Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fadil Lushi: Po të gjesh diç më mirë atje ku do shkosh, më fto edhe mua

| E shtune, 21.05.2011, 07:59 PM |


PO TË GJESH DIÇ MË MIRË ATJE KU DO SHKOSH, MË FTO EDHE MUA

 

Nga Fadil LUSHI

 

Dikur pjesa dërrmuese e prindërve tanë ishin të paarsimuar, por ama kishin filozofinë e tyre të veçantë. Fatkeqësisht sot kjo filozofi lëre që nuk hetohet më atypari, por edhe nuk bëhet as një e vetme përpjekje së paku (fare pak) të lexohet, të përsëritet e të rikujtohet. Unë, një opinionbërës i vockël, mbaj mend vitet e gjashtëdhjeta kur komunistët më burgosën dhe më përjashtuan (tok me shokët e klasës) nga gjimnazi i Tetovës. U detyrova vullnetshëm të “arratisem” nga familja. Para se ta realizoja këtë ide djaloshare, nëna më tha: “Ti, biri im, po të gjesh diç më mirë atje ku do shkosh, më fto edhe mua”! Unë dhe ata të brezit tim që jetonim dhe përjetonim shovinizmin e skajshëm të njëmendjesisë, ishim aq axhami saqë nuk e kuptonim këtë filozofi të tyre popullore. Këtë mendje femër e kuptova kur degdisa në vendin ku nuk kishte hapësirë (politike) për jabanxhinjtë, ku nuk kishte rehati familjare dhe ku mungonte dashuria dhe kujdesi prindëror. Vonë e kuptova këtë filozofi të nënës sime dhe brezit të saj!?

Këtë shprehje morale a edhe proverbiale sot e gjithë ditën nuk duan ta kuptojnë disa njerëz që mëtojnë të merren me politikë. Ku ta dijë njeriu pse nuk e bëjnë këtë. Ndoshta gabimisht e konceptojnë këtë realitet ose madje frymojnë jashtë tij.

Sot udhëheqësit e partive politike shqiptare këtë filozofi të prindërve tanë dhe të tyre po e zbatojnë pjesërisht. Ata thonë se nuk kanë nevojë për ta bërë këtë. Nëse lidershipët tanë kanë hise në këtë filozofi, atëherë e kanë për obligim (së paku moral) që rebelëve (të ashtuquajtur politikë) gjegjësisht atyre që braktisën partinë me bishtin ndër shalë, t’ua thonë fjalinë: “Ti, mor vëllaçko, ti batakçi, qaraman e cinik, ti që nuk deshe të qëndrosh në stolin e lojtarëve rezervë, nëse do të ikësh a edhe në do braktisësh partinë, të lusim mos na shaj e mos na “denonco për aktivitete abuzive, skandaloze, korruptuese a edhe kriminale. Ti ishe ai që pa dijeninë tonë, i nëpërkëmbe vlerat e institucionit ku punoje. Ti vëllaçko, në do ikësh nga partia, na i kthe kollaren dhe kostumin partiak, çorapet e bardha mbaji, nuk na duhen...nderin që ta bamë mos na e kthe me...”!?

Me këtë filozofi, vite më parë ishte ballafaquar një kryekuzhinier i një restoranti prestigjioz këtupari në qytetin... (nuk do t’ia përmend emrin). Ky kryekuzhinier kishte hequr të zitë e ullirit sa herë që e kishin paralajmëruar se në restorantin e tij do të vinte kryepari i partisë politike shqiptare. Jo rrallë vihej në siklet. Për këtë dhe shkaqe të tjera, ai bënte kujdes tej mase se çka do t’i përgatiste kryetarit N.N.!???

Dhe ja, një ditë kryetari i partisë u duk te restoranti i tij i preferuar. “Çuditërisht”, kryetari kësaj radhe kishte kërkuar pilaf pak të vajosur, me pak salcë, me djathë dhe pa kripë fare. Kryekuzhinieri mendjendritur dhe njohës i shkëlqyeshëm i kuzhinës orientale të sulltanit, e dinte fare mirë se pilafi si ushqim brumi servohet i fundit! Nuk kishte bërë zë. Por para se ta përgatiste pilafin disa herë e kishte larë dhe shpërlarë. Si “për inat” kryepari i partisë pa e provuar pilafin “brenda” kishte gjetur ca “krimba me ngjyrë jeshile”!? E kishte lënë mënjanë pjatën. Nuk e kishte “denoncuar” ustain e kuzhinës për “pakujdesinë e tij”, përkundrazi e kishte  falënderuar dhe përgëzuar për besueshmërinë dhe ndershmërinë e tij! (të nderuar lexues, paragrafin që llafos këtë vaki do ta përmbyll në fund të këtij shkrimi)

