Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Çlirim Uça: Lisi

| E marte, 26.04.2011, 07:55 PM |


Çlirim Uça

 

LISI

 

I falem kunorës tande të bukur,

që na sjell të malit freskì

e aromë lule bjeshkësh,

e porsi shqiponjë

roje shekullore na rri përmbì.

 

I falem qendresës tande

përballë furtunave,

që me vete sjellin

kafshë shkretinore,

që pa s’i kishim as n’kopështin zoologjik,

me hungurima “h”-shë të pafund,

leshnat postaqì,

erë trupi të zhigatun

në barkun e kalit të djersitun.

 

Kafshët duen të më hanë,

mue, zotin tand,

të birin e t`atit dhe t`amës

që mbjellë të kanë

e pranë teje me lanë

shpresë për të ardhmen,

roja dhe nderi yt,

e që n’ gjuhën time të bukur

të këndoj për ty kangë dashunie

kur qielli,

i kthjelltë si loti,

të më ndezë frymëzimin,

e kangë kreshnike

kur moti sjell fortunë

që degët do të t’i shqyjë

e trungun të ta shkulë.

 

Dhe kështu,

unë me kangë,

ti me fishkëllima,

të thurim ballada

për kohën e pabesë

që do

rrajët t’na i nxjerrë.

 

Po vdiqa unë

dhimbjen mbaje në shpirt

e fishkëllimën mos e ndal

deri sa

një brez i ri

luftëtarësh

të lindë.