| E diele, 22.05.2011, 07:57 PM |
POETI QYQALLA SJELL "MESHARIN MODERN"
Nga Muharrem Sfarqa
Autori i librave: " Dua të vdes shqip ", " Robi i lirisë " ," Prekja e ëndrrës ", " Arkeologji e shpirtit " poeti Hasan Qyqalla, keto ditë hodhi edhe një hap në krijimtarinë e e tij poetike me botimin e përmbledhjes me poezi, të titulluar " Meshari modern".
I njohur edhe si poeti i Fushës së Kosoves ,Qyqalla qe një kohë të gjatë prezantohet në shtypin e shkruar, e sidomos në ate elektronik shqiptar si një kultivues i denjë i verbit letrar . Ai, kësaj radhe poezitë e tij në "Meshari modern", lexuesit shqiptar ia falë si dhurata vargjesh por te " lidhura " si buqetat e lulëbozhureve të vendlindjes të cilat i vendosë në tryezen e mënysë shpirtërore në mërgim,atje ku u krijua vargu i rimuar poetik i tij,rreth lumit të Rinit, ku autori dhe veprimtari i çështjes kombëtare,jeton e vepron, që nga viti i tij i largët 1993.
Poezia e tij edhe në këtë libër është një reflektim i gjendjes shpirtërore të autorit e cila nuk dallon nga ajo e kombit të tij. Ndryshon vetëm kultura dhe mënyra e artikulimit, sado që mënyra e përjetimit është e njejtë me ate të kolektivitetit..
E veçanta e këtij libri është se përmbledhja poetike është një tërësi strukturore e shtrirë në tri cikle; „Shpirti me tri shenja“, „Mrizi i fluturave“ dhe „Malli i Moresë“, ku ravijëzohet kronika e rrënjës,lashtësia e rrugës,grryerja deri në gjetjen e gjurmës arkeologjike te autoktonisë së shpirtit dhe mallit për prekjen e ëndrrës si metaforë e lirisë, që mbeten frymëzime të përhershme të poetit, në përpjekjet sizifjane të tij për të dëshmuar prejardhjen antike të gjenezës shqiptare.
U botua nga shtëpia botuese Ada-Tiranë, nën përkujdesjen redaktoriale të Demir Gjergjit, i cili në faqet e para të librit ka shkruar një udhërreëfyes në formë të parathënies,që lexuesit i shërben si orientim drej labirintheve brenda tërësisë poetike të saj.
Poeti Hasan Qyqalla është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Lidhjes së shkrimtarëve artistëve dhe kruíjuesve shqiptarë në Gjermani.
Nga kjo e fundit pritet të bëhet edhe promovimi i librit në poezi "Meshari modern".