| E enjte, 05.05.2011, 07:27 PM |
Dibran Demaku
POEZI
ME DHËMBJEN TIME TI IKE
Me dhëmbjen time ti ike
e në mua u ndez fanar i mallit
edhe guri ka pëlcitur tek kënd i zallit
Me dhëmbjen time ti ike
kujtimet u gurëzuan në gur
hijet e ikjes u bënë mur
Me dhëmbjen time ti ike
në bebzat e kallura rigon shi
për një ëndërr të djegur në gji
TË RASH PAS
Të rash pas, moj të rash pas
rrugës kur shkoje për gjimnaz
Popullore
Të rash pas moj shpirti im
as ngadal as me nxitim
Të rash pas po nuk të zura
se kalove larg nga ura
Të rash pas por s`të arrita
se në rrugë kishte shumë prita
Të rash pas në dritë të hënës
të ia ndez një xixë ëndrrës
Të rash pas në dritë të diellit
shkëlqim komete në mes të qiellit
SERENADË
Valë e kthjellët e liqenit
Përqafon brigjet me gëzim
Mollë në kopshtin e Edenit
Serenadë e shpirtit tim
Puhi e lehtë e mbrëmjes verore
Mbi syprinë krahët shtrinë
Kitara ndez zemrat në kraharore
Zgjon një ëndërr për dashurinë
TESTAMENTI
Ne nuk patëm kohë të bënim pasuri
se shekujt kishin uri
Çfarë ndërtonim ditën na rrënohej natën
në besë u premë e fat të keq patëm
Toka e pinte pa mëshirë gjakun tonë
e këngët e zisë tek ne bënin jehone
Me nga një strajcë në qafë e shkonm jetën
me dhëmbë të prishur gërryenim vetëvetën
E fëmijëve si ushqim u zienim gur
e me gurët e zier ndërtonim mur
Ujqit e uritur shqyenin gjithçka me dhëmbë
e ne na dridhej toka nën këmbë
Disa ikën nga sytë-këmbët
veç nga mollët e tharta iu mpinë dhëmbët
Një testament të varfër tash e shkruajmë me zemër
nëpër kohërat-furtunë e ruajtëm në emër
KUSH
Kush i vodhi ëndrrat
Nën qiellin e mjegulluar
Të netëve tona
Të pa gjuma
Kush i këputi filizat
E stinës së re
Në bulim
O kush ngarend
Si kalë i hazdisur
Mbi ballin tonë
Të ngrysur
MINJTË
Në morfologjinë e gjuhës së nënës
të pezmatuara e të shqetësuara rimat
nën rrezet e zbehta tëhënës
minjtë dalin nga vrimat
Lëvrijnë si krimbat nën xhamin e lupës
e na e zgjojnë ndjenjën e krupës
kryefjala e kallëzuesi i shqipes
pëlcasin si kokrra e kripës