Sot e gjithë ditën, spektri politik në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi, Luginë dhe në Shqipëri ballafaqohet me fenomenin a edhe me shembullin e trishtuar të disa politikanëve, të cilët duke qenë të pakënaqur me statusin e tyre në piramidën e partisë politike, do t’i ngjiten varkës pa timon për të lundruar në detin e trazuar..., njëherazi do të mëtojnë ta braktisin partinë, si ajo pela e egërsuar dhe e “pabindur”. (Nuk i ka fajet pela. Fajet i ka pronari i cili sa herë që e kishte ushqyer ia kishte përkëdhelur vithet e saj të njoma!?.) Ikja e tyre do të karakterizohet si “ikje demokratike” e mbështetur në një sërë provash dhe argumentesh të njohura vetëm për ta.  Këta politikanë qaramanë me buzëqeshje përçmuese, megaloman, zhurmues dhe transmetues gënjeshtrash në emër të “plurimendimit” të tyre, nuk lanë gjë pa thënë për ish lidershipët e tyre, nuk i lanë pa i akuzuar për korrupsion dhe mostolerancë. Kinse të gjitha partitë politike shqiptare udhëhiqeshkan nga “bajraktarë, kapedanë e diktatorë”!?? I gjithë ky zhgënjim a edhe “rebelizëm politik” i tyre gjeti shprehje në momentin kur hetuan të vërtetën se partia e tyre e kishte humbur hapësirën e së drejtës për të drejtuar instancat legjislative, respektivisht qendrore të shtetit dhe ato vendore. Zhgënjimi i tyre do të kulmojë në momentin kur ata nuk do ta gjejnë “identitetin” në listën e të përzgjedhurve për deputetë, në vaktin kur kryepari i partisë do t’ua thyejë “pasqyrën e ndërgjegjes së tyre politike”, në momentin kur toptan do të nëpërkëmben dhe anashkalohen deri në stadin e fundit të mospërfilljes!

Asnjeri, po as lidershipi, nuk i ka fajet pse këta ikanakë janë shndërruar këmbë e krye në kambanare manastiresh dhe në tellallë haberesh sensacionale: “O milet, pas dasmës së minjve, polli miu...,o milet dëgjuat a nuk dëgjuat, keni në dijeni se partitë (e tjera) politike shqiptare kanë nevojë për ne, ikanakët”!? Nuk kanë faj lidershipët, pse këta të “arratisur”, që në fillim politikën e konceptuan si antipolitikë, antiqeverisje, si çështje jopublike, çështje biznesi, si çështje private, si dhe si çështje antidialektike, në vend që ta ...”kuptonin vetëm si art qeverisjeje: si çështje publike: si dialektikë kompromisi dhe konsensusi, apo si fuqi për shpërndarje burimesh, siç e shpjegon teoria e filozofisë politike!.

Ata që e njohin mirë historinë e partive politike shqiptare, do të thonë se ikja e tyre nuk i ka rrënjët në partinë politike nga edhe ikën, përkundrazi, kjo ikje lidhet ngushtë me partinë paraprake dhe me kryeparin e saj, të cilit këta “klandestinë” asnjëherë nuk arritën t’ia bëjnë fjalën dy. Të gjithë këta rebelë, karrierën e tyre politike e nisën me atë thjeshtësinë popullore, për ta përfunduar me pakënaqësi, me mosdurim, me arrogancë të paparë dhe me humbje të cilën sot e kësaj dite nuk e kapërdijnë dot kollaj. Tekembramja, mënyra e largimit a e braktisjes së partisë politike, ishte më shumë adoleshente, sesa pjellë e një pjekurie politike, më shumë intime dhe provinciale. Në instancë të fundit, këto “rebelime politike” mund të konceptohen vetëm si episode tragjike, komike dhe të papërfillshme politike, sidomos tani në vigjilje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe kurrgjë tjetër, sepse të gjithë tragjikomikët që u “shkëputen” nga identiteti ose edhe nga partia amë gjithmonë e kanë hëngër kokën e tyre politike (jo pak shembuj të tillë u hetuan, të nderuar lexues, kohë më parë në të gjitha trevat politike shqiptare).

Parashtrohet pyetja se pse këta politikanë kohë më parë ndanë mendjen për ta braktisur partinë. A mos vallë ishin të pakënaqur me vendin e tyre në piramidën e partisë, apo bëhej fjalë për diçka tjetër. Ajo “diçka tjetër” ka të bëjë fillimisht me “konvertimin jonatyral”, për të kërkuar rrugë të reja për të ruajtur kokën politike, andaj formimi i partisë së re politike është i “vetmi shpëtim i tyre”!??. Nuk do mend se formimi i partive të reja politike nuk është në interes të shqiptarëve, aq më tepër kur dihet se vota deliberative shqiptare do të shkapërderdhet.

Shqiptarët e Maqedonisë, të Luginës dhe të Malit të Zi, (përjashto Kosovën dhe Shqipërinë) nuk kanë të drejtë që vetvetes t’i lejojnë luks të tillë politik sa i përket formimit të partive të reja politike. Shihni shembullin e kurdëve të Republikës së Turqisë, të cilët për të realizuar të drejtat e tyre kushtetuese, kohë më parë formuan një të vetmen parti politike. (në këtë shkrim nuk dua të bëj paralelizma me partitë politike kurde dhe ato shqiptare)

Paragrafin (e lartpërmendur) do ta përfundoj me fjalët: ikja e këtyre politikanëve “tej mase i përmalloi dhe i pikëlloi lidershipët”??..., të cilët sot me gjithë seriozitet do ta qortojnë rrobaqepësin e partisë!? Arsyeja! Rrobaqepësi ua kishte qepur gabimisht kostumet brigadierëve të bojaxhinjve !???

Rebelët politikë të mbarë trevave shqiptare gjithmonë kishin mëtuar të veprojnë në pajtim me thënien e filozofit Ukshin Hoti - “Bëje ose vdis”. Këtë veprim e bënë për kushedi sa herë dhe, çuditërisht, nuk vdiqën, por ama u bënë horr.