| E premte, 06.05.2011, 06:57 PM |
Kostaq Duka
  
Njeri
-triptik-
 
 Jo!......
 
Jo qarje,
Jo britma,
Jo klithma,
Jo asgjësim i vetvetes,
Qoftë dhe në çastin kur dhimbja  vlon në pikën më përvëluese.
 
Njeri!
Nëse prej dhimbjes ke dalë në jetë,
Përsëri e përsëri mund të ridalësh,
Duke rikërkuar  rilindje e shpresë paprerë.
Fatalitet?!
 
Diktatorë,
Mashtruesa,
Vampirë,
Mostra-kriminelë,
Shoqëria ka pjellë e ndoshta fatalisht gjithnjë do pjellë....
Ashtu si natyra  tornedo e tërmete nga barku  sheshit vazhdon të nxjerrë.
E megjithatë fundi i botës e shoqërisë mbetet larg
Përsa kohë   flaka e drejtësisë,
Mrekullia rindërtuese e mendjes njerëzore,
Rigjenerohen çdo ditë.
 
 
Njeri !
 
Ti je bota.
Ti me unin tënd.
Brenda teje është edhe  çiltërsia e buzeqeshja  pa njollë e  fëmijës,
Dhe mençuria dhe inati pa zë i plakut,
Dhe mbreti,
Presidenti e parlamenti,
Paqja shëruese dhe ndëshkimi i mostrave dhe diktatorëve.
 
Njeri !
Farën e mirësisë,
Bëje pemë gjigande gjithë hije,
Lirine që e gëzon shpërtheje vullkan vlerash pa fund.
 
Maj 2011.