Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Robert Goro: Enver Hoxha, e shiti apo nuk e shiti Kosovën

| E marte, 03.05.2011, 07:58 PM |


Enver Hoxha dhe Tito
Enver Hoxha dhe Tito
Enver Hoxha, e shiti apo nuk e shiti Kosovën

 

(Çfarë rezulton nga shfletimi i dokumentave të kohës, por edhe i ditarit Politik të Diktatorit)

 

Nga Robert Goro

 

Opinioni publik shqiptar filloi të tregonte interesim për Kosovën në pranverën e vitit 1981, kur në gazetën e partisë së Punës, “Zëri i Popullit”, u botuan disa artikuj të fuqishëm, që nënshkruheshin me pseudonim, me shkas demonstratat e sipërpërmendura. Midis këtyre reagimeve të fuqishme dhe lajmeve të cunguara e të thata që mediat shtetërore shqiptare përcillnin për zhvillimet në Kosovë, kishte një shpërpjesëtim të madh. Megjithatë, shi për faktin se zhvillimet analizoheshin në faqet e gazetës zyrtare të partisë, Kosova nisi të hynte në jetën e përditshme të shqiptarëve. Të cilët ndërkaq, i përjetonin ngjarjet si diçka që ndodhte në një vend tjetër.

Por edhe hidhërim i i vonuar i Enver Hoxhës, që e kishte shitur, - më saktë e kishte falur, - Kosovën, ende pa përfunduar Lufta e Dytë Botërore, ngjante me atë që e cilësojmë si “lot krokodili”. Dhe reagimet e fuqishme mediatike, të inicuara ndoshta nga vetë Hoxha (në të vërtetë, në “veprat” e tij gjenden tezat e disa artikujve të tillë), më së shumti motivoheshin prej kontradiktave ideologjike midis Tiranës e Beogradit, se sa prej dhimbjes normale njerëzore për bashkatdhetarët që vriteshin e torturoheshin.

 

Në të njëjtën kohë, në Tiranë kishte një grup njerëzish, kryesisht intelektualë, por edhe studentë, të cilëve u dhimbte vërtet shpirti. Falë lidhjeve të ngushta kulturore Tiranë – Prishtinë, që ishin lejuar pas kushtetutës titiste të vitit 1974, intelektualë nga të dy kryeqytetet shkëmbeheshin rregullisht dhe literatura e botuar në Kosovë kalonte në mënyrë konspirative dorë më dorë në Shqipëri. Botimet me siglën e “Rilindjes” shtëpisë botuese shqiptare në Prishtinë, ishin një dritare shumë e vyer që u mundësonte shqiptarëve të Shqipërisë (atyre që u interesonte), të vështronin matanë murit të lartë që kishte ngritur regjimi komunist për t’i ndarë nga bota nënshtetasit e vet. Shumë prej tyre u njohën së pari me Kafkën, Xhojsin, Kamynë, Malaparten, Markesin, Kunderën, etj., falë botimeve që vinin nga Prishtina, të përkthyera përgjithësisht sipas sintaksës serbo-kroatishte, por kjo pak rëndësi kishte: për ne ishte si ta shihnim botën pas një xhami të veshur me një shtresë të lehtë avulli, që krijohej prej hukamës së frymës sonë...

 

Për kosovarët, nga ana tjetër, Shqipëria përbënte dheun amë, sendërtimin e aspiratës shekullore të tyre – historikisht të shtypur por jo të nënshtruar, - për identitet dhe dinjitet kombëtar. Në të vërtetë, Shqipëria zyrtare i kishte braktisur kosovarët për gati gjysmë shekulli. Udhëheqësi i fundit komunist i Shqipërisë komuniste, Ramiz Alia, në një intervistë me autorin e këtij libri, më vonë (tetor 2000), më deklaronte të kundërtën, se “Shqipëria asnjëherë nuk e ka braktisur Kosovën”, por njëkohësisht rrekej të më shpjegonte se “Shqipëria vepronte në ato mundësi që i lejonte edhe situata ndërkombëtare”, pra indirekt pranonte se Tirana komuniste kishte bërë shumë pak, në mos asgjë, për kosovarët:

 

