Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zana Matoshi: Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha, bëhet Anëtare e Akademisë Evropiane të Arteve

| E shtune, 23.04.2011, 07:59 PM |


PROF. DR. SABILE KEÇMEZI-BASHA, BËHET ANËTARE E RREGULLT E AKADEMISË EVROPIANE TË ARTEVE

 

Nga Zana Matoshi

 

Ditë më parë, Akademia Evropiane e Arteve me seli në Luksemburg, shkencëtaren dhe poeten nga Kosova Prof.dr. Sabile Keçmezi-Bashën e shpalli anëtare të rregullt të saj. Ajo që duhet përmendur se janë vlerat e mirëfillta krijuese që kane ndikuar që zonja Keçmezi-Basha të jetë anëtare e këtij asociacioni ndërkombëtar që në vete ka anëtarësuar emra eminent të kulturave të ndryshme botërore.

Akademia Evropiane e Arteve është themeluar më 2002, me seli në Luksemburg, dhe për çdo vit bënë pranimin e anëtarëve të rinj. Në mesin e shumë emrave të njohur tani e tutje do të na prezantojë denjësisht edhe shkencëtarja e poetja nga Kosova Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha. Gjerë më tani ajo ishte anëtare e shumë asociacioneve kombëtare e ndërkombëtare si në fushën e shkencës po ashtu edhe të krijimtarisë letrare.  Në të dhënat që i prezanton Akademia  Evropiane e Arteve për zonjën Keçmezi –Basha në mes tjerave thuhej edhe kjo:

 

BIOGRAFIA E KANDIDATES

 

Sabile Keçmezi-BASHA  lindi më 1954 në Koretin të Dardanës (Kamenicë). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse gjimnazin në Dardanë. Është femra e parë nga Kosova që mbaroi Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd më 1977. Studimet pasuniversitare i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës në Degën e Historisë. Magjistroi më 1980 dhe doktoroi më 1984 (ishte femra më e re që u bë doktor e shkencave në Kosovë). Botoi mbi 300 njësi bibliografike zhanresh të ndryshme, nga ato shkencore, publicistike, trajtesa, vështrime, shqyrtime, fejtone, poezi për të rritur dhe fëmijë, tregime, drama, romane, ese etj., për të cilat mori shumë  mirënjohje, shpërblime dhe çmime letrare. Mori pjesë në tubime të ndryshme shkencore në Kosovë dhe jashtë. Ishte redaktore përgjegjëse për hapësirën etnike shqiptare në territorin e ish-Jugosllavisë në revistën “Bota shqiptare”, që botohej në Tiranë (1991-1993). Qysh nga fëmijëria shkruan poezi e prozë për të rritur dhe për fëmijë. Më 1987, në “Akordet e Kosovës”, u shpërblye me “Pendën e artë” për tekstin më të mirë të Akordeve. . Më 2005, Universal Peace Federation, e ka shpallur ambasadore të paqes. Është anëtare e Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve  të Kosovës, po ashtu edhe e asocionit italian për shkrimtar “Piu voci nel coro”, më 2009. Në vitin 2001-2004 ishte deputete e Parlamentit të Kosovës. Më vitin 2010, në Festivalin poezisë “Drini poetik”, zuri vendin e parë dhe u shpërblye me “Metafora-I” poetike. Ka marr shumë mirënjohje : Nga Shoqata e të Burgosurve Politikë”, për angazhimin shkencor në fushën e historisë më të re të shqiptarëve në Kosovë dhe në trojet tjera shqiptare në ish-Jugosllavi. Ka marr mirënjohje nga Ministria e Shërbimeve publike, për të arriturat në shkencë dhe për angazhimin e saj për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Kosovë e më gjerë. Po ashtu, ka marr mirënjohje nga Kongresi ULUSLARARASI 1. Balkanlarda Tarih ve Kultur Kongresi –Kongresi I Ndërkombëtar Ballkanik “Historia dhe Kultura e Ballkanit, 11-12. 05. 2009. Prishtinë. E shumë mirënjohje tjera të cilat dëshmojnë për angazhimin  e saj në shkencë dhe krijimtari letrare. Që nga viti 1978 punon në Institutin e Historisë së Kosovës dhe tani ka thirrjen e Këshilltarit shkencor. Jeton në Prishtinë. Është e martuar dhe ka dy fëmijë.

