| E premte, 22.04.2011, 07:04 PM |
NJË KRËHËR BREDHI KËRKOJ
NJË KRËHËR BREDHI KËRKOJ
Një krëhër bredhi kërkoj
këtë mëngjes të zymtë.
Mendimet pleksen
si gërshet i dendur i reve.
Dielli
nuk ka për t' i hapur sytë
Shi
tërë ditën do derdhet.
Qajnë mendimet.
Fjalë thahen,
bëhen trokë.
Më mbështjell
mjegull' e pêrhime
dhe trishtimi i tokës.
Një krëhër bredhi
kreh mjegullat e rënda.
Më rrëzon
sklepat e thara
të ëndrrave.
NUK E DI
Nuk e di
kush shkeli i pari
këtë shteg
në këtë pllajë pa fund,
të rrafshët.
Nuk e di
kush zbriti i pari
në ferr
dhe kush i pari u ngjit
në parajsë.
Nuk e di
shtegtarin e fundit
që do shkelë këtej pari,
kur kësaj rruge
do mbijë prapë
Fillimi dhe fundi
kanë një trajektore.
Jeta me vdekjen
shkojnë dora- dore.
Shkojnë
dhe në sy shikojnë
njëra -tjetrën.
Vdekja tremb jetën.
Jeta qesh
me vdekjen.
BUZËQESHJA E NËNËS
M' u kujtua nëna ime, e ndjera,
plak' e drobitur.
Iku mbuluar
me buzëqeshje të ndritur.
Ndriti ëmbëlsia.
Ndriti dashuria.
Bukuritë i ndritën
mbi të sajën fytyrë.
S' i shterruan kurrë.
Vdekjes nuk ia dha.
Neve,
Jetës kujtim i la.