| E marte, 10.05.2011, 08:57 PM |
Çlirim Uça
NË KËRKIM TË VETVETES
Atë natë,
kur lindi bebja e parë njeri,
klithma e tij
heshtjen e territ
si vetëtimë,
çau,
dhe bishave kobzeza,
andrrën ua solli
në sy.
.
Në duel
për jetë a vdekje,
fluturoi një engjëll,
zemër shitue nga
vaji i vogëlushit
trokthit bishnor,
tmerrue,
dhe e mori vogëlushin
mbi flatrat e tij,
e në një xhungël majmunësh
e çoi
për ta rritë.
.
Atë natë,
bardh e zi,
trandafil e ferra,
lindi dhe bota e ndjenjave;
fati dhe fatkeqësia
ndanë
botën njerëzore
në dyshë.
.
Sa u rrit voglushi,
mori botën në sy
në kërkim
të paraardhësve të tij.
.
Ec e ec
nëpër xhunglën e kokës së tij,
ngarkue me barrën e kohës së gurit;
si u lodh,
dy nga të katër kambët
i hodhi mbi shpinë,
t’i punonin rrotat,
e vetën të ngarkonte
dhe t`zitë e tij të ullinit.
.
Kur hipi mbi rrota
bota iu zvogëlue,
dhe
ende ma shumë koha,
por nuk u dëshprue.
Me kambët,
që kthye ishin në duer,
rrotat tue i drejtue,
e zuni një shqiponjë,
ndërsa fluturonte
mbi kokën e tij.
.
Ulë mbi shpinë te saj,
në poltron lëkure zgaqë,
mbasi mori frymë thellë,
porositi,
rroba allafranga,
kollare
dhe këpucë lustrafin
cigane.
.
Veshë e kollarisë,
e kafe tue pi
vazhdoi ai
në çdo skaj të globit
të kërkonte
paraardhësit e tij.
.
Ditën që s’i gjeti aty,
u nis për në Hanë, në Mars...
do t’i lyp edhe përtej Diellit,
tha,
der sa t’i gjej një ditë.
.
E tash,
në kohën time,
me grimcat e trunit
shpërnda
si rrezet e diellit
e drita e hanës
mbi pasqyra on line,
po pret,
me ta të lidhet
një ditë.
.
Po pret:
por e gjatë pritja s’ do të jetë,
pse shpejt,
një ditë,
fanarin do të marrë
e të nisë
kërkimin në skutat ma të errta
të kafkës së vet.