| E premte, 06.05.2011, 07:57 PM |
Ne Riviera Maya |
Një popull që ka bërë mrekullira…
Nga Keze Kozeta Zylo
Kishim zgjedhur për pushimet e pranverës, një vend pak të njohur në vendin tim, për nga kultura e tij e lashtë sa vetë njerëzimi, Riviera Maya,
Avioni me krahë të brymëzuar nga e ftohta e natës, u nis nga Nju Jorku drejt Miamit dhe ndaloi në vendin e Parajsës në Cancun, në aeroportin ndërkombëtar. Nga dritaret e avionit dukej sikur qielli ishte bashkuar me tokën dhe krijonin një pamje blu të mahnitshme. Duke hedhur supeve mantelin blu me diellin e florinjte udhëtuam drejt Rivierës Maya, në hotelin Princesha, një vend aq mikpritës sa besoj se nuk do të na shlyhet kurrë nga kujtesa. Brenda kësaj Princeshe punonin duke vallëzuar mbi 1000 të punësuar meksikanë, që dukeshin si dhëndurë dhe nuse me kurorë të bardhë.
Ata kanë një rit të lashtë kur punojnë, këndojnë si: “Sa të bekuara janë duartë tona që për çdo ditë pikturojmë, bëjmë skulptura, punojmë”...
Civilizimi Maja solli dhe shkrimin në letër, ashtu si kinezët që e krijuan letrën nga orizi, egjyptianët nga papyrus, kurse Meksikanët nga druri amate.
Tendat pranë ujit mbuloheshin me fibrën e palmave që krijonin një hije të butë si pikturat e Rembrandit mbi trupat e njerëzve me gotën e tekiles në buzë, nje pije karakteristike meksikane. Meksika ka 31 shtete, ndërmjet tyre dhe Quintana Roo, një territor që dëshmon për civilizimin e madh të Majës. Ka më shume se tre dekada që Meksika e ka pozicionuar veten si një nga vendet më të preferuara për udhëtarët, ndaj dhe me të drejtë ata i urojnë turistet: “Mirë se vini në
Quintana Roo ruan kulturën dhe rrënjët e civilizimit “Maya” dhe ka një pasuri të madhe historike. Ka 73 mijë hotele dhe 11 milionë vizitorë, që e furnizon shtetin me 5 billion dollarë çdo vit.
Rëra e bardhë dhe e butë të jepte ndjesinë sikur shkelje në një tapet të mendafshtë. Riviera Maja është një skenë magjike me diell, rërë, det, që kombinohet dhe me plazhet e thata, natyrën e egër, vendet arkeologjike dhe tokën misterioze të nënujshme. Mbi 34 hektarë, 340 mijë metra katrorë ishin mbjellë me një lloj lule ngjyrë lejla dhe nuanca të saj, Red Mangrove (Rhizophora Mangle) ishte një lule që ballanconte ujin e kripur me ujin natyral, si dhe tokën e kripur me tokën e përdorshme.
Civilizimi Maja jo vetëm që adhurohet në shumë mënyra të saj, por sot vihet në përdorim dhe gjen zbatim dhe për shëndetin, dietën me ushqimet natyrale të saj.
Mikpritja e tyre, sjellja gjithë kulturë dhe mirësi të cilët me fjalën përshëndetëse “Hola” (tungjatjeta), kudo dhe kurdo që na takonin ishte si diçka e trashëguar, ishte e ardhur nga rrënja e largët, nga civilizimi Maya, që kishte tronditur botën para Krishtit dhe pas Krishtit, duke i dhuruar globit, matematikanë, shkencëtarë, filozofë, piramida..., që fatkeqësisht shumë prej nesh nuk e kanë studjuar këtë kulturë të lashtë.
I kundroja me dashuri këto vende kaq të bukura, me diell pothuajse tërë vitin, dhe po me aq respekt i përshëndesja vajzat dhe djemtë me ngjyrë të bronxtë që u kishte aq hijeshi shërbimi dhe thjeshtësia e tyre.
Ndonëse këtu ku jetoj në Amerikë një pjesë e tyre (miliona) janë pa dokumentet përkatëse edhe pse jane populli që punojnë më rëndë, por që fatkeqësisht nuk janë të vlerësuar, përsëri kur njeriu i sheh dhe i prek vetë gjërat arrin t’i çmojë dhe të sjellë të vërtetën më realisht. Pikërisht ky kontrast i fuqishëm midis fantazisë dhe reales ndodhi në ndërgjegjen time, sapo preka tokën e Meksikës, atë tokë të bekuar, me histori dhe kulturë aq të lashtë dhe me njerëz qe luftuan për 300 vjet rresht me pushtuesit spanjollë, të cilët rrëmbyen, shkatërruan, zhdukën kulturën dhe gjuhën e tyre..
Nëpërmjet këtij shkrimi shpresoj që të bini në dashuri me civilizimin Maja, një civilizim që solli dije dhe kulturë.