“Gjithmonë krahu kundërshtar e veçanërisht Partia Demokratike, e kanë akuzuar Enver Hoxhën dhe jo vetëm Enver Hoxhën, por të gjithë sistemin socialist, sikur e kanë braktisur Kosovën, sikur Kosovën ia kanë shitur Jugosllavisë, etj., etj. Të gjithë këto janë falco. Shqipëria, qoftë ajo socialiste apo josocialiste, nuk e ka braktisur kurrë Kosovën. Nëqoftëse është fjala për Enver Hoxhën dhe regjimin socialist, unë them që Kosova ka qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes të Enver Hoxhës dhe përgjithësisht të qeverisë shqiptare të asaj kohe, ka qenë në qendër të politikës shqiptare. Nëqoftëse flitej për marrëdhënie të acaruara midis Shqipërisë e Jugosllavisë, gjithmonë këto kanë qenë të acaruara për shkak të Kosovës. Sepse Shqipëria nuk pajtohej asnjëherë me sistemin shtypës të Jugosllavisë mbi Kosovën dhe Shqipëria ka qenë gjithmonë në krah të lëvizjes studentore, apo të lëvizjes popullore kosovare kundër titizmit.

 

Tani, në ç’masë mund të vepronte Shqipëria? Vepronte në atë masë dhe në ato mundësi që i lejonte edhe situata ndërkombëtare në atë kohë.

 

E para: luftë nuk mund t’i bënte Jugosllavisë;

 

e dyta, të ngrinte çështjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara s’e përkrahte askush, jo atëherë, por edhe sot e kësaj dite që Shqipëria konsiderohet tashmë pjesë e aleatëve si SHBA etj., s’po guxon ta ngrejë këtë çështje në Kombet e Bashkuara, pse askush nuk e pranon të ngrihet. Pra, ishte e pamundur një gjë e tillë. Është folur, natyrisht, në OKB, edhe unë kur isha në selinë e OKB-së kam folur në një pjesë të fjalimit tim për Kosovën, por vetëm kaq. Më tepër nuk të lejonte njeri, nuk mundeshe.

 

Dhe e treta, që është dhe më themelore, nuk duhet harruar kurrë që politika është raport interesash. Jugosllavia ishte më shumë interesante për gjithë perëndimin, që nga SHBA e gjithë të tjerët, sepse Jugosllavia u jepte më tepër atyre; Shqipëria nuk u jepte atë që u jepte Jugosllavia dhe interesat politike të perëndimit ndaj Shqipërisë nuk ishin ato që ishin ndaj Jugosllavisë. Prandaj tërë përkrahja e Perëndimit ka qenë për Jugosllavinë dhe në këtë raport, edhe kundër Kosovës. Edhe sot e kësaj dite Perëndimi mban tezën se Kosova duhet të jetë pjesë e Jugosllavisë, megjithëse të tëra pjesët konstituitive të Jugosllavisë u shpallën shtete të pavarura. Pra, a e shikoni se Shqipëria, veçanërisht gjatë kohës socialiste të saj nuk ka pasur asnjë përkrahje, përkundrazi, i ka pasur të tërë kundra lidhur me Kosovën.

 

Do të doja të shtoja dhe diçka tjetër: e tërë politika që është ndjekur nga perëndimi ndaj Shqipërisë, ka qenë e kondicionuar me Kosovën. Sa herë që në Kosovë ka patur lëvizje, aq herë ka patur presione kundër Shqipërisë, që Shqipëria të mos e përkrahte dhe të mos e ndihmonte Kosovën.

 

Në të kundërt, Shqipëria e ka ndihmuar dhe e ka përkrahur Kosovën dhe padyshim kjo ka shkaktuar edhe një reaksion dhe është shprehur në qëndrimin e ftohtë të perëndimit ndaj Shqipërisë.

 

(Nga një intervistë e Ramiz Alisë me autorin, në vitin 2000).

