| E hene, 25.04.2011, 07:59 PM |
MIKU I MADH I POPULLIT SHQIPTAR “SHEJT” !...
Nga Fritz RADOVANI
Ardhja e Kardinalit Vojtila me 16 Tetor 1978 si Papë në Vatikan, nuk asht vetëm një akt i posaçem historik, por asht një akt i ndryshimit të rrugës së historisë në kohën moderne, ku njerzimi dhe kryesisht Evropa, e cila ishte plotësisht e zhytun në moçalin e diktaturave të njëmbasnjishme të Shekullit XX, apo shekullit të fluturimeve kozmike... kur Bota ndahej në disa klasifikime, tue mos hy me përsëritë se në cilën “botë” ishte atëherë dhe vazhdon me kenë edhe sot Polonia apo Shqipnia...na duhet të ndalohemi vetëm në një fakt: Në Vatikan Kardinali Vojtila vjen Papë mbas 445 vjetësh të kenjes së Tyne italian. Ai vjen nga Polonia kur endè zgjedha komuniste asht mbi Popullin Polak dhe, që në vitin 1980 Ai di se, karrshi tokave të lame me gjak shqiptarësh në Jugun e Italisë n’Otranto, ku u bane betejat e famëshme kundër pushtuesve turq, asht prap sot një popull i vogël që po vuen shumë nga diktatura tjetër.. “.asht Populli Shqiptar, për të cilin unë lutem përditë...”
Ardhja Papë e Gjon Palit II ka dy shpjegime me shumë vlerë për me u kuptue sësa i Madh qendron Portreti i Tij në Historinë Botnore: Ai vjen nga një vend ku vazhdon me kenë komunizmi stalinjan në pushtet dhe, pikërisht, një Kardinal Vojtila që e ka provue até mbi shpatullat e Tija, por vjen pikërisht në Selinë Botnore të Katoliçizmit, në Vatikanin Dymijvjeçar, kur atij komunizmi totalitar “Ai i zbuloi anën shpirtnore të Njeriut”, Ky dhe vetëm Ky asht misteri i Madhështisë së Tij, sëpse askush para Tij nuk ka mujtë me kuptue anën shpirtnore të Njeriut në sistemin totalitar dhe me e zhbërthye ate si Gjon Pali II.
Pikërisht këtu, në këte moment historik të shoqnisë njerzore të Evropës Lindore, asht Kardinal Vojtila që zhbërthen prangat e tiranisë komuniste me tri fjalë të vetme:
“NON ABBIATE PAURA !”, “MOS KENI FRIKË !” sëpse, njeh parimin filozofik të Historisë: “Kur një Popullit i ikë frika, shpejt Atij i vjen LIRIA !” dhe, menjëherë mbas takimit me R.Regan në Qershor 1987, Vojtila shpartallon komunizmin me Kristjanizëm... pra, pa gjakderdhje dhe me paqë, por jo me paqë nën kamxhik dhe kallashnikov...
Kujtoni për një moment takimet dhe bisedat me Regan dhe Gorbaçov. Asnjë takim nuk asht ba në bazat e rraketave, bunkeret, nëndetëset apo zonat e fluturimeve kozmike, por në dhomën e pritjes së Papës Gjon Pali II, në një tavolinë kuadrate, të lëmutë, të bardhë, të pastër dhe të ndritëshme siç ishte Ai vetë, ku, mbështetëshin vetëm katër duer...që posa lidheshin Burrnisht njena me tjetrën: “nënshkruenin marrveshje paqe dhe dashnije të pakufi për mbarë Njerzimin!”, ja, pra, Ky ishte Papa Polak Karol Vojtila që ndryshoi Historinë!
me 25 Prill, kur, Karol Vojtila hynte triumfues në Kathedralen e rindertueme të Shkodres, dhe ishte Papa i Parë që kishte puthë Tokën Shqiptare, Atë Tokë të lame me Gjakun e Shenjtë të Mijra Martirve Shqiptarë, të ramë nën diktaturën ma të mënershme komuniste që ka mujtë me pa njerzimi në Shekullin XX, atëditë, na dukej e pabesueshme se jemi tue pa me sytë tonë Zëvendsin e Krishtit në Tokë, tue i dhanë Bekimin e Tij Apostolik mbarë Popullit Shqiptar, e, po, Atëditë, në balkonin e Pallatit të Argjipeshkvisë Metropolitane të Shkodres, Papa Gjon Pali II, tue Bekue Shkodranët e Tij besnikë, mes dy Flamurve Miq, Atij Shqiptar të Gjergj Kastriotit Skenderbeut, me Shqipen Dykrenare e, Atij të Miqve të Përjetshëm të Shqiptarve, të Vatikanit...
