| E enjte, 28.04.2011, 07:57 PM |
Garë idesh, jo retorikë ideologjike...!
Nga Agim Vuniqi
Meqë zgjedhjet lokale në Shqipëri janë në prag atëherë aty po fokusohet vëmendja e shqiptarëve më shumë..., por njëkohësisht u dëshpëruan kur kuptuan se shqiptarët në Maqedoni nuk u dakorduan për një bllok të përbashkët partiak, dhe krejt çuditërisht gjetën gjuhë të përbashkët BDI-ja dhe partitë boshnjake, asgjë e keqe, e keqja është pse shqiptarët nuk po mund të kuptohen shqip...
Fushata zgjedhore nuk është aq shumë kreative.., atmosferë pikniku në qytetin e Tiranës dhe takim me bashkëqytetarë, zakonisht kamerat përqëndrohen në dy protagonistët kryesor Ramën, i cili është lider i PS-së dhe kryebashkiak i Tiranës, i cili flet bukur për spektatorët, ndërsa as që shikon në bashkëbiseduesit - votues "të rastit", as që e ndien afërsinë e tyre.., athua ndihen ata të ofenduar(?)... dhe Bashën i cili ka vokabularin politik të pasur por edhe të zëshëm, ka marrë “yrnek” kryetarin e PD-së dhe kryeministrin shqiptar; shpesh kur i dëgjoj ata në televizion më duhet të vrapoj pas telekomandës për ulje zëri, për të mos trazuar fqinjin që banon afër meje, pasi ai edhe pse nuk flet shqip, e kupton vokalin e lart, të ishte këndim disi do të kaloja pa u kritikuar...
Nuk di pse ata nuk hapin iniciativa të reja si: iniciativa për miratimin dhe ndryshimin e rregullave dhe ligjeve të përgjithshme në juridiksionin e Bashkisë; iniciativa për ndërtimin, mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin e rrugëve lokale dhe objekteve tjera bashkiake dhe mënyra e sigurimit të mjeteve financiare për këtë qëllim; iniciativa të reja për rregullimin e vendbanimeve, ruajtjen e pastërtisë së rrugëve, rregullimin dhe mirëmbajtjen e gjelbërimit ; ruajtjen e përmirësimin e mjedisit jetësor; iniciativa për ndarjen mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin e lokaleve afariste të cilat janë në përdorimin e komunitetit lokal; përmbushjen e nevojave dhe interesave në fushën e mbrojtjes civile; organizimin e akcioneve humanitare për shfrytëzuesit e asistencës sociale dhe kategoritë tjera sociale të qytetarëve; realizimin e nevojave të përbashkëta në fushën e kulturës, të kulturës fizike, organizimi i ngjarjeve kulturore dhe sportive...etj.
Është pra e rëndësishme që në ketë periudhë klasa politike aktuale shqiptare dhe te gjithë ata politikanë që aspirojnë në te, të krijojnë identitetin e tyre te pavarur ideologjik, qytetarëve nuk u duhen ideologjizma e tyre, ata kanë nevojë për një jetë normale dhe të dinjitetshme.
Edhe Kosovën po e “lëkund” koalicioni i dy partive politike në koalicion, njëra e madhe, tjetra më e vogël, plus përfituesit e çelësit “diskriminim pozitiv”; nuk arritën të promovojnë bashkërisht ofertën e tyre të qartë. Kriticizmi i bazuar kundër koalicionit qeverisës për mosprojektimin e planit qeveritar, të përmbledhur në një program masash me prioritete po bëhet disi i pranueshëm, por mosshpalosja e ofertës kundërshtuese të opozitës për votuesit se cili do të jetë koncepti qeverisës më i ndryshëm se i tashmi, po mbetet i mangët. Nëse mendohet që qeverisja ndryshon me vetëm ndërrimin e mandatarit, atëherë votuesit nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të largohet nga kutitë e votimit.
Është e vërtetë se me ministrat me të cilët po qeveriset nuk do të arrihet ndonjë sukses, përkundrazi situata po përkeqësohet, meqë akoma po përflitet për afera korruptive, por edhe në mungesë të mjeteve buxhetore. Mendoj se karta e vetme që u mbetet deputetëve pozitë e opozitë është ajo e bashkëpunimit “bipartizan” me të gjitha subjektet politike dhe kujdesi për një qeverisje më kredibile, e pajisur jo me “grada shkencore” sa me një biografi joshëse të punës profesionale.
Patjetër duhet të ndryshojë edhe retorika politike, në atë mënyrë që ka të bëj me hetimin e fenomeneve, proceseve dhe problemeve, të tilla si bruto produkti kombëtarë, të ardhurat, konsumi, kursimet, investimet, zhvillimi ekonomik, reproduksioni, bilanci i pagesave, lëvizjet ciklike të ekonomisë, të buxhetit, politika monetare dhe fiskale, punësimi, inflacioni, etj. Pra këshilltarët e kryeministrit dhe ministrave përreth, por edhe anëtarët tjerë të rrethit të ngushtë të kryesisë, duhet më tepër të merren me probleme praktike, si mënyra e funkcionimit dhe menaxhimi i ekonomisë si tërësi, në tërë hapësirën e Kosovës.
Meqë vendi po çalon nga dobësitë e shumta, premtimet e tepruara do të kthehen si bumerang, pra shumë më tepër qytetari ka nevojë të dëgjojë tregimin e shtetit për një siguri më të madhe, për masat e parandalimit të krimit të organizuar, me një fjalë për shtrirjen e normalitetit institucional, jo si ato për rrahjen e qytetarëve, zvarritjen e dorëheqjes së kryetarëve të dënuar komunal “kauboj” (edhe pse u dëshmuan provat faktike brenda ndërtesës së gjykatës, gjë që po zbeh bindjen e qytetarëve se institucionet demokratike janë duke e bërë punën e tyre), zgjatja kaq e tepërt e përbuzjes institucionale të “institucionalistëve” po rritë skepticimin se në akte të tillë është përfshirë vet partia politike, meqenëse përgjegjësia e drejtpërdrejt është shumë e qartë.
Sa veta janë të implikuar apo e tërë kryesia partiake mund t’i ketë përmasat e spekulimit, por se është skandal i madh me përmasa të gjëra-është! që ngritë dyshimin në paaftësinë edhe të institucionit më të rëndësishëm shtetëror - qeverisë dhe kryeministrit.