| E diele, 08.05.2011, 07:42 PM |
Nga shiu në breshër!
Nga Përparim Kapllani
pkapllani@rogers.com
Po t’i fitojë zgjedhjet Edi Rama, kemi për të rënë nga shiu në breshër.
Shqiptarët e shkretë nuk dinë ku t’ia mbajnë më.
A ka ndonjë politikan shqiptar, të cilit do të mund t’i besonim?
Si nuk i mbaruan pasuritë kësaj të shkrete Shqipëri?
E vodhën, e dogjën, e bastarduan, por ajo prapë atje!
Me lajmin e mëposhtëm, konfirmohet se “Edi Rama, nuk qenkësh e keqja më e vogël e mundshme”,
siç e kisha cilësuar disa ditë më parë, por njëri nga politikanët e korruptuar, të cilit i paska ardhur rradha për t’u ngjitur në piramidën e pushtetit.
Edi Rama dhe Ermelinda Meksi si ministre e Eknomisë duhet të japin shpjegime urgjente para publikut shqiptar për dhënien me qera të kalasë së Lëkurësit deputetit Vangjel Tavo për një afat prej 99 vjetësh. Tavo, siç ka mbiemrin e paska mbushur tavën plot nga Edi Rama. Mjerë shqiptarët e thjeshtë, që ende jetojnë me ndjenjat romantike që u ngjall vendlindja.
O tempora, o mores!
Sipas një lajmi të publikuar në versionin on-line të gazetës “Shekulli” me autore Entela Banin, “deputeti Vangjel Tavo ka depozituar dy padi kundër kryebashkiakut të Gjirokastrës Flamur Bime duke e akuzuar atë për shpifje. Ish-deputeti socialist ka bërë një padi penale për "shpifje për shkak të detyrës" dhe një padi civile në të cilën kërkon dëmshpërblim prej 20 milionë lekësh të reja.”
Kësaj monstre socialiste, nuk i mjaftoka kalaja që e paska marrë për 100 vjet, por dashka edhe dëmshpërblim prej 20 milionë lekësh!!!
Më tej lajmi i shkurtër, por shumë i qartë vazhdon:
“Gjithçka e ka zanafillën në një deklaratë të kryetarit aktual të bashkisë së Gjirokastrës, i cili e ka akuzuar deputetin Tavo se dy ditë para zgjedhjeve të përgjithshme ka përfituar një pronë prej 14 mijë hektarësh dhe se ka qenë kjo arsyeja që ai është larguar nga Partia Socialiste.
Ndërkohë, Tavo në padinë e tij ka treguar një vendim të vitit 1999 në të cilin i jepet kalaja e Lëkurësit me qira për 99 vjet. Dokumenti i treguar nga Tavo është firmosur nga Edi Rama, në pozicionin e ish-ministrit të Kulturës dhe nga Ermelinda Meksi, ish-ministre e Ekonomisë.”
Këto lajme të lënë pa frymë.
A u lejohet deputetëve të zhvasin pasuritë kombëtare?
A ka ndonjë ligj, që u ndalon deputetëve të merren me biznes, gjatë ushtrimit të detyrës të përfaqësuesit të popullit?
Kur do të shpëtojmë nga ky mishmash ku kemi rënë?
Kam frikë se zgjedhjet e 8 Majit do të jenë gënjeshtra e rradhës, që hidhet në sytë e shqiptarëve të thjeshtë.
Për ZSH- Kadri Mani
(etnike@gmail.com)