| E marte, 26.04.2011, 07:58 PM |
KUR LIDHET JETA ME NJË INJORANT
(Fati tragjik i një nusje. Tregim i jetuem, por me personazhe të trillueme)
Nga Selim M. Hasanaj
Redaktor, Revista Drini
Kur u hap fjala se u fejue djali i Halilëve, patën ba çudi i tanë katundi. Do të ketë fejue ndonjë zhagutë, thonte njeni, ndonjë vajzë me të meta, thonte tjetri, besa mos kanë dhanë mësitni, se a e keni pa, i kanë shitë të gjitha lopët e kuajt, thonin të tjerët. Këto thashethame të bashkfshatarëve qarkullonin thjeshtë në fantazinë e secilit, kurse e vërteta ishte se Jakupi, ai teveqeli, kishte fejue një vajzë të bukur e nga familje e mirë, e ndershme dhe punëtore.
Haliltë ishin të çuditshëm: një familje që kishte pasë gjithmonë problem me fejue e martue mashkujt, por për mrekulli, kur gjenin nuse për djemt, i gjenin të mira e të bukura si perri, si thotë populli.
Ylberi, axha i Jakupit e vëllaj i Halilit, kishte pasë dy gra. Te dyjat i kishte martue mbasi i kishin vdekë vëllaznit dhe ai merrte gratë e tyne. Asht sevap, thonte Ylberi, me i dalë "zot" robit të shtëpisë nese i vdes burri.
Disa e ngacmonin Ylberin dhe i thonin:
Halili hoq keq derisa gjet vajza për të fejue djemët, Haxhen e Alkun. Kurse, ja, tash fejon Jakupin me një bukuroshe që nuk kishte shoqen. Kjo i befasoi të gjithë, prandaj ajo fejesë u ba temë thashethamesh në fshat.
Si ishte zakon, prej fejesë e deri te dita e martesës kalonte bukur kohë. Duhej ba qejzi, si i thonin pajës së nusës në ato anë e në atë kohë.
Mbas dy vjetësh ndajnë vaden dhe caktojnë ditën e dasmes. Thërrasin miq e dashamirë, e mbi traktor me rimorkio, mbushë përplot me krushq, e tue ngritë pluhun deri në qiell, shkuen nga fshati Kroni i Kishës deri në Lugdri dhe sollen nuse Zejnepen për Jakupin e Halilëve.
Kur zbriti nusja nga makina me duvak në krye, të pranishmit mbetën gojëhapë: një bukuri përrallore! Ata që kishin thashethemue për te ma shumë, ulën kryet, sikur donin të shprehnin pendesën për çka kishin përgojue. Epo, thonin të tjerët, s’asht kot ajo fjala e urtë: Lindsh i keq e me fat të mbarë.
Jakup torollaku kishte hipë në nji man dhe prej atje shqyente sytë si huti.
Jevgjitet defatore i binin defit dhe i këndonin nuses. Në mes të oborrit një burrë e një grue kërcenin vallen e Podrimjes. Ishte zakon, simbas fesë islame dhe adeteve turke, që të kërcenin një femën e një mashkull, por që të dy duhej t’i kishin prindët gjallë.
Në odën e burrave krushqit, të pluhnuem rrugës kambë e krye, u ulën kambturqisht, ndërsa dy shërbyes, djem të ri, u shkepshin cigare duhani dhe nga një limonatë për t’u freskue.
Në fund të odës Ylberi me Haxhen i pranonin urimet me dorë në zemer dhe me përshëndetjet e tyne të zakonshme turke; "bereqatvers" e mandej gjysa shqip e gjysa turqisht: “hajr paçi”.
Ishte fillim korriku, vapë e madhe. Nga djersët që i kishin mbulue krushqit, të zihej fryma në dhomën e mbushun plot e përplot.
Kështu u mbyll ajo ditë për të birin e Halilëve, Jakup torollakun, që mori nusen ma të bukur që kishte shkelë ndonjëherë në fshatin Kroni i Kishës.
Vetëm kur u ba natë u shpërndanë krushqit me zanë diku kryet, se ishin të lodhun.
Të nesërmen në të gjitha rrugët e fshatit shiheshin gra, nuse e vajza të veshuna e të pispillosuna tek shkonin me pa nusen e Jakupit, për ditë të divanit, si i thonin dikur.
Nuk shkoi shumë kohë e shiheshin si këtheheshin me kokën ulë e tue folë vesh me vesh me njana tjetren ndërsa kalonin me shpejtësi për t’u kthye në shtëpitë e tyne.
Dita e divanit për nusen e Jakupit nuk u mbajt. Asht diçka sëmuet nusja, kishte thanë Eminja, motra e Jakupit, që ishte ba sebep i kësaj martese, pse vetë ishte e martueme në Lugdri prej shumë vitesh dhe kishte ba punën e msites per të vëllajn, Jakupin.
U folë e çka nuk u fol nëpër fshat ditë me rradhë, por mbas nja dy a tri javësh u pa Haxha, vëllaj i madh i Jakupit, me nuse Zejnepen hipë në autobus dhe kishin shkue në Lugdri, te familja e saj. Me e çue nusen sëpari në gjini i thonin kësaj pune.
