Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vullnet Mato: Këndoi qyqja e kujtesës

| E merkure, 27.04.2011, 06:48 PM |


Vullnet Mato

 

KËNDOI QYQJA E KUJTESËS

 

Në degët e mendjes,

qyqja kujtesës,

më këndoi sot

baladën e pikëllimit.   

E godita me gurin e zi

të harresës,

inatosur me të

në kulmin e zemërimit.

 

Zbova këngën

e vajtimit ndjellakeq,

për vrasësin e pabesë

të mirënjohjes për mua.

Qyqja erdhi rrotull

me baladën në sqep

dhe i dhashë prapë

përgjigjen e arsyetuar:

 

Shko te porta e mikut,

shkelës të besës,

vajto braktisjen e tij

nga miqtë e kësaj bote,

se nuk i kam borxh

asnjë mirësi tjetër,

atij qyqari të zhytur

deri te fyti në borxhe...