| E shtune, 23.04.2011, 06:38 PM |
TREGIME ME POROSI EDUKATIVE
Ali D. Jasiqi “Zëri i nipit”.-Botoi Ndërmarrja shërbyese “Jeta e re “ Prishtinë 2011
Shkruan Jonuz Fetahaj
Duke e lexuar përmbledhjen me tregime (e disa vjersha si ilustrim i kaptinave) me titull “Zëri i nipit”,të kritikut, prozatorit dhe të autorit të shumë eseve dhe dramave, Ali D. Jasiqit, që në fillim na bie në sy përpjekja e tij që t’i ofrohet lexuesit të vogël me një bagazh krijimi të tregimeve që i kishte shkruar që këtu e pesë e më shumë dekada, por që deri më tash i ka ruajtur si relikte apo kujtime nga fëmijëria.
Prandaj, edhe tash, si të tilla po i prezantohen lexuesit duke pasur një vlerë edukative, arsimore dhe didaktike. Kjo ka bërë që këto tregime të ngërthejnë në vete porosi, apo më mirë të themi, ky mesazh i përcillet lexuesit të vogël, i cili, përkundër avansimit të mjeteve audio-vizuale, përkundër informatikës së përsosur, prapëseprapë, këto tregime e kanë vlerën e vet, sepse fisnikërojnë shpirtin, pasurojnë e begatojnë shijen e lexuesit, pra përmes shembujve të mirë e të nxjerr nga brezat e mëparshëm ato këshilla dhe sugjerime, na e merr mendja, se edhe sot e gjithë ditën duhet të zbatohen dhe aplikohen në praktikë, të përcillen gjeneratë pas gjenerate, në mënyrë që e kaluara, trashëgimia kulturore, etnografike dhe begatia e folklorit tonë të pasur të mbetet burim i pashtershëm për brezat që vijnë.
Andaj edhe larushia e temave që shkrimtari Ali D. Jasiqi merr për t’i shtruar dhe për t’ua ofruar si ngjarje të përjetuara, si vlerë artistike, pa dyshim se e plotësojnë një vakum të mirë në fondin e tregimit për fëmijë.
Gjithë kjo përpjekje e tij për të dalë edhe para lexuesit të vogël, është edhe një shenjë se përvoja krijuese e tij është shtresuar me dekada dhe lexuesi, sigurisht se do ta mirëpresë botimin e kësaj përmbledhjeje me tregime nga jeta e për jetën, veçmas atyre tregimeve që kanë notën idilike, se janë nxjerrë si ekstrakt nga bagazhi krijues i pasqyrimit të jetës rurale në një kohë dhe hapësirë që, dorën në zemër, në ditët e sotme kanë ndryshuar gjërat, por duke i lexuar këto tregime, pa dyshim se do të rikthehemi edhe njëherë tek shumë ngjarje dhe ndodhi. Prandaj merita e shkrimtarit është që të komunikojë me lexuesit në kohë dhe hapësirë të ndryshme për ta gjetur diku, në zatetje emëruesin e përbashkët për gjithçka që është porosi dhe vlerë edukative për breza. E këtë e ka vëllimi me tregime i Ali D. Jasiqit.
Pasthënie e librit “Zëri i nipit”, që këto ditë doli nga shtypi në botim të Ndërmarrjes shërbyese “Jeta e re” në Prishtinë