Çka pat nusja ditën e divanit, u kishte mbetë peng ta dinini disa fjalamane grash të fshatit, që ma shumë u interesonte jeta e të tjerëve se e vetja.
Ditët iknin. Erdh muej i ramazanit. Halilët ishin besimtarë, e çfarë besimtarësh. Haxha ngjinonte dhe detyronte me dhunë gjithë familjen nga mosha 8 vjeç e përpjetë me ngjinue.
Nusja Zejnepeja nuk kishte ngjinue ramazan kurrë. Mirëpo, Jakup torollaku, qysh natën e parë kishte thanë: "Duhet me e shkye macen natën e parë të martesës..." dhe kishte rrahë me litar të lagun nuse shkretën.
Shejat e tmerrshme të kesaj torture kishin qenë shkaku pse nuk u mbajt dita e divanit. Si të mbahej kur nusja e shkretë mezi rrinte në kambë prej torturave?!
Tashti, e dhunueme nga burri i vet, trembej edhe nga zani i një fëmije, në atë shtëpi përplot me torollake e ahmakë.
Një ditë e thrret i kunati, Haxha, dhe i thotë: "Nuse, ti sonte duhet me u çue kur ta dëgjojsh tupanin për syfyr, se duhet me i ndihmue Mihanes me pëgatitë syfyrin. Zejnepe heshti dhe tue u perkulë kokën dha shenjen se ashtu do të bante. E si mos të bante, kur "burri" i saj kishte “shkye macen” qysh natën e parë të martesës?
Vetëm Zoti e di fjeti ajo atë natë apo jo. Kur Çun magjypi i ra tupanit, Zejnepja, si e trembun, kërceu prej shtrati. Hedhja e saj e trembi Jakupin, që po gërhiste si derr pranë saj. Ai, për t’i tregue se burrit nuk i prishet gjumi, i dha disa grushta kresë, sa filloi të villte gjak për goje.
U zgjuen të gjithë nga britmat e Zejnepes së shkretë. Kunatat, posaçrisht grueja e Haxhës, u tregue e kujdesëshme për te e i lau gjakun dhe shkuen me shpejtësi e shtruen sininë për syfyr.
Mbasi hangrën, Haxha u tha të shkonin me fjetë, sepse nesër duhej me u zgjue pak ma heret e me dalë në livadhe, në Rrahije, me mbledhë otavë. Edhe ti nuse do shkosh me mbledhë otavë, i tha Haxha, që ishte zot shtëpije në atë shtëpi tmerri dhe injorance.
U zgjuen në orën shtatë të mëngjesit dhe Haxha, grueja e tij Mihanja, Jakupi, nusja Zejnepe, Alku dhe nusja e tij Nexha, me tfurq e gërbuja në krah, shkuen në Rrahije.
Menjiherë filloi një vapë e tmerrshme, vapë që nuk mbahej mend prej shumë vitesh. Orët e para i kaluen disi me punë rreth otavës, por kah mesi i ditës, Zejnepja filloi të villte gjak e kërkoi ujë, sepse po e mbyste etja.
Kishte dhimbje kreje e kërkonte me pi një hurm ujë. Jo, harroje ujin - i pisket Haxha, kunati - Mbylle e mos u anko, se ta …. nanën! iu kërcnue i shoqi, Jakupi. Ajo, e zverdhun limon, u përplas për tokë dhe humbi ndjenjat.
Jemi musliman na e për ramazan nuk guxon kush as me e shkue nëpër mend ujin as bukën! - kishte thanë Haxha.
Zejnepja, pa vetëdije, e shtrime sa gjanë gjatë në mes të livadhit, as jepte as merrte. Te kryet i rrinte kunata, Mihanja, tue i fshi djersët. Ndërkohë Alku shkoi në shtëpi, mori motorin TOMOS, dhe u kthye në livadh. Jakupi i hipi motorit, ndërsa të shoqen ia lidhen mbrapa me litar të sanës si të ishte thes. Me te mbrapa shkon drejt e te mulla Ismeti në Dubë të Madhe. Asht hoxhë me shuri mulla Ismeti, thonte Haxha, do t’i shkruej një hajmali dhe kjo do shndoshet me kaull.
Ishte një mrekulli se si nuk ra nusja e pa ndjenja prej motorit të Jakupit. Mbërrijten në Dubë të Madhe. Atje, nën hije të manit, ulun në një karrige, gjetën hoxhë Ismetin, i cili kishte qitë fjalën se sheronte të gjitha sëmundjet. Kur dëgjoi uturimen e motorit, u tremb nga përgjumje dhe pa u ngritë fare nga vendi i bani me dorë Jakupit ta ndalte motorin e ta zbriste nusen e ta sillte para tij.
Nusja nuk mund të ecte. Atëherë Jakupi i piskami me egërsi: Ec, moj pise, se t’i theva krye e brinjë! Ti për me i bishtnue punës në livadh po luen sikur je e sëmuet, sidhe për të mos majtë ramazan. Ec, se, a mos po mendon se po të marr në ngrykë unë tash para babës hoxhë e me m’ shkue ftyra, a !?
