| E premte, 22.04.2011, 07:36 PM |
DASHURIA PËR ATDHEUN IA KALON ÇDO DASHURIE TJETËR …
Nga Nexhmije Mehmetaj, mësuese në Jura- Zvicër
« Sa mund të mendohet dielli pa dritë, aq mund të mendohet kombi pa gjuhë... gjuha mund t’quhet gurra e dijes...” është një thënie e Sh.Gjeqovit , që të vjen vetvetiu në mendje, sapo mbaron së lexuari librin URË ATDHEU të publicistit të njohur Çerkin Bytyçit. Shumë kush prej lexuesve, ashtu si unë, e kujtojnë mësuesin, shkrimtarin, gazetarin hoçian që ka dhënë dhe jep një kontribut të madh në arsim dhe shtypin e shkruar. Ai punoi në Kosovë , në një kohë të vështirë , u detyrua të largohej në Gjermani, jo si shumë mërgimtarë të tjerë për kafshatën e gojës, por që të shpëtonte nga realiteti që e rrethonte, për t’i shpëtuar urrejtjes e smirës, të cilat nuk kishin lënë vend për dashuri në atdheun e tij. Tani do t’i përkushtohej veprimtarisë arsimore dhe publecistike duke shkruar për mërgimtarët, në Kosovë dhe Gjermani, për hallet e tyre, problemet, sukseset jetën e përditëshme, duke ushqyer atyre dashurinë për gjuhën shqipe dhe për atdheun.
Në librin URË ATDHEU – Monografi bën një paraqitje të rrugës 25 – vjeçare të shkollës së mësimit potësues të gjuhës shqipe në Düsseldorf e Dormagen të Gjermanisë. E hapur para 25 vitesh në këtë vend me një histori mjaft të pasur si rezultat i dëshirave, përpjekjeve e dashurisë për atdheun që ia kalon çdo dashurie tjetër. Historikisht mërgimtarët shqiptarë , kanë punuar dhe janë përpjekur që fëmijëve të tyre t’u mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën shqipe. Kjo traditë e çmuar, si amanet i rëndë ” që se tret dheu i huaj”, deri në ditët tona. Është detyrë imperative e mësuesve shqiptar për t’u mësuar dhe shkruar gjithnjë shqipen brezve mërgimtarë e shoqëruar me një përkushtim në hapjen e shkollave të reja. Të cilët dërguan libra, hapen shkolla, hartuan programe, punojnë me devotshmëri vite me radhë jashtë atdheut për mësimin e diturisë për mes gjuhës tonë shqipe.
Fillimisht në faqet e këtij libri kujton me dhimbje mësuesin e parë të ndjerë, themeluesin e kësaj shkolle Pal Përgjoka si një pishtar për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, për karakteristikat e tij më të spikatura, nëpërmjet fjalës, mendimeve të tij për rrugën që duhej ndjekur, u bë për gjithë një njeri i nderuar e i respektuar. Rruga e gjatë e plot rreziqe, asnjëherë nuk e përkuli. Ai punoi me pasion dhe vetëdie të qartë për t’u mësuar fëmijëve shqiptarë gjuhën e nënës, sepse vetëm duke kultivuar atë do të mund të hapeshin dyert e lirisë së munguar, të zhvillimit e përparimit të kombit tonë.Veprimtaria e tij e shquar e ka radhitur në njerëzit më vlefshëm të Atdheut, sepse ai kish dhënë e do të jepte për të.
Në mënyrën e të shkruarit të tij vihet re krenaria sikurse e Rilindësve tanë që krenoheshin me bukuritë e atdheut, ai krenohet për dashurinë, punën, kontributin që dhanë shqiptarët e mërguar për vendin e tyre të robëruar. Ai shkruan për jetën e tyre të re në vend të huaj, për punën, familjen, për bashkpunimin, por më shumë shkruan për të mësuarit të ABC-së– Shkollën shqipe në Landin Vestfalia të Gjermanisë , aty zbulon vështirësit, problemet, pengesat, sukseset. Në libër autori i kushton një rëndësi kronologjisë së mërgimit shqiptarë të lidhura me ngjarjeve historike të vendlindjes. Gjatë kësaj periudhe shqiptarët jashtë atdheut hapën shkollat e tyre, patën pedagogët e tyre, botuan, kërkuan objektivat e të ardhmes së tyre. Në këtë libër gjithë mirësia e tij nuk njeh diferenca në të shkruar. Ai ka shkruar për mërgimtarin e parë, për mësuesin, për nxënësin, për prindin, për veprimtarin, për qytetarin gjerman.
Në vazhdimësi të këtij libri përshkruhet personaliteti atdhetar e pedagogjik i mësimdhënëseve të shkëlqyeshëm:Nexhmije dhe Rifat Hamiti i formuar përmes punës arsimore- didaktike që shtrihet në harkun kohor mbi 20 vjeçar. Kjo periudhë dëshmon për një epokë të re në fushën e arsimit dhe të kulturës shqiptare. Gjëma e pas viteve ‘90 të shekullit të kaluar, tashmë të shpërngulur nga atdheu, ishte bërë eminent rreziku i humbjes së kulturës kombëtare, pra, dhe të gjuhës shqipe nga breznitë e reja. Programi i shkollës i zbatuar nga mësuesit, çifti bashkëshortor Hamiti shënon një hap përpara drejt forcimit të shkollës shqipe jashtë atdheut. Për vlerat e kësaj shkolle nëpërmjet materialeve të shumta e fotografive, paraqitet puna e kontributi edhe fëmijëve, i prindërve që ia kanë rritur vlerat vazhdimisht këtij institucioni larg atdheut. Ata puna i ka bërë të vlerësohen nga të tjerët siç janë edhe portretet e intervistat e mësuesve të tjerë të rrethinës si: Sejdi Gashi, Hamza Halabaku, Sami Thaçi, Adem Shala.Shpresa Përzhaku, Lekë Preçi, e shumë të tjerë.
Kur mbaron së lexuari librin, Urë atdheu çdonjëri prej nesh shpalos veçoritë që i shquajnë shqiptarët në fushën e edukatës për mes rrugës së arsimit kombëtar.
Delemont, 21. 04. 2011