 

Pjesa më e madhe e atyre pak kosovarëve që mundën të vizitonin Shqipërinë gjatë viteve të sundimit komunist, survejoheshin më mënyrë skrupuloze nga agjentët e Sigurimit dhe spiunët ordinerë, që zyrtarisht njiheshin si AGBV (Anëtarë të Grupeve të Bashkëpunimit Vullnetar), ndërsa në zhargonin e popullit thirreshin “80 lekësha”, për shkak të honorarit mujor prej 8 lekësh të reja që merrnin si shpërblim. Shkaku i survejimit qëndronte në faktin se ata, ndonëse ishin shqiptarë dhe asnjëherë nuk i qenë nënshtruar pushtuesit serb, njëkohësisht nuk pushonin së qeni nënshtetas të një vendi “revizionist”, dhe si të tillë, për mentalitetin e regjimit shqiptar, ishin agjentë potencialë të imperializmit! Gjithashtu, ata mund të qenë edhe “bartës të shfaqjeve të huaja” për moralin komunist. Ende pa fituar famën e mëvonshme Rexhep Qosja, diku nga fillimi i viteve 1970-, në gjithë Shqipërinë qarkulloi si anekdotë peripecia e tij në aeroportin e Rinasit: autoritetet policore të aeroportit nuk e lejonin të hynte në territorin shqiptar, nëse ai më parë nuk rruante mjekrën! Anekdota përfundonte me refuzimin e prof. Qosjes dhe largimin e tij vullnetarisht me avionin e parë. Në takimet e pakta me të, nuk kam mundur ta pyes për vërtetësinë e kësaj ndodhie, mirëpo, siç thotë dhe një fjalë e urtë, “ku ka tym, s’është pa zjarr”...

 

Por në qëndrimin e Shqipërisë komuniste ndaj Kosovës dhe kosovarëve, duhet të ketë luajtur rol edhe një parametër tjetër: antikomunizmi i konsoliduar i kosovarëve.

 

Gjatë Luftës së Dytë Botërorore, tentativat e Partisë Komuniste Shqiptare për t’u shtrirë në Kosovë, dështuan edhe për shkak se u penguan sistematikisht nga dy emisarët e Titos, Miladin Popoviçi e Dushan Mogusha, por sidomos pse kosovarët u lidhën fuqishëm me krahun nacionalist, pasi në platformën e tij shihnin mundësinë e bashkimit të natyrshëm me Shqipërinë.

 

Në vitet e pasluftës, kosovarët, tek Lidhja Komuniste e Jugosllavisë shihnin vazhdimin e pushtimit të tyre. Lënia e Kosovës nën Serbi i dha pra një karakter të dyfishtë rezistencës së kosovarëve: edhe kundër mekanizmave të pushtetit të centralizuar, por edhe kundër komunizmit, si ideologji e këtij pushteti. Enver Hoxha, nëse i ka vlerësuar ndonjëherë kosovarët për motivin e parë të rezistencës, me siguri nuk u ka falur atë të dytin, antikomunizmin. Ata kosovarë, që menduan të gjenin shpëtim në Shqipëri pas dy pogromeve të organizuara kundër tyre, më 1956 dhe më 1968, u trajtuan gati si armiq të regjimit, duke i përqëndruar si në një lloj internimi masiv në disa zona rurale, dhe shumë syresh u torturuan e u burgosën si agjentë të UDB-së, policisë së fshehtë jugosllave.

 

Në mënyrë paradoksale, dhe për arsye të pasqaruara, disa kosovarë në diasporë u bënë mbështetës të zjarrtë të Hoxhës dhe të regjimit komunist, dhe po çuditërisht, në disa zona të Kosovës, edhe sot e kësaj dite gjallon një nostalgji e madhe për “bacën Enver”...

 

Gjithë zhvillimet historike pas Luftës së Dytë Botërore, të shpien në konkluzionin se Tirana komuniste asnjëherë nuk u interesua seriozisht për fatin e kosovarëve. Përndryshe, e gjithë kjo periudhë karakterizohet vetëm nga ca reagime pompoze, mediatike, por pa asnjë veprim konkret. Rrjedha e reagimeve anemike ishte parathënë qysh atëherë kur “Shtabi i Përgjithshëm i UNÇL shqiptare iu përgjigj kërkesës (apo urdhërit?, shënim i autorit), të komandës së UNÇL jugosllave, dhe dërgoi duke filluar që nga shtatori 1944 një sërë brigadash partizane e më vonë, në fillim të vitit 1945, gjithë Divizionin e 6-të.