Meksika ose Shtetet e Bashkuara të Meksikës me 31 shtete dhe një Distrikt Federal, është një republikë kushtetuese federale në Amerikën e Veriut. Meksika është e katërmbëdhjeta në botë për nga sipërfaqja dhe vendi i 11-të në botë për nga popullsia, prej 111 milion banorësh. Kryeqytet i Meksikës është Meksiko Siti.
Qyteti i parë në historinë e Amerikës ishte në Meksikë, në Perëndim të gjirit të Meksikës. Arkeologët kanë zbuluar Olmeco, 1200 vjet para Krishtit. Ata punuan mjeshtërisht pa mjetet metalike. Olmekët kishin sistemin e numërimit. Civilizimi i Olmekëve u zgjat më shumë se 1000 vjet. Olmekët ndërtuan tempuj, vende të shenjta.
Kur civilizimi Omec përfundoi u ngrit civilizimi Maya, e cila filloi në Jug të Meksikës dhe Amerikës Qendrore. Civilizimi vazhdoi rrugën e Olmekëve. Civilizimi Maya ishte më i fortë dhe qëndroi nga 250 vjet përpara Krishtit deri në 80 pas vdekjes së Krishtit.
Meksika dhe populli i saj jane bërë të njohur në mbarë botën me
Shume interesante ishin dhe oazet me ujë, (cenotes) dhe simboli i gjarpërit, që nëpërmjet tij tregonin ringjalljen, pasi gjarpëri e jep lëkurën e vet dhe po nga kjo lëkurë del gjarpër i ri. Me lëkurën e gjarpërit ata shpjegojnë dhe vdekjen e njeriut që lë vetëm trupin dhe më vonë ringjallet duke u bërë Zot.
Ndërtimi i piramidës përbëhet nga katër faqe me shkallë që fillojnë nga toka deri në majë. Secila faqe ka 91 shkallë, dmth 364. Platforma sipër tyre përbën shifren 365, numrin kalendarik Maja.
Hyrja kryesore ka maskën e Zotit (Ka-ak) dhe nga tempulli shikon dritaren që mund të vështrosh Perëndimin, Lindjen dhe Jugun, të cilat simbolizojne perëndimin e diellit gjatë stinëve të vitit.
Chichenitza sot është shpallur mrekulli e botës e votuar nga miliona e miliona njerëz në vitin 2007. Kujtdo udhëtari i lind pyetja: pse këto monumente kulture botërore u shpallën kaq vonë si pasuri botërore, pse kjo kulturë u diskriminua kaq shumë? Bukuria e pashoqe e tyre, vizatimet e gdhendura, arkitektura mjeshtërore, ka bërë që të jenë në një nivel me piramidat e Egjyptit, ndoshta dhe më interesante...
Kur lexova datën aq të vonuar të vendosjes si mrekulli botërore të Chichenitzes m’u endën qindra pikëpyetje në tru, përfshirë dhe për vendin tim me histori aq të lashte, ndërkohe m’u kujtua poeti i famshëm meksikan, fitues i disa çmimeve prestigjioze, Jose Emilio Pacheco i cili në poezinë “Natë dhe borë” shkruan:
Dola në dritare/ në vend të oborrit/ gjeta natën të brinjëzuar nga dëbora/ Bora e bën qetësinë ta prekësh me dorë/ Është rrëzimi i dritës, gati fikja/ Bora nuk do të dëshmojë asgjë/ është thjesht një pyetje madhështore që lejon të bien nga qielli/ miliona pikëpyetje të vogla mbi botë.
Nga të gjitha këto miliona pikëpyetje të poetit të famshëm, vetëm njerës i gjeta zgjidhjen se: nje popull që ndërton mrekullira do të admirohet dhe studjohet mrekullisht, ndaj dhe vetëm bota paqësore do të bjere në dashuri të perjetshme me të, ashtu siç rrashë unë me këtë popull gojë ëmbël nga e ka burimin dhe fjala Chi Chen, Itza, që do të thotë fjalë për fjalë, gojë, mirë, popull. Unë vazhdoj akoma të jem nën efektin e magjisë së civilizimit Maya, ndaj kur takova miqtë tanë nga Meksika, Markon i cili është martuar me amerkikanen e mirë Brixhida dhe kanë dy fëmijë si yje, por që Marko vazhdon të jetë pa dokumenta..., ua dhashë në dorë magjinë e Mayas, kalendarin diellor, dhe kur hodhën nga një gotë tekila, meksikani i kulturuar Marko që punon aq rëndë dhe me ndërgjegje, lotoi dhe tha: “Kam mbi 12 vjet që s’e kam parë vendin tim, jam i ndaluar të shkoj, se nuk kam të shkretat dokumenta, por ja zemra më bëhet mal kur dëgjoj se si po rivleresohet kultura e lashtë dhe me tradita të shkëlqyera e Meksikës sime, që ka bërë mrekullira për njerëzimin”...
Botoi gazeta “Shtypi i dites”
23 Prill,
Riviera Maya, Meksikë