Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Selim Hasanaj: Biznes hoxhallarësh

| E shtune, 21.05.2011, 07:58 PM |


BIZNES HOXHALLARËSH

 

Nga Selim M. Hasanaj

 

Ka tashma një farë koh qëkur në Prishtinë u dha premiera e filmit "AZEM GALICA" i Halil Budakovës, dhe simbas shtypit të vendit filmi u kritikue për shumëçka, si një film jo i drejtë, film që nuk paraqet të vërtetat historike, që qellimisht apo jo ka harrue të pasqyrojë bashkpunëtorët ma të afërt të Azem Galicës etj. Pat reagime nga disa mbasardhës të bashkpunëtorëve të kryekaçakut të Drenicës, Azem Bejtë Galicës, sidhe përgjegje të autorit të filmit z. Halil Budakova. Unë as që e kam pa filmin dhe nuk do të merrem me të në këtë rast. Unë reagoj këtu per një dukuni të çuditëshme, dukuni që askund nuk do shihej, pos tek na shqiptarët, që jemi populli ma i përçudnuem i Evropës.

 

Në prag të luftës së NATO-s në Dardani dhe menjëherë mbas saj ka qarkullue një videokasetë e inçizueme nga Milaim Zeka kushtue Adem Jasharit. Prezantoheshin inserte të vëllaznive Jashari. Flitej  për luftën e tyne dhe krejt kjo zgjaste vetëm disa minuta , ma së shumti gjysëm ore. Gjithmonë asht premtue nga Milaim Zeka se një ditë do të paraqitej videokaseta e gjitha dhe se do ta shohin të gjithë shqiptarët, mirëpo as 12 vite mbas lufte nuk ndodhi kjo.

 

Pse nuk u paraqit sot e kësaj dite, unë nuk due ta paragjykoj, por besoj se psehin e dinë të gjithë shqiptarët.

 

Tash e njejta metodë po përdoret edhe me filmin "AZEM GALICA" të Halil Budakoves. Ka vetëm një dallim: Me filmin për Adem Jasharin manipulohet tue premtue shfaqjen e tij publikisht dhe tue mos e ba kurrë ate vetë autori Milaim Zeka. Ndërsa me filmin e Halil Budakoves këtu në mergatën tonë në Norvegji manipulojnë për të ba biznes të ashtuquejtunat Qendra Islamike Shqiptare në Norvegji. Prandaj shkrimit i dhash titullin  BIZNES HOXHALLARESH.

 

RTK-ja, për disa ditë me radhë, pat ba reklamimin se së shpejti në Osllo dhe në disa qytete të tjera norvegjeze do të shfaqej ky film dhe ma në fund kjo ndodhi në përkujdesjen e qendrave islamike shqiptare, konkretisht asaj të qytetit DRAMEN. Film u shfaq në Osllo. Një ditë ma vonë u shfaq edhe në Kristiansand, kurse sot me 15.05.2011 në Sarpsborg.

 

Personalisht pata mendue se filmi do të shfaqej në kinosallat  e qyteteve dhe pata vendosë të shkoja familjarishtë ta shoh, mirëpo jo, filmi shfaqej nëpër lokalet e xhamijave shqiptare të hapuna në qytetet norvegjeze, hymja 100 korona norvegjeze (diku 25 euro) dhe shfaqja e tij ishte thjeshtë biznes i bashkësive islame shqiptare në Norvegji. Në këso lokale unë nuk shkoj.

 

I baj publikisht pyetjen autorit të filmit z. Halil Budakova: Si lejove, more burrë, që filmi yt, që me sa di asht sponsorizue nga Ministria e Kulturës e Dardanisë, tash të bahet mjet biznesi i hoxhallarëve dhe bashkësive të kobshme për kombin shqiptar, të ashtuquejtuna islame në Norvegji?! A ke pranue ti, z. Budakova, një matrapazllek të tillë, apo asht ba kjo pa dijeninë tande? Nëse ke pranue, më dhimsesh shumë sa poshtë e ke qitë filmin (vepren tande) dhe veten si krijues e artist. Nëse nuk të kanë pyetë, por kanë ba kopjimin në DVD dhe tash e shfaqin gjithandej matrapazët për të përfitue pare, ti si autor duhet ta ngresh zanin kundër kësaj shkeljeje të randë të së drejtës së autorit.

 

Sarpsborg-Norvegji: 15.05.2011