 

Sipas Neol Malkolmit, (Kosova, një histori e shkurtër), në Kosovë u kryen shuma pak luftime dhe në shumicën e qyteteve partizanët hynë pasi ishin larguar nazistët pushtues. Historiografia zyrtare shqiptare e periudhës komuniste thotë se Rrafshi i Dukagjinit dhe Kosova u çliruan prej partizanëve shqiptarë. Por ajo që ka rëndësi është se edhe në kushtet e pjesëmarrjes së trupave të UNÇL shqiptare në luftën për çlirimin e Jugosllavisë, jugosllavët, qofshin partizanë nën komandën e Titos, qofshin çetnikë, vazhdonin qetësisht të masakronin popullsinë shqiptare në Kosovë. Shtabi i Përgjithshëm i UNÇL shqiptare, thjesht sodiste situatën tragjike duke vazhduar trumpetat për vëllazërimin e popullit shqiptar me popujt e Jugosllavisë!

 

Në Historinë e Shqipërisë (botim i vitit 1965, vëllimi i 2-të, faqe 818-820), riprodhohet një raport i Komandës së Korparmatës së Tretë, në mars 1945:

 

“Në Kosovë janë vrarë njerëz nga Ushtria Nacional-Çlirimtare Jugosllave. Në UNÇL jugosllave duket se ka mjaft elementë shovinistë – provokatorë. Një pjesë e madhe e popullit të këtyre anëve është në male. Populli i Kosmetit nuk ka aspak besim në UNÇL Jugosllave... Heqja e flamurit shqiptar nga qytetet e Kosovës dhe Metohisë, vrasja e delegacionit shqiptar që është dërguar nga Shtabi Operativ për marrëveshje..., vrasja e 20 vetëve nga Malësia e Gjakovës, pa asnjë arsye, vrasja në masë në Drenicë, humbja e njerëzve natën, pa i marrë vesh kush, janë shkaqet që revoltojnë për së tepërmi popullin e Kosovës kundër UNÇL Jugosllave. Situata e Kosovës infekton edhe situatën tonë”.

 

Nëse u besohet të dhënave zyrtare të regjimit komunist, në Jugosllavi shkuan 20 mijë luftëtarë të brigadave shqiptare, 600 prej të cilëve nuk u kthyen kurrë më në atdhe. Arsyetimi me internacionalizmin i kontributit shqiptar, duket i pamjaftueshëm. Fakti se Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë shqiptare që kishte në krye Enver Hoxhën, ashtu ai dhe qeveria që u vendos në Tiranë në nëntor 1944, nuk thanë as gjysmë fjale për vrasjet që kryenin jugosllavët, fakti i mosreagimit pra, të shtyn më së shumti në një konkluzion tjetër:

 

Ushtria shqiptare shkoi atje si përbërëse e ushtrisë jugosllave dhe përdorej nga Tito për një test të dyfishtë: së pari për të provuar besnikërinë e Enver Hoxhës, dhe së dyti për të krijuar e thelluar një hendek në mes të shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Shqipërisë.

 

Sipas ministrit të fundit të mbrojtjes të Shqipërisë komuniste, Kiço Mustaqi, ka ekzistuar një plan veprimi luftarak, i përgatitur me qëllim që “në rast situatash të volitshme të ndihmohej ushtarakisht Kosova”.

 

Plani, që ishte hartuar nga zëvendësministrat e mbrojtjes të kohës, Veli Llakaj, Nazar Berberi, Maliq Sadushi, kishte firmën e komandantit të përgjithshëm të forcave të armatosura, Enver Hoxha, dhe mbahej në një kasafortë sekrete në zyrën e ministrit të mbrojtjes. “Brenda në kasafortë, tregon Mustaqi, ndodheshin zarfat me hartat e planizimet, të lidhura me tel e të vulosura me vulë prej dylli. Kur u bë ministër Kadri Hazbiu (1981), e kishim hapur atë kasafortë (unë isha drejtor operativ i Ministrisë së Mbrojtes), e kishim hapur pse dyshohej se mos Mehmet Shehu kishte vënë eksploziv aty”. Mustaqi shprehet i sigurt se deri në vitin 1992, ajo kasafortë nuk ishte hapur kurrë më.

