shkrirë në metaforë si mjet për fshikullimin e karakterëve të liga njerëzore dhe si shprehje të mendësisë artistike para një realiteti aktual, komform kohës dhe jetës së përditëshme , por edhe jasht saj, spikatet kryesisht kritika dhe ironizimi ndaj veseve të liga njerëzore që e dëmtojnë dhe e pengojnë mirëvajtjen e shoqërisë aktuale , jo vetëm të sotmen.
Gjithë prozën artistike dhe eseistike (skicore) të veprës e karakterizon analogjia e fshehur, më rrallë e hapur e njerëzve dhe kafshëve , sendeve dhe fenomeneve të natyrës, si mjet për satarizimin e veseve të liga të shoqërisë, brenda dhe jashtë imperativit aktual. Në karakterizimet satirizuese e ironike përzihet dhe ndërhyrja e narratorit, për të synuar metaforizmin e rrethanave situative . Janë rrëfenja tregimtare dhe eseistike që herë flasin, herë veprojnë , por nuk janë lojë fjalësh, sa fshikullima që godasin pa i hetuar dhe lënë vrragë të vrugta dhembëse. Tiparet përsonifikuese janë mishërim i tiparëve e cilësive ndërsjellëse negative njerëzore e shtazore , përshkruar përmes analogjisë dhe krahasimit artistikisht të shtjelluar. Të tilla janë “Cubeli” e “Dhëmbashi” që përshkruhen nga garimi dhe fitorja e të dobëtit ndaj të fortit, të shtytur nga padronët . Ndërkaq esetë “Bishti”, “Mjegulla”, “Hija”, “Ëndrra”, “Pasqyra” e “Lumi”, po ashtu godasin veset e liga njerëzore në kohë të pacaktuar. Shihet se autori, si gazetar, publicist e kritik letrar e shkencor ka afinitet të veçantë për trajtime artistike , mandje të një zhanri të dalluar e jo aq të shpeshtë. Me proza të tilla autori shkoqet nga niveli publicistik dhe rreket sukseshëm me shkrime artistike. Bën përjashtim tregimi “Ndëshkimi i nënës”, në të cilën autori trajton një temë të rrallë e të guximshme : urdhëresën e vrasjes së të birit, për shkak të tradhëtisë – vrasjes që i bën një patrioti për interesa të armikut. Tema të tilla ka trajtuar Gogoli (“Taras Bubla”), ndër ne Ismail Kadare (“Gjenerali i ushtrrisë së vdekur”), por e gjejmë edhe në folklor (“Halili e Hajria”), temë e ngritur edhe në letërsi, ku nëna e mbyt të shoqin që ia prêt vëllezërit dhe të birin se “i ngjet babait”… Ndersa në tregimin “Cubeli”, ku vepra ka marrë edhe emrin, autori ka paraqitur një ngjarje me rëndësi të luftës gjatë garave në mes të qejve, të organizuar ng padronet e tyre.Në këto gara do të fitojë më i dobti “Cubeli”, në llogari të tij kishin bërë hajgare dhe e kishin përqesh me motivacion se ai nuk është i zoti të garojë dhe të luftojë me qejt që ishin të zhvilluar dhe të fortë , në krahasim me Cubelin, pa bisht, leshatuk dhe I hajshëm. Ata tani kishin filluar të lavderohen dhe ta ngrisin bishtin lart në shënjë të fituesit të sigurtë në të ardhshëm, siq krekosen dhe lavdërohen disa njerëz. Autori në këtë tregim ka nxjerrë me mjeshtrri mendimin (idenë) se shpeshherë edhe më i dobti me sjelljen korrekte dhe taktiken që ka do të dalë fitues, siq doli në këtë rast Cubeli…