| E diele, 08.05.2011, 06:59 PM |
Istref Haxhillari
Iluzione të këputura
(Tregim)
Vladimiri hyri në kuzhinë pa zhurmë, sikur donte të mos prishte heshtjen e ndehur aty prej dymbëdhjetë vitesh. U lëshua pjerrtas mbi kolltuk dhe filloi të kollitej. I qe bërë zakon të pastronte herë pas here fytin, më tepër si punë tiku nervor.
Rakida u nervozua.
Shkëputi vështrimin nga televizori. Ndihej e lodhur, sytë i digjnin. Lëvizi nëpër dhomë, qëndroi para pasqyrës së tualetit. Aty-këtu në tëmtha fije të çelura ngjyrë hiri e kishin humbur shkëlqimin. Qeskat poshtë syve, të zbehta e të enjtura, qenë varuar pak. Dy rrudhat e lehta gjarpëruar tejpërtej ballit iu duk se patën përparuar.
“M’u mbarua ai dreq kremi”, tha me vete e mërzitur.
Po s’qe punë kremi.
Shihte të vinte drejt saj mplakja dhe ndjente se i dorëzohej gradualisht.
Flokët i qenë ngatërruar keq. Nuk i bëhej të vinte te parukierja, kujtohej gjithnjë kur ndodhej në shtëpi dhe krihej.
-Si thua? - e pyeti të shoqin duke u rrekur të shihte në profil gjatësinë e turrës së leshrave ngjyrëbakri.
-Përse? - Vladimiri largoi sytë nga gazeta. Lexonte me kokën rrëzuar pëllëmbëve.
-Them t’i shkurtoj ca.
Ai e soditi me nge pa lëvizur nga kolltuku, disi shpërfillës. Me sa dukej nga rreshkja e shpirtit që nuk dinte më të përcillte kureshtje.
-Ç’të ka shkrepur? - U pendua në çast; Rakidës i mbetej qejfi për hiçmosgjë.
- Edhe t’i shkurtosh përsëri mirë do të rrinë. Ty të shkon gjithçka.
-Mezi i kreh, kanë filluar të bigëzohen. Nuk ua kam ngenë të merrem aq gjatë me to, më lodhin.
Vladimiri e la gazetën. Biseda po merrte ngjyrim tjetër në një plan intim. Gruaja lëvizi kokën dhe leshrat e dallgëzuara me vezullime, si ujëvarë e kuqërremtë përndezur nga dielli, u derdhën supeve. Ishte trashur pak nën sqetulla e në vithe, po trupi i drejtë, qafa e lëmuar, sytë çapkënë vazhdonin me kokfortësi të sfidonin kohën.
-Je e mrekullueshme, - tha Vladimiri dhe qeshi pak. Kolla i pushoi.
Rakida iu afrua dritares. Në parkun e vogël mes pallateve dy grupe fëmijësh vraponin me zhurmë shurdhuese pas topit. Ngadalë, tinëzisht avitej mbrëmja dhe muzgu ndizte liqenin, Malin e Thatë, pallatet. Përmbi Kala disku i diellit zhytur përgjysmë pas kreshtës së pyllëzuar hidhte me vërtik rreze flakë të kuqe.
-Qielli u bë i prushtë, - belbëzoi Rakida e prekur.
Zëri iu drodh, ndoshta nga kujtime të vjetra. Ai s’i vuri rëndësi; harronte shpesh ngjarjet e largta, të afërtat mezi i kujtonte.
Rakida ndjeu brenda vetes një krisje të lehtë midis asaj që ishte dhe asaj që duhet apo donte të ishte. Nuk u përmbajt e mposhtën ngashërimat. Në fillim ngadalë, pastaj gjithnjë e më fort, derisa u drodh e tëra.
Burri ia fshiu lotët.
Ajo u turpërua. E tronditur me pamje vajtuese. Më parë nuk i ndodhte kështu?! I shoqi zuri vend përballë duke u kontraktuar ngadalë si ndonjë plak. Lëvizjet e sforcuara, rënkimet jo të natyrshme e trishtuan më shumë gruan.
-Mos ma verë re. - Psherëtinte herë pas here me sytë ulur.