 

Disa hollësi se si lindi ky plan, tregon ish shefi i Shtabit të përgjithshëm të ushtrisë shqiptare, Veli Llakaj. Sipas tij, një ditë Enver Hoxha, në prani edhe të Mehmet Shehut, e kishte pyetur: “Si thoni Ju të Komandës së Përgjithshme dhe të Shtatmadhorisë; mund që të bëjmë një ndërhyrje ushtarake për çlirimin e popullsisë shqiptare në këto treva, për t’i çliruar njëherë e përgjithmonë nga thundra fashiste, ashtu siç ndërhymë edhe gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare?”. “Plani u përgatit me shumë kujdes, brenda afateve të përcaktuara dhe iu dorëzua Enverit, iu raportua një për një. Dhe ai e miratoi me disa vërejtje”, ka thënë shumë vite më vonë gjenerali pensionit Llakaj në një intervistë për gazetën e Prishtinës “Epoka e Re”.

 

Një shfletim i librit me pjesë për Kosovën nga ditari politik i Enver Hoxhës, përforcon bindjen se Shqipëria komuniste nuk e kreu as formalisht obligimin e saj për Kosovën. Përkundrazi, në rreshtat e atij ditari, që çuditërisht fillon në vitin 1963, vërehet tendenca që reagimet e rralla ndaj raprezaljeve të jenë sa më të kujdesshme duke i mëshuar idesë se Shqipëria “nuk përzihet në punët e brendshme të Jugosllavisë”, se “çështja e Kosovës është një çështje e brendshme e Jugosllavisë”. Duket se Enver Hoxhën, më shumë se fati i Kosovës e i kosovarëve, në ato momente e preokupon fati i tij dhe përfitimi eventual që ai vetë (dhe kauza e tij) mund të ketë nga zhvillimet në Kosovë. “Dëgjojmë të flitet për një republikë të Kosovës. Kosovarët patriotë e revolucionarë, në këto momente duhet të tregohen shumë të kujdesshëm ndaj revizionistëve titistë, të cilët mund të luajnë edhe kartën e krijimit gjoja të një “republike shqiptare kosovare” në vend të “krahinës autonome”..., për të shtypur më mirë luftën çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës dhe për të luftuar RP të Shqipërisë. kjo e ashtuquajtur republikë... e kurdisur nga titistët mund të bëhet qendra e reaksionit kosovar dhe e të arratisurve fashistë e kriminelë lufte shqiptarë që gjenden në Europë e SHBA. Në këtë kurth nuk duhet të bien shqiptarët e Kosovës”, (1 gusht 1966).

 

Në shënimet dhe “refleksionet” e Enver Hoxhës, ku shpeshherë njeri paragraf kundërshton tjetrin, dallohet qartë fryma paternaliste që ai don t’u injektojë kosovarëve, por edhe kjo tentohet të bëhet me një arsyetim dogmatik, ku kuptohet fare lehtë se interesimi i tij për Kosovën rrok vetëm aspektin e shndrrimit të kosovarëve në skalione të PPSH-së:

 

“Populli i Kosovës duhet ta kuptojë në mënyrë të qartë se RP e Shqipërisë nuk mund ta atakojë ose ta sulmojë Jugosllavinë. Në qoftë se Jugosllavia atakon Shqipërinë, qi është problem tjetër. Shqipëria do të mbrohet, do të luftojë dhe do të fitojë. Atëherë edhe problemi i Kosovës do të vihet krejt ndryshe.

 

Ekzistenca e RP të Shqipërisë, e fortë, e lirë dhe sovrane, është një fitore e madhe për popullin e Kosovës dhe luftën tonë kundër titizmit. Ata duhet ta konsiderojnë atë një ndihmë të rëndësishme për ta, të ndjekin zhvillimin e saj me kujdes dhe të mësojnë prej saj, të kuptojnë nga rruga e partisë sonë ç’do të thotë politikë e drejtë dhe luftë e drejtë. Ndryshe, ata do të gabojnë, do të ecin me iluzione dhe do të bien nën goditjen e reaksionit titist”. (19 shtator 1966).

 

Shumë prej kosovarëve që gjatë viteve të komunizmit erdhën në Shqipëri për t’iu shpëtuar raprezaljeve sistematike të regjimit titist, u persekutuan, u burgosën e u vranë, të akuzuar si agjentë të UDB-së jugosllave. Nga dëshmitë e shumta të publikuara në shtypin shqiptar pas vitit 1990, rezulton se akuzat kundër tyre bazoheshin në informatat e agjentëve të zbulimit shqiptar në Kosovë e gjetkë në Jugosllavi. Mirëpo, edhe për këtë, pra për praninë e agjentëve të zbulimit shqiptar, ditari politik i Enver Hoxhës krijon pikëpyetje të mëdha.

