| E marte, 26.04.2011, 06:48 PM |
Nafi ÇEGRANI
(Poezi të zgjedhura)
SYTË SI DETI BLU
Në ujëvarë dritash ma lave shpirtin
dhe tash trupit i vie erë bari
zjarrit i frikësohem kur lë hirin
dhe e djeg kujtesën malli
në sytë e tu loz dielli im
me zefirët e stinës ëndërrake
për diell njëmijë këngë u kënduan
e kurrë s’u mbajt festival
edhe pse zëri është shteruar
në sytë e tu loz dielli im
lirikat e dashurisë mbetën vargan
vetëm në altarin e shpresave
mikesha ime që ke emër dardan!
Emrin t’a shkruajta në gurë
dhe e luta Zotin:
- T’u bëfsha burrë…!
E ty grua dhe aromë,
si në baladë e gjallë
si nur...
EKSTAZË MALLI
Në buzët e vashës së mirë
shkrihem si pika e vesës
I etur dhe i dehur nis udhëtimin
derisa e mësoj këngën
balada për pikën e lotit më merrë
e vonë ma kthen buzëqeshjen e ngrirë
le të më gjejë të shkrirë dita
përmbi ato buzë që ëndërrohen prore
plot aromë trëndafili
mall i bekuar
në krahët
e mjellmës së bardhë….
Përtej kufijve të kësaj stine
në buzë u linde.
PRAPË PËR DASHURINË
Bukurinë e kallë në flakë dashurie
këngën e shndërron në melodi baritore
cili di të dashurojë më mirë se unë
Kazanovë e këtyre anëve…
mbretëreshë kërkova
e kurrë s’gjeta mbretëreshë
askush zjarrin s’e fiku
se më dashuroi baresha
medet çfarë dashurie pati
vetëm unë, Kazanova e di
tash jam fikalli me kujtimin
bëjmë roje për dashurinë
dhe jetën që na ka mbetur
Ah, Kazanovë!
Prore jam dashnori yt
në kullën e Babilonit
ty Kazanovë sy zjarri
Unë kalorës
I udhëve të gjata
epos i kësaj toke...
E IMJA LULEBORË
Unë u bëra diell mbi shkrepa
ti u bërë hije malesh
kurorë
- e imja luleborë
vullkanet s’mund të rrafshohen
para hapit të ndarjes
me ty, shpirti tim
unë u bëra puhi magjepse
ti u bëre barrë përjetësie
në syrin e ngrirë
me flokët e tua të zeza korb
truallit i thurrë kurorë
prej guri xhevahir…
- e imja luleborë
KUJTIMET I ÇOVA DIKU
Kujtimet i çova nëpër lugje të verdha,
s’dua të ndjell pikëllimin kob të zi.
Në pellgje i zbrazën varre të thella
dhe bekimin tënd ma vodhën përsëri.
Loti i nxehtë shkëputet nga qepalla
dhe vdes i harruar si gjethi në vjeshtë.
Klithmat përgjaken mes buzëve të vrara,
çuditem që gjëma paska filluar të heshtë!
Ulet mbrëmja përmallshëm sonte
e dhëmbja fiket si gaca brenda fikut
nuk kundërmon më erë korriku
Brenda gjolit hënës i prishet bukuria
çfarë mëkati bënë hajnat sot
zanave u dhurova vargjet e mia
Dhe derdha një det lotë
puhia e muzgjeve
kallë vargun në gji
Marigona mbeti vejushë
loti i mbeti zvarrë në sy…
GURI I ZOGUT
Një klithmë engjëllore shpërthen
aq vrullshëm si rrëke përroskash
dhe përplas kepat e legjendës
në krua gurgullon fjala
si çdoherë e mot kalamendet jeta
nëpër udhë e shtigje të gjata
malli është sa mali i Sharrit
loti sa guri i zogut
sa kreshta e shekujve
malesorët kanë ruajtur virtytin
malësorka dashurinë pa lajka
prore e mba në përqafim
ndër brezni lind shikimi
dhe puthjet nektar luleje
bukuri hyjnore në kërthiza
sërisht nën qepallën e dëndur
hiqet loti mal
sytë e saj shejtërojnë nën tempull
në altarin e legjendës
lindin edhe një mijë dashuri
mbi bjeshkën lehonë
brezat janë të fortë
brezat që vejnë e vijnë!
Ndaj Shekulli bëri vetëvrasje
për ditën e nesërme
bulojnë prore malet e shtogut
atje këndohet elegji
te Guri i Zogut
lind një dashuri -
në tokën e Eposit
këndojnë Zanat
qanë Ajkuna, qanë
për kalorësin e saj
në Lugje të Verdha
zhvishen shpatat cullak
dhe nis dyluftimi
kreshnikët janë gati.
