| E merkure, 11.05.2011, 07:41 PM |
Një libër që mungonte
Biografi, dokumente arkivore, Faik Konica-Jeta në Uashington, Fan Noli, Ilir Ikonomi autor, mbreti Zog, shtëpia botuese Onufri, Tiranë
Nga Astrit Lulushi
Me librin “Faik Konica; Jeta në Uashington”, kjo figurë deri-diku legjendë, vjen më afër, thuajse preket, çka mund t’a bëjë Konicën – pse jo? – edhe të arritshëm, për nga vlerat. Aktualiteti ka nevojë për njerëz si Konica. E tashmja nga ajo kohë, pak ka ndryshuar. Libri, me autor Ilir Ikonomin, doli kohët e fundit nga Shtëpia Botuese Onufri në Tiranë. Nëpërmjet hollësive të jetës së Konicës në Uashington (1926 – 1942), Ikonomi sjell shumë fakte të reja, të përzgjedhura mes mijëra dokumenteve që zbuloi nëpër arkiva në SHBA dhe Evropë. Kur i gjithë libri shfletohet vemendshëm, njeriu nuk ka si të mos ndjejë se ka zbuluar edhe shumë anë të panjohura a të pafolura rreth karakterit të Konicës.
Falë këtij libri biografik (380 fq.), lexuesit tani mund të njihen me të dy anët e tij; Konicën inatçor, por edhe të këndshëm e me humor; beqar, por në shoqëri me femra; në dukje larg jetës mondane, por që i pëlqente ajo; armik i dikujt, por edhe mik për jetë; sa i matur e i sjellshëm, aq i ashpër e fjalë-shfrenuar; shkruante shkurt, sepse nuk gjente kohë për më gjatë; punonte rëndë, por edhe njësoj pushonte; gjithmonë shpenzonte më shumë sesa kishte; gëzohej, por edhe vuante shpirtërisht kur njëra palë e merrte shumë seriozisht apo e mbi-lëvdonte, pala tjetër e sulmonte ose nuk e përfillte fare, ndërsa asnjera e as tjetra nuk e kuptonte.
Me një lexim midis rreshtash, njeriu mund të nënkuptojë edhe shumë anë psikologjike; se gjatë gjithë jetës – veçanërisht në Uashington – Konica veproi sipas parimit të vet “konician” – ku çdo shkëlqim intelektual do të ishte i kotë, do të ishte i humbur, pa një kompromis me ngjarjet politike, dhe anasjelltas; asnjë zhvillim a regjim politik nuk do të ishte në gjendje të ndihmonte si duhej një vend a popull pa një bashkëpunim me dijen. Në ketë frymë bashkëpunimi me politikën veproi Konica, kur pranoi postin e ministrit shqiptar ne Uashington; edhe Noli, kur kërkoi ndihmë financiare nga armiku i tij, Gjithashtu, njësoj veproi edhe Zogu, i cili me intuitën e tij proverbiale e kishte kuptuar sesa i domosdoshëm ishte kompromisi me të dy këta përfaqësues të mëdhenj të dijes e kulturës. Ishte Lufta e Dytë që prishi rrjedhshmërinë e lidhjeve të tilla dhe pas-lufta e cila solli një tjetër regjim politik – pa asnjë mirëkuptim a ndjenjë tolerance – i cili shmangu ose asgjësoi njerëz me nivel dijesh, dhe përbalti njohuritë e trashëguara, duke shpallur armik të vetët dhe gjithë botën.