 

Supozohet se Jugosllavia dhe gjegjësisht Kosova, përbënin një nga pikat më të organizuara të zbulimit shqiptar. Mirëpo, po t’i besohet asaj çka shkruan Enver Hoxha për demonstratat e pranverës 1981 në Kosovë, aty nuk kishte as edhe një agjent. Gjithë informacionin që përdor në shënimet e veta, Enveri ia atribuon agjencive të lajmeve. “Nga njoftimet që japin agjencitë e huaja...”, “Siç bëjnë të ditur agjencitë e huaja...”, “Siç thonë këto agjenci...”, “Thuhet gjithashtu se u arrestuan dhjetra studentë...”, “Thuhet se studentët janë ankuar kundër gjendjes së mjeruar ushqimore...”, “Siç thuhet, studentët thërritnin ‘Duam liri!’, ‘Duam Kosova të bëhet Republikë!’...

 

Por ka edhe fjali të tilla: “Sa dëgjojmë e mësojmë nga infomacionet e agjencive të huaja të lajmeve, radio e televizioni huaj, pse ne nuk kemi fare gisht në këtë punë, në këtë çështje ka pasur organizim të dobët”.

 

Butaforia arrin kulmin në një shënim të shkurtër më datën 4 prill 1981:

 

"Titistët" sillen egër me demonstruesit kosovarë

 

Dje në mëngjes, në 3 prill, u kthyem nga Vlora me Nexhmijen dhe fëmijtë. Ngjarjet në Kosovë më kanë preokupuar e më kanë shqetësuar shumë, pse titistët e poshtër jugosllavë, sipas lajmeve të agjencive kanë sulmuar me mjetet më të egra popullin dhe studentët që në mënyrë paqësore kërkonin përmirësimin e konditave të tyre të jetesës dhe statusin e republikës për Kosovën, në kuadrin e Federatës Jugosllave”.

 

Një ditë më vonë, Enver Hoxha thërret Byronë Politike ku “të gjithë shokët ishin dakord me propozimin që bëra për të shkruar një artikull të rreptë kundër dhunës së serbomedhenjve jugosllavë ndaj popullit e studentëve kosovarë”.

 

I gjithë reagimi i Tiranës përmblidhej në disa artikuj që vetë Enveri i cilësonte si të “matur”; Shqipëria madje nuk bëri as edhe një protestë zyrtare formale për bashkëkombasit e vrarë, të torturuar e të dhunuar. “Vetë Dolanci, gjatë konferencës së shtypit, kur një gazetar e pyeti “A ka gisht Shqipëria”, u përgjigj “Jo” dhe shtoi: “Nga Shqipëria nuk ka ardhur ndonjë protestë”. Kjo vërteton se “fajtori” priste një protestë. Por qeveria shqiptare nuk bëri protestë zyrtare”. (???)

 

Që t’i kthehemi planit për ndërhyrje ushtarake në Kosovë, është e qartë se kushdo që ka dy pare mend në kokë, e pranon se një ndërhyrje ushtarakje do të ishte një aventurë veëtvrasëse. Aq më tepër që ideologjia komuniste të cilës me aq dogmatizëm Enver Hoxha i qëndronte besnike, nuk i lejonte luftërat invaduese. Proporcioni i forcave ushtarake në Ballkan dhe konjukturat politike ndërkombëtare ishin të tilla që do ta detyronin Shqipërinë, në rast të ndërmarrjes së aventurës, të mbetej jo thjesht e vetme, por të gllabërohej në çast.

 