DUKE PUTHUR DIELLIN TËND
- poeteshës korçare -
Në qytetin tënd qielli është i kaltër
ka fruta degë e ullirit
pranë teje erdha
dhe putha diellin tënd
me një buzëqeshje të kulluar
e lava vargun e bardhë
më tha:
- Diellin zgjodha dashnor
vargu yt m’u bë kulm qielli
malli e zjarri më mori
gjaku u trazua buzëmbrëmjes
përsëri pushova te ulliri
duke puthur diellin tënd
nata m’iku si në ëndërr
u bëre gjeth vjeshte
dhe ike sikur flutur
lum ai që pret pranverën
dhe një flutur të bardhë
në blerimin e ëndërruar
me hijen e erës
aromë serenate
Buzët tua të gufuara
në puthjen e engjëllit
dhe një ëndërr
mbi qiellin blu
diell me agun
që lind dashuri!
SY SHARRI
Pse ma more guximin
Perandor
sytë tash kanë humbur shkëlqimin
Perandor
çfarë gjaku ke
ngjyra e kuqlimtë të mungon
Perandor
bano në vetminë tënde
kështjella hijerëndë të takon ty
përballë murlanesh
Perandor
unë bëj jetën time
kurrë se pëlqej fronin e rrejshëm
perandori bolshevike
që ha sytë e Sharrit
sërish lindin prore
Sharrian dhe Sharriza…
SHQIPONJAT FLUTUROJNË LART
Në stinë shekujsh
në kohën e krizës moderne
njerëzit vuajnë nga gandomania
vetëm njerëz përplasur në shkëmbenj
harrojnë të jetojnë përjetësinë
duke shpalle fajtor
- janë gjyqe koti,
një mjegull bie mbi pullaze
ne pleqërojmë ditët nëpër biruca
në ferr për së gjalli
kuvendojmë me retë zibardha
harrojmë të hapërojmë stinët e çala
në vite të humbura
kush ka faj, zgjim i vonë
e nuk po e kuptojmë dhembjen në damarë
- vetëm pse jemi lindur shqiptarë…
Shekujt e nemur ikin zinxhirë
dhe shtatë breza kuvendojnë
me malet mbi male
vashat nusërojnë me hijen
e shqiponjat lartë fluturojnë
mbi Fushë Gjuricë dhe Tropojë
në qiellin mbi Radikë.
ose Vjosë ujëvarë
- Çamëri e bardhë!
GJURMË E FRENGJI
njëmijë shekuj u kalamendën
dhe njerëzit vrapuan kah dielli
gjurmët mbetën në brigje
hije mali në faqe.
njëmijë rrudha i pranoi për banim balli
zjarri e dogji e hiri e mbuloi
dielli u mbeti në shuplakë
si topth zjarri -
ndërtuan kulla me gurët e rrënojave
prapë u falën për prag e frengji
baballarët që lanë gjurmë
në tëbana e gurë -
njëmijë vjet i mbuloi shtërngata
e kurrë mundjen s’e pranuan
lexuan hieroglifet e ekzistimit
si në baladë odash -
lum ata që i bën vend vetes mbi dhe
dhe lanë gjurmë për breza
që lindin në fundshekull përsëri
për një të re betejë jete…
NË KULLËN E GJYSHIT
Një shtëpi prej guri
diç e vogël, diç e madhe
me pullaz me kashtë thekre
pa oxhak
frynte erë, hidhte valle
mbi një gjeth, shtrirë në jatak
natë makbethiane
se ç’u lindën vetëm dy hije
dhe u rritën plot me halle
dhe u zhdukën në do korije…
mbeti pikturë në fytyrë
dhe shpesh nata tinëzisht
tek sheh veten në pasqyrë
zë ngërdheshet tmerrësisht
dhe mbi eshtrat e moteve
me shumë mallë dy hije zgjaten
kur curkojnë përrockat e lotëve
dy varre vetvetiu hapen…
kapi kepin e puth në ballë
guri gurit ia fal me mall
ndër livadhet e kositura
shpati shpatit ia fal barin
puhinë aromë bri malit
hije ere psherëtimë
puthje engjëlli
dhe vlagë dheu
hije shkëmbi grinë
një kohë shpërthen
gjyshi im mbërdhinë...
* * *
sikur të nisesh vetmitar
në udhetimin e pafund
merri gjitha brengat
dhe fjalën e fundit
për dashuri njeriu
mjafton të mbetesh me emër Ti
dhe Unë…
O njeri i mirë
me brengën
që ke në gji!
PËRMALLIMI
Të flas për gjithë historinë
e fjalëve
ti thua ku banon harrimi
çfarë të bëjmë në udhëkryq
të përshëndetemi
apo të ndahemi pa lamtumirë
edhe nëse mbulohemi me harresë
historianët do të shkruajnë
kronikë për ne…
legjendë themelesh
në kthiza
që ruan kujtimin
mbi pullaze përmallimi
harresë kurorë
varur në shtiza
baladë kreshnikësh
si vlaga e lugjeve
të verdha epike!