Ai ndihej i pikëlluar.
-Edhe unë në prag të lotëve jam. - Kollitja e thatë u bë më e pranishme.
Rakida po ftillohej; kështu niste çdo herë.
-Asnjë grua nuk është e përkryer, - vazhdoi Vladimiri.
“Burrë muti!” deshi të shtonte. “Zot, përse më ra shorti banal të jem steril?!”
Hidhërimi, me kalimin e kohës, sfumohej. Donte të sakrifikonte diçka. Fundja jeta ashtu qe, mbushur plot me lëshime recoproke dhe ajo që donte të bënte ishte brenda skemës së përgjithshme. Mirëpo nuk i jepej t’i thoshte. E kishte vështirë, gati të pamundur. Gjithnjë biseda zvarritej derisa këputej në mes.
Në të vërtetë u këput edhe tani: Rakida nuk e duroi pamjen e tij të përvuajtur, të sikletshme dhe u ngrit doli jashtë.
Maji sundonte natyrën. Aroma e unapit mbuluar nga lulesat e jargavanta shpërthente atmosferën. Re të verbëra si një ushtri e shpartalluar i dhanë muzgut gravitet marramendës. Rruga gumëzhinte nga zhurmat e çartura të fëmijëve. Përhumbur në lojën e tyre, Rakida u zgjua papritur prej dremitjes së gjatë.
Qe një si goditje e beftë, e çastit.
Ndjeu lotët t’i shkisnin faqeve. Mbeti aty deri vonë tretur në mendime të zymta. Edhe pse u fashitën, zërat e ëmbël të vocërrakëve e ngashëryen më tepër. Sa do të donte të ndiente ca hapa të lehtë tek ngjiteshin shkallëve, apo derën të hapej më rrapëllimë! Sa dëshironte të prishej ajo palëvizshmëri!
Si qetësi e asgjësë!
Kur u kthye, Vladimiri lundronte në kompjuter, seç navigonte në Facebook kredhur heshtjes së zakonshme. Dukej i qetë, si qiell i vrarë pas shtrëngatës së papritur të verës. Pak i zbehur. Indiferent.
Rakida e urrente atë prehje vrastare pa fund e pa faj!
Vendosi ta prishte. Sa më shpejt.
Në fakt të nesërmen. Mori rrugën që i shmangej gjithnjë. Shtëpia e Fredit, një vilë dykatshe me ballkon të madh, ndodhej në rrjeshtin e dytë, djathtas. Aty zuri fill dashuria e saj në moshën e pubertetit; si punë loje e ëndshme pa zarar. Kujtimet e përvëluan. Të larmishme, të tymta. E sollën rrethanat tani të çonte deri në fund atë që lanë përgjysmë vitet e njoma të adoleshencës….
Te mjeku shkuan pas një muaji. Ajo kërkoj të vizitohej.
-Nuk jam mirë, - i tha butësisht të shoqit.
Përmbytur nga gëzimi ende nuk i besohej. Pas aq kohe, peripecish! Mbështetur paqësisht krahut të tij, nuk guxoi ta vështronte. Ç’është e vërteta ndihej fajtore?!
“Le ta mësojë atje” mendoi.
Mezi e mbante mend vizitën e fundit te gjinekologu, kur analizat treguan se Vladimiri nuk mund ta linte shtatzënë. Më pas as e mendoi më, e fjeti mendjen.
I shoqi priti në korridorin gjysmë të errët. Pinte papushim cigare. Ndonëse zakonisht tymoste shumë rrallë.
-Trejavëshe, - i tha mjeku, - barra shkon mirë.
Vladimiri u skuq. Se si ndihej, as iu bë ta uronte të shoqen. I paaftë të deshifronte emocionet, i hutuar s’po e njihte më veten. Sidoqë e kërkoi këtë lloj shtatzanie.
-Faleminderit doktor, - i tha ftohtë.
Rrugën e shtëpisë e bënë në këmbë. Rakida donte të mbushej me frymë. Njerëzit, makinat nuk pushonin një çast. Një pulëbardhë me krahët që i vezullonin në diell, u rrotullua disa herë derisa ra me vërtik në sipërfaqen e ujit. Gruas shtatzënë i vinte të fluturonte.