Zoti i dha forcë fatzezes, por i plasi gjaku nga hundët e nga goja përsëri. Megjithate, për çudi, ajo arrijti me ecë me kambët e veta deri para hoxhës dhe u ul aty në një stol që ia solli një fmijë i familjes së hoxhës.
Qysh e ke emnin? - e pyeti hoxha. Ajo, me lot në sy, e shikoi drejt, po nuk u përgjegj. I kishte humbë të folunit. Hoxha i piskati ma ashpër se i shoqi: "Fol, moj kudër, se e hangre shpullë, si e ke emnin”? Përsëri heshtje. Hoxha iu afrue dhe i zdriti një flakaresh, sa asaj i shkoi kryet mbrapa sikur t’ishte një leckë pëlhure. “Të baj unë me folë, moj kuder! Nuk të pelqen burri a?! - dhe kërset flakareshi tjetër. Nuk do ti Allahun dhe Pejgamerin?! Nuk do ti as ramazanin?! - dhe përsëri shpullë tjetër. Ajo, me sy të mekun e me lot për faqe, kishte ngulë shikimin te i shoqi. Sa do të dëshronte t’i jepte Zoti pak forcë e t’i thonte hoxhës se ate e kishte vra Jakupi e se tash po e vriste edhe ai. Po nuk mund të fliste fatzeza.
Hoxha mizor hoqi dorë për t’i mësue emnin, ia tha Jakupi. Mandej hoxha e pyeti se si e ka emni naleti që e ka pushtue dhe nuk e le me u ba e dëgjueshme për burrë e për Allah e Pejgamer.
Dikur, si u lodh tue sjellë mbi atë fatkeqe, mori një laps dhe një fletore. Filloi të shkarraviste nëpër fletët e saj, i shkuli, u dha forma të ndryshme, dhe ia dha Jakupit.
“Janë këto hajmali që duhet me i dhanë: një me u kaditë me te sonte kur të shkoni në shtëpi, tjetren me pi ujë për shtatë iftare tue e shti në gotën me ujë, tjetren me e hjedhë në një lumë apo prrue që ecë, dhe këtë kryesoren, me ia ba shtatë fish myshema dhe me ia varë kraheqafë.
Do të shndoshet kjo, mos kij marak” - i tha Jakupit dhe nuk harroi me i kërkue 100 Dojçmarka për shërbimin. Jakupi nxori markat nga kuleta dhe, meqë iu dhimbten, ia dha edhe një grusht kresë nusës së shkretë: A e sheh tash, duhet edhe me i dhanë 100 marka. Hajt ti, se ta mbaroj qefin unë, sa të çoj te shtëpija.
E lidhi prap mbas vetes në motor dhe u nis për në shtëpi.
Kur arrijten në shtëpi, aty kishin pasë ardhe të gjithë dhe pritshin kohen e iftarit. Ishin zverdhë e ba meit të gjithë. Nusen e mori Mihanja dhe e rahatoi në dhomën e saj. E mbuloi me një çarçaf, sa mos me e ngacmue mizat, dhe u kethye për të ngranë iftarin me të tjerët.
Vonë, masi u fal namazi i taravisë, shkoi edhe Jakupi me fjetë. Sa hyn në dhomë, shikon se nusja ishte mbytë në gjak dhe ishte e pa ndjenja, e pajetë. Kishte pasë frikë - fobi nga kufomat, prandaj lëshoi kukamë e piskamë, sa i tmerroi krejt familjen, deri edhe axhallarët që i kishin kojshi. Shkuen me vrap në odë të tij. Sa hynë, kuptuen se Zejnepja kishte vdekë.
E varrosën të nesërmen. E për çudi, ndër ata që po qante ma shumë ishte edhe Jakupi, i ngrimë buzë vorrit të saj. Baba i Zejnepes, i zverdhun limon, u afrue Ylberit dhe Haxhes e u tha: "Miqtë e mi. Nuk paska qenë kysmet me e gëzue djali i juej këte vajzë. Paska qenë jetshkurtë. Por, simbas zakonit, me emnin e Allahut e me kaull të Pejgamerit, për mos me prishë miqësinë, unë kam edhe një vajzë ma të re se kjo te shtëpija dhe jua baj përhajr këtu tash menjëherë."
Në fillim ra një heshtje taman vorresh, por mbas pak u degjuen Ylberi e Haxha, thuejse njëzani, e, tue shtri dorën kah miku, u përqafuen dhe morën fjalën për vajzën tjetër.
Thonë se motra saj, që e mori pa dëshirën e saj burrin, nuk pati fatin e së parës, sepse nuk vonoi shumë e vëllaznit, djemët e Halilëve, u ndanë. Tashti Jakup ia dinte vlerën grues e jetojnë ende bashkë me një tufë fëmijë.
Po Zoti nuk ka si ta harrojë Zejnepe fatzezën.
Sarpsborg - Norvegji: 13.04.2011