| E premte, 20.05.2011, 08:00 PM |
Mërgata shqiptare sfidon partitë politike në IRJM!
Me një fjalë, mërgata shqiptare sfidoi denjësisht partitë politike shqiptare sepse ato nuk e meritojnë votën e mërgimtarëve. Ato më mirë e dëgjojnë Gruevskin se vëllezërit e tyre, më mirë e dëgjojnë partnerin koalicionit (VMRO apo LSDM) se sa mërgimtarët.
Shkruan: Vaxhid Sejdiu
Pas formulimit të ligjit për përfshirjen e mërgimtarëve në zgjedhjet parlamentare në IRJM të 2011, filloi edhe “lufta” për një rejting politik në të gjitha shtetet e perëndimit ku jetojnë shqiptarët. Politikanët shqiptarë për një moment menduan se do t`i joshin mërgimtarët dhe atyre do t`iu rrjedhin jargët pas premtimeve të tyre boshe dhe do të vrapojnë, në vrap pas tyre.
Por ndodhi ajo që duhej të ndodhte. Me një fjalë mërgata shqiptare sfidoi denjësisht partitë politike shqiptare sepse kishte arsye për një vendim të tillë.
Të gjitha përfaqësitë diplomatike në qendrat kryesore si në Bruksel, Paris, Berlin, Stokholm, Uashington, Bernë, dhe vende tjera u vënë në gatishmëri të plotë duke shpallë, njoftime publike nëpër gazetat më të njohura të këtyre vendeve, duke shpenzuar me mijëra euro për publikimin e tyre, me qëllim që të tërheqin mërgimtarët të regjistrohen në zyrat e tyre. Por një e harruan se mërgimtarët nuk regjistrohen në zyrat e një vendi që nuk të njeh si të barabartë, skajshmërisht të injoron, lirinë ta merr nëpër këmbë dhe me mijëra e mijëra herë të vë para proceseve të montuara politike.
Pjesa më qesharake e kësaj loje ishin vasalët, misionarët duke vrapuar nëpër lokale, klube dhe xhami shqiptare, pastaj bajraktarët dhe udhëheqësit e partive shqiptare. Qëllimi i tyre ishte nëpërkëmbja e mërgatës shqiptare, njollosja e saj, dëshira e tyre madhe për ta futur mërgatën në llomin e vet.
Dhe nga e gjithë kjo fushatë vlen të përmendet se në njësinë zgjedhore nr. 7 që përfshinë Evropën dhe Afrikën kanë aplikuar 4 644 persona nga të cilat mbi 70% prej tyre janë sllavo-maqedonë, kurse shqiptarë mendohet se janë regjistruar diku afër 1500 veta. Nga qindra e qindra mijëra shqiptarë janë gjetur vetëm kaq. Ky është verdikti i mërgatës shqiptare sepse partitë politike shqiptare nuk e meritojnë votën e tyre. Ajo nuk iu beson pazareve të tyre, platformat e tyre të zbrazëta nuk pinë ujë tek mërgimtarët, sepse një deputet më shumë apo një më pak në mesin e 29 deputetëve ( sipas mandatit të fundit politik) të instrumentalizuar nuk vërehet fare.
A e pyesin veten ndonjëherë ata, se a e meritojnë votën e mërgimtarëve?
Në këtë fushatë politike partitë politike dhe grupet e caktuara, mërgimtarët herë i akuzonin, herë iu bënin thirrje që të regjistroheshin në konsullatat apo ambasadat, si dhe herë iu jepeshin këshilla nga të gjitha mediet se do të mbesin pa votuar dhe në këtë formë do te humbet 1-2 deputetë, të cilët me votat e tyre, shqiptarët do ta ngritin numrin e deputetëve. Por kishte edhe prej atyre që i ftonin mërgimtarët që të mos votojnë.
Në anën tjetër partitë politike si zakonisht përpilonin lista duke pirë çaj e raki sepse ashtu janë mësuar që 20 vjet, të përpilojnë lista dhe bëjnë garë për t`i zgjedhur njerëzit më të pa aftë në trojet shqiptare, sepse kanë frikë se mos ndonjë prej deputetëve po ua merr kreun e partisë.
Të gjitha këto paraqitje publike, komunikata, lajmërime, njoftime ishin thjeshtë pjesë e platformave të tyre të zbrazëta. Derisa ata shkumonin rreth diasporës, mërgimtarët duke e njohur mirë situatën politike dhe të vetëdijshëm për zhvillimet politike, as nuk përgjigjeshin, as nuk i komentonin, as nuk shkumonin por me dhembje të thellë, me ironi dhe përbuzje mendonin në heshtje: “Shikoni vëllezër deri ku ka arrit interesi i njerëzve të pangopur dhe grupeve partiake”?
A e mendojnë ata se pas këtyre katrahurave ndaj çështjes shqiptare që mërgimtarët shqiptarë të angazhohen edhe një herë për këto skorta të cilat aq shumë e kanë dëmtuar popullin shqiptar gjatë këtyre 20 vjetëve.
Po ua themi troç se mërgata shqiptare nuk u mobilizua sepse gjatë këtyre 20 viteve partitë politike shqiptare më mirë kuptohen me partitë maqedone se në mes veti, më mirë e dëgjojnë Gruevskin se vëllezërit e tyre, më mirë e dëgjojnë partnerin koalicionit (VMRO apo LSDM) se sa mërgimtarët. Shih kërkesën e mërgimtarëve shqiptarë nga SHBA për bashkimin e faktorit politik shqiptar para zgjedhjeve parlamentare dhe unifikimin e listave zgjedhore.
Partitë shqiptare që 20 vjet asgjë nuk kanë bërë për mërgimtarët por në vazhdimësi mërgimtarët shqiptarë janë vënë nën presion edhe gjatë kohës së qëndrimit të tyre në pushim si p.sh. në dogana, në zyrat e vendit për nxjerrjen e dokumenteve etj.
Partitë politike shqiptare asnjëherë nuk iu kanë dalë në mbrojte të fshatarëve, qytetarëve shqiptarë nga Kumanova deri në Manastir, por kanë shikuar se si të pasurohen dhe se si të përfitojnë me djersën e të tjerëve. Kompromiset e tyre politike në dëm të popullit shqiptar janë veprat më të shëmtuara në historinë e shqiptarëve, gjë që u shndërruan në një dekor më të neveritshëm në IRJM.
Prandaj jo që ne nuk jemi të vetëdijshëm për një gjë të tillë, por nuk kemi kujt t`ia japim votën, sepse nuk shpresojmë që të drejtat tona mund të realizohen në këtë formë sikurse veprojnë partitë politike shqiptare. Që 20 vjet i marrin votat, se gjoja do të realizojnë ligjin për gjuhën dhe simbolet kombëtare, një prej ligjeve më minimale dhe që 20 vjet nuk e kanë realizuar, e lëre më për kërkesat tjera të ligjshme që duhet t`i gëzoj populli shqiptar.
Pra vendimi i mërgatës është shumë i drejtë, do të kishim pas dëshirë që këtë vendim ta marrë edhe populli në trojet shqiptare në IRJM, sepse është e qartë në vitin 2011 shqiptarët nuk kanë për kë të votojnë.