 

Gjer më tani ka botuar këta libra:

 

a) botime shkencore

 

1. Zhvillimi historik i PKJ-LKJ-së në Kosovë më 1945-1966,

    Prishtinë, 1987

2. Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë më 1945

   -1947, Prishtinë,1993.

3. Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë më 1945

    -1947, Shkodër, 2000

4. Organizatat dhe grupet ilegale në Kosovë 1981-1989, IHK,

     Prishtinë, 2003

5. Shtypi ilegal në Kosovë 1945-1999,  Sh. B. P. Prishtinë 2009

6. Të burgosurit politikë shqiptarë në Kosovë 1945-1990, Logos-A,

    Shkup, Prishtinë, Tiranë 2010

7. Kosova në shtypin e mërgatës shqiptare 1945-1999, II,Libri Shkollor. 

    Prishtinë, 2011

8. Kosova në shtypin e mërgatës shqiptare 1945-1999, III, Libri Shkollor, Prishtinë 2011-04-14

 

b) botime letrare

 

1. Nusja e gurtë (poezi), “Rilindja” 1989

2. Kohë epileptike (poezi), “Jeta e Re” 1996

3. Dy lule ka mami (poezi), “Pionieri”1993

4. Ëndrrat e trishta (poezi),”Rilindja” 2000

5. Hadi (dramë), LSHK, 2005

6. Nata pa kornizë (roman), LSHK, 2008

7. Malli për Itakën (poezi), LSHK, 2008

8. Anatomia iubirii (poezi), Bukuresht, 2009

9. Kodi i pritjes (poezi), LSHK, 2010

10. Kujtesën e ka kap skleroza (poezi), LSHK, 2011

11. Metaforë iberike (poezi), LSHK, 2011

Në dorëshkrim ka shumë monografi si dhe punime letrare.

 

Mirënjohje:

 

Për punën e saj të vlershme është përfshirë në shumë enciklopedi e antologji të ndryshme si në vend po ashtu edhe jashtë vendit. Ka marrë shumë mirënjohje dhe shpërblime kombëtare e ndërkombëtare si:

 

1. Nga Shoqata e të Burgosurve Politikë”, për angazhimin shkencor në fushën e historisë më të re të shqiptarëve në Kosovë dhe në trojet tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, 2008

2. Mirënjohje nga Ministria e Shërbimeve publike, për të arriturat në shkencë dhe për angazhimin e saj për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Kosovë e më gjerë.

3. Kongresi ULUSLARARASI 1. Balkanlarda Tarih ve Kultur Kongresi –Kongresi I Ndërkombëtar Ballkanik “Historia dhe Kultura e Ballkanit, 11-12. 05. 2009. Prishtinë.

4. Nga Shoqata për kthimin e shqiptarëve në trojet e tyre, 2010

5. Nga Kuvendi Komunal i Komunës së Gjilanit, 2009

6. Takimet e Dom Mikel Tarabulluzit, Stubell, 1993. etj.

E shumë mirënjohje tjera të cilat dëshmojnë për angazhimin  e saj në shkencë dhe krijimtari letrare.