Në këtë pikë, Enver Hoxha kishte të drejtë kur thoshte se “Ne nuk e sulmojmë Jugosllavinë, po të na sulmojë ajo, atëherë do të luftojmë...”. mirëpo, kur themi se Shqipëria nuk e kreu obligimin e vet ndaj Kosovës, nuk kemi parasysh ndërhyrjen ushtarake. Më së shumti qëndrimi i atëhershëm shqiptar ndaj Kosovës, ballafaquar dhe me dokumentet e pakta e për mendimin tim jo fort të besueshme, rezulton të jetë hipokrit. Duket se Enver Hoxha më së shumti fliste për Kosovën jo që t’u jepte kurajë kosovarëve apo të paralajmëronte apo “qortonte” Beogradin, por që t’i priste vrullin ndonjë “guximtari” eventual në udhëheqjen e lartë shqiptare. Këto sigurisht, janë hamendje, por toni pasiv, këmbëgulja për të dëshmuar se “Shqipëria nuk ka gisht në Kosovë”, mungesa (siç rezulton nga vetë shkrimet e Enver Hoxhës) e strukturave agjenturore shqiptare në Kosovë, në mos gjë tjetër, të krijojnë përshtypjen se shteti i atëhershëm shqiptar nuk kishte një platformë të detajuar për Kosovën dhe për gjithë shqiptarët në ish-Jugosllavi, ku të shprehej konkretisht interesimi për më shumë se dy milionë bashkëkombasit që nëpërkëmbeshin sa herë i donte qejfi Beogradit. Kjo përshtypje mund të mos qëndrojë vetëm nëse faktet që serviren në shënimet e Enver Hoxhës janë të sajuara, kushdi për çfarë qëllimesh.

 

Një ish diplomat shqiptar me karrierë në përfaqësinë diplomatike të Tiranës komuniste në Beograd, thekson se “Shqipëria nuk u ngut dhe nuk u tregua agresive, qoftë edhe në propagandën kombëtare, sepse do ta kishte dëmtuar rëndë çështjen kombëtare. Ajo i shkoi parimit se shkallët ngjiten një e nga një, ndryshe çdo aventurë do t’i kishte harxhet e mëdha”. Edhe ky opsion mund të respektohet, mirëpo, nëse ecej me filozofinë e “ngjitjes së shkallëve një nga një”, Kosovës do t’i duhej të priste edhe një dyzetë vite të tjerë, pas 1990-s.

 

Përgjithësisht, lëvizjet irredentiste gjithmonë janë manipuluar e mbështetur nga një fuqi e jashtme. Kosovës, gjatë më shmë se një shekulli, deri në vitin 1999, gjithçka iu desh ta përballonte e vetme. Shqipëria, e cila pas Luftës së Dytë Botërore fitoi statusin e një vendi sovran, (megjithë varësinë konjukturale që provoi nëpër vite nga Jugosllavia, Bashkimi Sovjetik dhe Kina), ishte një shtet anëtar i OKB-së. Pas prishjes me Jugosllavinë, që më së shumti u bë për hatër të “Baba Stalinit”, Shqipëria i kishte të gjitha mundësitë ta ngrinte zërin, por edhe t’i ndihmonte konkretisht kosovarët në përpjekjet e tyre për të përballuar raprezaljen serbe. Një gjë e tillë, jo vetëm që nuk ndodhi, por Jugosllavia, deri në vitin 1990 ishte partneri kryesor tregtar i Shqipërisë.

 

Shqipëria komuniste, që shpenzonte miliona dollarë nga financat modeste të vendit, për të financuar gjithfarë “partiçkash” marksiste-leniniste deri në skajin më të largët të botës, që sponsorizonte grupe terroriste e guerrile për t’u stërvitur në Shqipëri, në të njëjtën kohë nuk respektonte as obligimin moral që të ndërkombëtarizonte çështjen e Kosovës, as më 1956, as më 1968 e as më 1981. Lehtësisht kupton ndokush se ç’dëm i madh i bëhej çështjes kosovare, kur nga dheu amë nuk dëgjohej kurrë zëri i solidaritetit dhe i inkurajimit.

 

Si përfundim, gjatë gjithë viteve të sundimit komunist, Shqipëria zyrtare nuk mund të akuzohet se nuk bëri të pamundurën për Kosovën, ajo nuk bëri as atë që mundej e që duhej të bënte. Dhe ca më keq, nëpërmjet persekutimit selektiv që ushtroi mbi mijëra kosovarët e ardhur në Shqipëri në ato vite, krijoi një ndarje midis kosovarëve të ardhur dhe shqiptarëve vendas, ndarje që doli në pah më së miri me ardhjen e demokracisë dhe që për fat të mirë u zvogëlua (por nuk u shuajt krejt), gjatë krizës humanitare që shkaktoi lufta në Kosovë, kur mijëra kosovarë u strehuan në banesat e qytetarëve të Shqipërisë.

 

(Fragment nga libri në proces “Kosova, një lindje e vonuar”)

07 Prill 2011 / Gazeta Tribuna / Zgjodhi për ZSH: Baki Ymeri