Dita notonte në diell.
Pas trungut të unapit rrinte mbështetur një vajzë fare e vogël, si topth xhuxh. E vetmuar. Në syçkat e ullinjta rigonin sumbulla lotësh. Rakida u afrua, i përkëdheli flokët e ngritur si fije kashte, faqet llangosur me kokrriza ëmbëlsirash.
-Pa shiko sa bukur, - i tha, - ku janë shoqet e tua?
Vajza ktheu kokën nga nga ana tjetër, e futi mes krahëve të veckël prej nga vështronte tinëzisht me bishtin e njërit sy.
-Mami ime është e keqe, - gërmat i hante, fjalët i thoshte gjysmake.
-Ç’thua, ajo është e mirë. Unë e di.
-Je mami ti?
-Po, - tha, - bebi im është këtu.
Topthi xhuxh u afrua i preku barkun me doçkën e palarë. Vladimiri e vështroi dhe buzëqeshi. Për herë të parë atë ditë.
-Nuk do ta gënjesh bebin? - cicëriu vajza e vogël.
-Unë s’gënjej asnjëherë. - Ngriti kokën krenare, vështroi pafajësisht të shoqin.
Vogëlushja fluturoi duke kërcyer me njërën këmbë.
Rakida u ndie për herë të parë e plotë pa asnjë mangësi. Koha që deri atëhere ikte si një rrjedhje e mezipërfillshme pa lënë gjurmë, nisi pak nga pak të marrë trajtën e një fytyre njerëzore, të nyjëzohej e përthyhej.
“Jeta është kaq e bukur” mendoi dhe zemra sa s’po i dilte vendit. Kishte nevojë të qetësonte trazimin e çastit, të ndante gëzimin, ndryshe ky do të mbetej i pakuptimtë.
I futi krahun të shoqit, shpejtuan hapin.
Ditët kalonin si një muzikë që e kishte përherë brenda vetes, derisa filluan ca probleme të koklavitura. S’e kishte sjellë rasti t’i njihnin më parë.
-Shtatzania shoqërohet gjithnjë me të vjella, - i ngjeshi në dorë të shoqit fletët e obstetrikës të printuara nga Ëikipedia.
“Me kalimin e moshës optimale lindjet e deformuara rriten dramatikisht. Një në njëmijë në dyzet vjeç, një në treqind në dyzetedy.”
Rakida ishte dyzetenjë.
-Nuk mendoj të ketë problem, - tha Vladimiri. Jo fort i sigurt.
Mjeku e qetësoi.
-Nuk ka norma strikte. Shtatzania jote shkon për bukuri. Duhet të jesh e lumtur që të vjellat janë kaq komode.
Po Rakida dëshironte të villte sa më shumë. Vetëm atëhere mund të qetësohej. Së
paku të mos i vinte mendja në gjëra të këqia.
Javën e gjashtëmbëdhjetë kërkoi të bënin amniosentezën.
-Sindromat Daun dhe Trizom egzaminohen në këtë periudhë, - i tha Vladimirit tejet e shqetësuar. Me duart që i dridheshin zhubraviste fletët e saposhkarkuara nga interneti.
- Zot! Po sikur?
Përfytyroi të gjitha rastet që dinte në qytet. Sidomos vajzën e shkretë të katit të pestë: Vetëm njëmbëdhjetë vjeç, peshonte tetëdhejtë kilogram. Po rezultati i analizës doli shkëlqyeshëm. Ndërsa ekografia zbuloi një goxha djalë të formuar mirë. Rakida sa s’fluturoi nga gëzimi.
-Si thua? Ta quajmë David? - propozoi pak e turpëruar sikur po i kërkonte një favor, - apo ke ide më të mirë.
Vladimiri as që e kishte menduar emrin e fëmijës.
-Më pëlqen, - i tha, - veç ky Davidi po na mundon gjer të dalë.
Pas tri ditësh priti me padurim të kthehej i shoqi.
-Më shkelmoi Vladimir. Për Zotin! E ndjeva gjallë. - Fytyra i shkëlqente nga emocioni, rrezëllinte e tëra.
-Të dhembi? - deshi ai t’i japë ngjyresë gëzimit.