 

Anëtarësimi në shoqata të ndryshme si:

 

1. Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës

2. Shoqata e Shkrimtarëve për fëmijë

3. Shoqata e Historianëve të Kosovës

4. Shoqata e Politikologëve të Kosovës

5. Shoqata e Intelektualëve të Anamoravës

6. Leopardian Comunite  Coro a piu voci, 2011- Itali

7. Piu voci nel coro, më 2009- Itali

 

Udhëtimet jashtë vendit:

 

Shqipëri, Bullgari, Hungari, Rumani, Poloni, Çekosllovaki, Rusi, Gjermani, Austri, Zvicër, Francë, Itali, Spanjë, Andorra, Tunizi, Algjer, Marok, Egjipt, Maltë, Greqi, Turqi, Serbi, Mali i Zi, Slloveni, Bosnje e Hercegovinë, Kroaci, Maqedoni, SHBA dhe Izrael

 

Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha prezantohet edhe me një cikël të poezive nga përmbledhja “Kujtesën e ka kapur skleroza”, në të vërtet puna e saj krijuese është e ndjeshme dhe kap përmasa universale të botës së qytetëruar ngase mesazhi i saj si në shkencë po ashtu edhe në letërsi ka kuptimin e dhembjes dhe asgjësimit të saj në çdo pore të jetës në të ardhmen që kurrë më mos të përsëritet. Se, në monografitë e saja shkencore  politiko-historike e kaluara është e dhembshme e tej mase e prekshme dhe e argumentuar në të gjitha dimensionet. Është bindëse se të dhënat arkivore plotësojnë vakumin shumëvjeçar të fushës së historisë  politike në veçanti dhe të historisë në përgjithësi.  Fokusimi i saj është njeriu, toka, shtet-formimi, mbijetesa dhe filozofia e tij me të mirat dhe të këqijat që ngërthen në vete e kaluara, e tanishmja dhe e ardhmja. Si në aspektin shtet formues po ashtu edhe ekzistencial lloji i saj është në piedestal të trajtimit. Në shkrimet e saja përdor  metodën argumentuese, shkruan me fakte dhe është fanatike e objektivitetit real- jetësor qoftë pozitivë apo negativ në hullitë e historisë.

Ndërkaq, piktori Jetullah Haliti-Eti, i cili një herësh është edhe në kryesi të këtij seksioni, shprehet i lumtur që në mesin e emrave të njohur botëror si të artit e të shkencës tani e tutje do të jetë edhe shkencëtarja e nderuar dhe poetja e madhe shqiptare nga shteti i Kosovës, zonja Sabile Keçmezi-Basha. Ndjehemi krenar para një fakti që në mesin ton keni pena të tilla që edhe asociacionet ndërkombëtare e vlerësojnë dhe e nderojnë. Shumë shëndet, fat dhe suksese zonjës Basha.

 

 

KUJTESËN E KA KAPUR SKLEROZA

 

Kujtesën e ka kapur skleroza

Dhe harruar ka sytë e Atdheut

Te Mollë e Kuqe

 

Shpesh i takoj në ecejake

Duke u shikuar vëngër

Kafka e guri

Që në një kohë të pakohë

I kishte prerë mbrapsht

Shpatë e Damokleut

 

Në organogramin e pritjes

Askush nuk blinte pritje

Të kohës mjegullnajë

 

Arkitektura e shpirtit përimtohej

E Rozafa më qante në prehër

Duke shtuar mëkimin

Në gishtat me unaza

 

 

MOS MA LUAJ KUFIRIN

 

Për çdo ditë të lume

Ma luan kufirin

Madje edhe këtu

Te pragu i shtëpisë

 

Nganjëherë

Uji merr gardhin

Ëndrra braktis shtratin

Në dyshekun-behar

Pushon skeleti i Atdheut

 

Në Arbëri

Shumëzohen kameleonët

Dhëmbët e bardhë

                   prej bryme

Bëjnë grevë të verdhë

 

Sot

Edhe guri i kufirit

Ndoshta me pahir

Sërish më nxjerr gjuhën

Sërish më përqesh

 

 

UDHËT E ATDHEUT

 

Nuk keni parë mbrëmë

Se oborri i kafkës

Ishte shtruar me pikëpyetje

Dhe me shumë qafa

Në kornizën all

 

