| E merkure, 18.05.2011, 07:57 PM |
BAJNË PUNË TË MIRË VETËM KUR DUEN (Falenderim RTK-së)
Nga Selim M. Hasanaj
Sot u zgjova pak ma vonë se zakonisht dhe porsa hapa TV-në m’u ba se isha andërr. Fërkova sytë dhe thash: vallë, asht e mundun, RTK të prezantojë program kaq të mirë e të bukur, me vlera madhore të kulturës sonë kombtare?!
Jemi mësue që TV-të tona të na shkatrrojnë shpirtin me programe bajate, me koreografi banale, me prezantim të vlerave të hueja, me seriale spanjolle, të Amerikes Jugore, e posaçërisht me programe e seriale turke, sa nuk asht çudi që një brez i tanë i shqiptarëve, si në Atdhe, ashtu edhe në mërgatë, të mendojnë se ato janë vlerat tona kombtare, pse diçka tjetër nuk kanë pa as dëgjue gjatë jetës së tyne. Na, brezi i vjetër, kemi kujtesën për vlerat tona kulturore, por ato shumë pak, apo kurrë, nuk po i shohim në TV-të shqiptare, sidomos në këto dy dekadat e fundit, që kur ra sistemi komunist dhe u bamë "demokratë". Në emën të kësaj "demokracie" na harruem vlerat tona dhe i kultivojmë ato të huejat e në 99% të rasteve të anmiqëve tanë tradicionalë. Nuk po i ceku gjatë, pse cilët janë ata programe e vlera e dinë të gjithë shqiptarët, por do të ndalem tek rasti i sotëm në RTK.
Ishte një program i mrekullueshem, që prezantonte traditën shqiptare në mijëvjeçarë. Tregoheshin ritet dhe ceremonitë e DITËS SË SHEN GJERGJIT. Jam mahnitë me programin, koreografia gjithashtu ishte e mrekullueshme, fshatarët që tregonin për ritet ishin njerëz që vërtëtë dinin të flisnin e spjegonin e jo njerëz që belbëzojnë para kamerave dhe gazetarëve, sëmundje kjo tipike e shqiptarve, posaçërisht e pjeses së tyne në Dardani. Kishte aty edhe njerëz të shquem të shkencës etnografike të Muzeut të Pejës, që poashtu folën dhe spjeguen ritet e festës së Shen Gjergjit. Ndërsa shikoja se si baçica (kështu quhej grueja e shtëpisë që kujdesej për bylmetin në famljet shqiptare) i sperkaste me ujin e ftoftë akull të burimit dhe me hithe fëmijët ndërsa banin gjumin e mëngjesit, m’u duk se po përjetojë edhe tashti atë zgjim të padëshiruem, që na bante Nana Zyhra ditën e Shën Gjergjit. M’u duk se Ibrahimi dhe Qazimi, vëllaznit e mi, po katrrisesin rreth meje, si vëllaj ma i madh që isha, për t’i shpëtue nga regjjet e hithit. Nuk di, por m’u duk sikur dëgjova edhe zanin e Nanes të na thotë; shttttttt... asht kjo për shëndetin tuej, ju pastë nana.
Kah nuk më shkoj mendja ndërsa përcillja emisionin e goditun të RTK-së. Për disa çaste kalova në boten e kujtimeve të kohes së fëminisë sime. Atje përballë oxhakut, ku ende përmes hinit përvidhej tymi nga unët e mbulueme me hi dhe ikte drejt qiellit, tue u perzie me mjegullën e mëngjesit, që porsa kishte fillue, m’u duk se pash Babë Mustafën tek grinte me brisk me mllungjen e brinit të dashit, disa barna dhe hudra dhe ato shkonte e ua lyente turinjet deleva bardhoka. Mbi unët e gacat e mbulueme me hi në oxhak, m’u duk se pash zingjirin kacavarë e në te kusia e nxime katran nga qaxha e tymi e në të cilën mbas pak Nana do të përziente ndonjë kaçamak apo mazë të zieme.
Atje jashta në degën e manit m’u duk se pash hulaqen e litarit kacavjerrë dhe në fund të saj jastakun qendisë me lule nga dora e Nanës, sepse ulja direkt në hulaqe shkaktonte dhimbje në kofshët tona e të vajzave të komshijve, që vinin e luhateshin, andaj ajo gjithmonë aty kishte atë jastek.
M’u duk se pash Razen, Azen, Mejremin, Sofinë, Haven, e të tjera vajza të komshijve si luhateshin dhe si e shtynin njena tjetren në hulaqe.
Në oborr pash të vizatuem edhe kamklicin, ndërsa në atë hapsinën mbi shtëpi, m’u duk se pash se si luenin gjugla Qerimi, Imeri, Isaja, Rexhepi, Shpendi, Tali etj., djem të komshijve.
Programi i RTK-së sot më mori me vete dhe më kthej me dekada mbrapa, më çoi atje ku na si shqiptarë ishim me shekuj e shekuj dhe me këte, si asnjëherë ma parë, RTK-ja ma bani diten të mrekullueshme.
Mërgimi ka peshën e madhe të telasheve jetësore, por ma e madhja asht pesha e mallit për Atdhe, e mallit për vendlindjen, për kulturën e traditat e origjinës kombtare, si dhe frika e ankthi nga asimilimi. Prandaj po e them publikisht, ta dinë pronarët, redaktorët dhe drejtorët e të gjitha TV-ve tona, se asimilimit tonë po i kontribojnë pikrishtë ata dhe TV-të e tyne. Akuza e ime mbeshtetet në faktin se shumë pak apo hiç fare po i kushtohet kujdes kulturës tonë origjinale tradicionale kombtare. Po prezantohen seriale të hueja, në programet satelitore po prezantohet programi për minoritete, ka hy një model i koreografisë të pakuptimtë nëpër programe muzikore, artistike etj, një model i mërzitshëm, neveritës e banal.
Megjithate, kohët e fundit, po shihet një përmirsim në RTK, ku ka disa programe që përkujtojnë kulturën tonë. Programe të tilla duhen përkrahë e përshendetë. Programi i sotëm ishte një mrekulli në vete dhe i shpreh mirënjohje redaktorit, sepse ai popull që nuk harron të kaluemen e ka të ndritshme edhe të ardhmen.
Kjo që pash sot dëshmon dhe vërteton rranjët tona autoktone, të lashta dhe europërendimore prej mija vjetësh; verteton reagimet e mia e të shumë analistëve e studjuesëve të tjerë se na shqiptarët tespihet, burrat me sandalle e shallvare, mjekrroshet pa mustakë, gratë me terlik e hixhabe, i morëm vonë nga pushtuesë aziatikë. Rranjët tona pellazgo-ilire dëshmohen edhe në programin e sotshëm për festimin e ditës së Shën Gjergjit nga populli shqiptar.
Sarpsborg-Norvegji: 14.05.2011