-Aq sa mezi pres ta ndiej prapë, - tha Rakida.
Erdhën pastaj fizkultura, vrapi nëpër shtëpi, regjimi i ushqimit, vizitat periodike të gjinekologu. Priste e paduruar ditën kur djali më në fund të lindte.
Mirëpo barra zgjat dyzet javë dhe frika e saj nuk reshti kurrë. Muajin e gjashtë asnjë zhvillim. Pauzë e frikshme! Tani, kur organet qenë formohen në miniaturë, vetëm duhej kohë për t’u rritur.
Po Rakida nuk mund të priste.
-Tani s’ka më seks, - i dha ultimatum të shoqit. Ishte në muajn e fundit.
-Lexoje me kujdes, - tha Vladimiri, - mbase i bën mirë fëmijës.
Më në fund u mbushën dyzet javë. Barku i kërcyer tundej kur bariste nëpër shtëpi. Nuk ndodhi asgjë. Çuditërisht asgjë!
-Mos u shqetësoni, - i siguroi një burrë i ri me bluzë të bardhë borë, - më shumë se dhjetë përqind e shtatzanive e kalojnë kohën deri në një javë. Sidomos gratë që presin moshën tënde për fëmijën e parë.
Bluza e bardhë nuk mund ta kuptonte alarmin e tyre të pazakontë.
Kur mbetën vetëm tri ditë dhe shqetësimi i saj mbërriti në zenith, Vladimiri i foli barkut të fryrë.
-Dëgjo bir, s’ke nga mban, hajde dil tani.
Po nënës së ardhshme nuk i bëhej të qeshte.
Të nesërmen e zunë dhimbje të lemerishme. Pasi e vizituan, mjekët erdhën në përfundimin se duhej bërë ndërhyrja cezariane. E detyruar. Fëmija ishte i zhvilluar dhe gruaja nuk mund të kontraktohej mjaftueshëm.
Për arsye të moshës.
Nga karroca që po e shpinte në sallën e operacionit Rakida e zbehtë i tha të shoqit me zë të mekur, sa mezi u dëgjua.
-Nëse operacioni nuk shkon mirë, djalin ta lë të gjithin ty.
Po asaj nuk i ndodhi gjë.
I ndodhi Davidit.
Mes një tymnaje fjalësh, mjekët ia vunë fajin çiftit. Më saktë moshës së Rakidës.
Ndërsa asaj nuk iu la asnjëherë shpirti: Ishte asfiksia. Davidi mund të jetonte, nëse mjekët nuk do ta vononin frymëmarrjen artificiale. Dhe nëse ajo nuk do të qëndronte aq gjatë nën narkozë. Ndoshta dashuria e saj e jashtëzakonshme do ta shpëtonte.
Tani s’kishte as me se të ngushëllohej.
“Të paktën të më mbetshin kujtimet e prekjes.”
Sidoqoftë asgjë nuk kthehej. Davidi mbeti ëndërr e largët. Rakida dyshonte nëse barra qe e vërtetë?! Në qenien e brishtë të gruas strehohej makthi.
Iu rritën flokët, po nuk u kujtua t’i shkurtonte.
-Edhe kështu të rrinë mirë, - i thoshte herë pas here i shoqi, që rrekej të thyente plogështinë. Kishte shenja se Vladimiri po e merrte veten.
Rakida e dëgjonte nëpër mjegull, shoqëruar nga ankthi. Fjalët nuk e qetësonin, as i mpinin dhimbjen. Si mund t’i shpjegonte se i vetmi shpëtim i saj qe arratisja nga njerëzit?!
Gjithçka që kishin tani qe heshtja. Po mësoheshin gradualisht me shumë vështirësi.
Pas ngurrimesh pa fund hapi derën e dhomës ku do të flinte bebi. Krevati i vogël, pelenat e bardha të hekurosura, rrobat e ditëve të para, arushi i kuq; çdo gjë ishte atje, vetëm Davidi jo. Madje s’kishte qenë asnjëherë.
E mbylli derën për të mos e hapur kurrë.
Pasi mori arushin, si një kujtim të asaj që nuk kthehej.
E mërkurë 4 maj 2011
Në Pogradec