Sa shumë udhë

Sa shumë ura

Për të arritur

               te një e vetme udhë

Dhe te një e vetme urë

 

O Zot

 

 

KUR TË VISH NË PRISHTINË

 

Kur të vish në Prishtinë

Do të më kërkosh

            në lagjen “Elitë”

 

Te barnatorja “Camomili”

Blije një Xanax

dhe trete në shi

Do të marrim rrugën për në Veri

Kur të vish në Prishtinë

Në Urën e Ibrit do të takohemi

Do të shohësh me sytë e tu

Se si ende pikon gjak

Mollë e Kuqe

Te Kroi i Vitakut

Do të gjezdisim me dhembjen     

                      për dore

Në Konispol do t’i puqim gjembat

Do ta thyej kafkën me grushte

Kipci i Bilal Xhaferrit

Nëpër zaje të përflakura

Do të udhëtojë për Çamëri

 

 

ROBËRI E FJETUR

 

Ende me mua

pi kafe robëria

dhe më bën

pyetje pa pikëpyetje

 

Në mua

ADN-ja lahet e shpërlahet

Nga mjegulla dhe pluhuri

Që i kanë mbuluar tinëzisht

Syrin nga hithrat

 

 

DIÇKA MUNGON

 

Atdheut dhe trupit

I mungojnë ca copa jeshile

Nata  u qet gjuhën

Dhe i përqesh

Për gjymtyrët e brejtura

 

Shpesh i kam parë

se si bisedojnë shtruar

kafka me gjymtyrët

dhe nuk dëgjojnë

sëmbimet xanxare

që zhbirojnë timpanin

nga kockat e rrëzbitura

të Homerit dritëpakës 

 

 

LETRAT QË I SHKRUAJ

 

Për çdo ditë

Letrat që i shkruaj

Më mbushen

Pika të zeza-futë

Pastaj edhe kllapa vë

Pikëçuditjet për fund i lë

Dhe më shtohen pikëpyetjet

Pahetueshëm

Më tmerrojnë

 

Disa pulëbardha në fluturim

Nuk e duan matematikën

As atëherë dhe as tani

Sidomos ekuacionet

Me tri të panjohura

 

 

QESHJE E BUZËQESHJE

 

Më thua

Se duhet të buzëqesh

Për të të bërë Ty qejfin

Ehe

E kush do t’i kamuflojë rrudhat

Në qafat e Atdheut

 

Po gjurmët e gjakut

Cili alkimist do t’i shërojë

Nga leukemia

Pa më thuaj

Lum miku

 

 

KUJTESËN E KA KAPUR SKLEROZA

 

Kujtesën e ka kapur skleroza

Dhe harruar ka sytë e Atdheut

Te Mollë e Kuqe

 

Shpesh i takoj në ecejake

Duke u shikuar vëngër

Kafka e guri

Që në një kohë të pakohë

I kishte prerë mbrapsht

Shpatë e Damokleut

 

Në organogramin e pritjes

Askush nuk blinte pritje

Të kohës mjegullnajë

 

Arkitektura e shpirtit përimtohej

E Rozafa më qante në prehër

Duke shtuar mëkimin

Në gishtat me unaza

 

 

IKU EDHE KY VIT

 

I brishtë si një grua

U rrokullis

           në fushën e historisë

Dhe

Kurrë nuk do të qorton              

                  kafkën

Pse ngeli pa bar

Në mes shekull

 

Iku edhe ky vit

Pa kërkuar lejen

Në kraharorin e atdheut

Që të marr pasaportën

                   biometrike

Për fushën e blertë

 

Iku

Të thash se iku

E rrudhat palë-palë

Na kanë shtruar kullën

Të bardha-borë

Me petale luleje

 

Iku

Edhe ky vit

Acarin e shkriu dielli

Në prehrin tonë