| E enjte, 05.05.2011, 07:21 PM |
Vangjush Ziko
ITAKA
Itakën në ëndërr
shikoj çdo mbrëmje.
Avion' i ëndrrës më shpie gjithnjë.
Më tund djep' i vjetër nga krimbi ngrënë
dhe ninanana që nuk ka më zë.
Trokas në portën,që s' është më timja.
Trokas në një derë që vetë e mbylla.
Nga xham' i dritares më sheh imja hije
indiferente ashtu siç sheh mumja.
S' dëgjohet më lehj' e but' e qenushit.
As Penelopa pas veglës nuk rreket.
Zinxhir' i qenushit qyshkur është ndryshkur.
Qilimin dhe gruan i mora me vete.
Djali po thinjet në vend të huaj.
Nipat në gjuhë tjetër mësojnë.
E kam një frikë,më bën të vuaj,
tokën e shenjtë do ta harrojnë.
Në ëndërr shkoj
e vij pa pushim.
Trokas në një derë,që më s' më njeh.
Itakën e mbaj hajmali në shpirt,
në loçkën e zemrës e mbaj atë dhe'.