Zani i Tij Burrnor po trandte Tokën Ilire e, Rozafa, e mahnitun veshtronte:
“...Ajo që ka ngja në Shqipni, Vëllazën e Motra s’ ishte pa kurr në historinë e njerëzimit. ..Kurse, këtu, shteti asht përpjekë të shuej çdo shprehje fetare në emen të një ateizmi radikal të mbështetun në një sistem universal dhe përgjithësues...
E gjithë kjo, ngjante në një kohë kur askush nuk mund të ndërhynte për me mbrojtë dinjitetin e njerëzve, të cilve, u ishte mohue gjithshka, tue i çveshë deri nga ma “njerëzoria”, liria e tyne. Drama e Juej, Shqiptarë të dashtun, zgjon interesin e mbarë Kontinentit Evropjan dhe asht e domosdoshme që Evropa mos t’ju harrojë.
Ky ishte Ai Burrë “që lutej çdo ditë për Popullin Shqiptar dhe për të Shqiptarët e të gjitha Besimeve...” Ky ishte Ai Burrë që do të thente akujt shekullor të Adriatikut dhe do të shpartallonte Perdën e Hekurt gjysëm shekullore të komunizmit, acari siberian i së cilës na kishte izolue nga krejt Bota Përparimtare!”.... Ky ishte Polaku Vojtila, që kur Bashkimi Sovjetik kërcënoi Poloninë për lëvizjet demokratike atje, deklaroi: “Nëse një ushtar sovjetik do të shkelin kufinin polak, unë do të çveshëm si Papë dhe do të shkoj me luftue për Lirinë e Atdheut tem!”
Ky, pra, ishte Ai Burrë që i kujton Evropës se çka duhet me dijtë por, edhe çka nuk duhet me harrue! Asnjëherë këto fjalë të Vojtilës nuk do të mund të quhen kujtesë, as në historinë e Shqipnisë dhe as në ate të Evropës, por asht një vërejtje e randë që Papa i ban Evropës, dhe Historisë së saj: “Historia endè nuk e ka njohtë ate që ka ngja në Shqipni..” Por, nuk mjaftohet me kaq, mbasi Ai e di se Evropa kjoftë edhe pjesërisht nuk asht aq e paditun për çka asht ba tek na, prandej, fati i Shqipnisë nuk duhet të mbesin në dorën e “një pjesës” së Evropës, por “drama e juej duhet me i interesue gjithë kontinentit evropjan!”,
pra “duhet”, asht detyrë, asht kusht dhe jo mundësi që mundet ose jo, por, madje, prap ma e theksueme “Asht domosdoshmeni që Evropa mos të harrojë!”...
E, çka mos të harrojë? Të mos harrojë të tashmen por, as të shkumen...sëpse, këtu, asht fjala pikërisht për vendin që mbrojti Ate Evropë nga invazioni turk, po, që Ajo, e “ka harrue” ose ma mirë me thanë se ban sikur e ka harrue...
Ja, pra, kjo asht “domosdoshmenia” e Shqipnisë së Lirë dhe Demokratike!
E në darkë asht po, Ai, Papa Gjon Pali II, që përballë Mikut të Vet Gjergj Kastriotit Skenderbeut, në sofren bujare e mikpritëse Shqiptare, me 25 Prill 1993 në Tiranë, tha:
“Shqipni qëndro në naltësinë e kësaj Beteje të Madhe!”...
Sot Populli Shqiptar, me nderim perulet para kujtimit të Mikut të vet të Madh, e asht Papa Gjon Pali II, Ai që me 1 Maji 2011 do të ngrihet në Elterin e Përjetshem të Pavdeksisë: Shejt !
Melbourne, 25 Prill 2011.