Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Murat Gecaj: Tekstet me përmbajtje kombëtare, të të gjitha trevat shqiptare dhe në diasporë

| E hene, 18.04.2011, 08:59 PM |


Mbledhje pune, në Institutin e Integrimit të Kulturës Shqiptare
Mbledhje pune, në Institutin e Integrimit të Kulturës Shqiptare

 

SYNIMI: TEKSTET, ME PËRMBATJE KOMBËTARE, NË TË GJITHA TREVAT SHQIPTARE  DHE  NË DIASPORË

(Veprimtari e Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare)

 

Nga: Prof. Murat Gecaj

Përgjegjës sektori, pranë IIKSH-Tiranë

 

1.

 

Këto ditë, në disa adresa Interneti, por dhe me njoftime telefonike, studiuesi e shkrimtari Dr. Ibrahim Gashi shpërndau njoftimin se, në kryeqytetin Tiranë, do të organizohej një tubim i rëndësishëm i drejtuesve të komisioneve të punës, ngritur pranë Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare. Për shumëkënd, ky institucion është ende i panjohur. Pra, shkurtimisht, po tregoj se ai është ngritur në vitin 2009, sipas procedurave ligjore dhe vepron, mbi baza vullnetare, me një program të caktuar. Një ndër synimet kryesore të punës së tij është: studimi i mundësive të përafrimit, deri në njësim, të programeve e teksteve mësimore, në të gjitha shkollat e trojeve etnike shqiptare (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Çamëri e Kosovë Lindore-Lugina e Preshevës) dhe në Diasporë. Por edhe komisionet e formuara dhe grupet e punës, veprojnë sipas këtyre vendeve. 

 

Është parashikuar që studimi i teksteve të kryhet në shkolla të grupuara, në shtete të ndryshme: në pesë shkolla 9-vjeçare, pesë gjimnaze, pesë shkolla të mesme pedagogjike dhe pesë shkolla të mesme profesioinale. Në këtë studim me rëndësi, është parashikuar të përfshihen, sidomos, gjuha e letërsia shqipe, duke nisur që nga Abetarja, historia e gjeografia e tjerë. Po kështu, mendohet të bëhet studimi i programeve e teksteve për mësimet plotësuese në gjuhën shqipe, historinë e trashëgiminë tonë kulturore, për nxënësit shqiptarë në Diasporë. Studimi për shkollat e Diasporës do të bëhet në pesë shtete të SHBA dhe në më shumë se pesë shtete të Euro-Azisë. Ndërsa një studim i veçantë do të bëhet për shkollat dhe gjuhën shqipe në Çamëri. 

 

Në përgjithësi, studimi krahasues në fjalë synon të nxjerrë në dukje ndyshimet dhe të përbashkëtat e plan-rogrameve dhe teksteve mësimore, kryesisht për tematikën e tyre, saktësinë e trajtimit të fakteve, përfshirjes  së çështjeve themelore të lëndës, domosdoshmërinë e paraqitjes së saj sa më të plotë e të kuptueshme etj. Të gjitha këto, do të shihen duke vëzhguar trajtimin sa më realist e të plotë të identitetit të shqiptarëve, në trevat autoktone arbërore dhe në Diasporë. Sigurisht, gjatë kësaj pune tërësore do të përfshihen dhe veprimtari të ndryshme, gjithnjë në përputhje me këtë detyrë kryesore të këtij Insituti.

 

2.

 

Pikërisht për të shqyrtuar plotësimin e detyrave fillestare dhe për të caktuar orbjektivat në vazhdim, u organizua tubimi për të cilin fola më lart. Përveç drejtuesve të këtij Instituti, merrnin pjesë përgjegjës sektorësh nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia dhe përfaqësuesi për Çamërinë.

Tubimin e hapi drejtori i Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, Rezart Gashi. Ndërsa kryetari i Komisionit Qendror, Dr. Ibrahim Gashi lexoi një informacion të detajuar për disa nga veprimtaritë e zhvilluara deri tani shkallë Instituti dhe ato, që janë kryer nga vetë grupet e punës.

Pastaj, për veprimtaritë e zhvilluara dhe për ato, që do të kryhen gjatë këtij viti e në vazhdim, dhanë mendimet e tyre disa pjesdëmarrës. I pari foli Prof.Dr. Hulusi Hako, i cili paraqiti edhe broshurën e botuar prej tij, në afër 70 faqe, me titullin “Ç’ na mësojnaë tekstet shkollore për Kombin? (Shënime kritikë për disa tekste të lëndëve shoqërore, në kuadrin e Projektit të IIKSH-së”(Tiranë, 2011). Kolegët e komisionit  të ardhur nga Maqedonia, Dr. Skënder Asani, Fadil Curri e Mitat Shaqiri theksuan nevojën dhe vlerën e një studimi të tillë për tekstet shkollorë, përgatitur e botuar për shkollat në gjuhën tonë amtare, i cili do të ndihmojë për një kuptim më të mirë të identitetit të shqiptarëve në këtë shtet fqinj.

Nga Lugina e Preshëvës foli arsimtari Alixhemal Salihu, i cili tregoi se atje po përgatitet një tribunë (sesion), ku do të lexohen disa kumtesa për përmbajtjejen dhe problemet e teksteve në shkollat shqipe të atjeshme. Ndërsa Fazli Hajrizi u ndal në domosdoshmërinë e krahasimit të teksteve mësimorë, ndërmjet Shqipërisë e Kosovës dhe përmendi problemet, që dalin posaçërisht për pjesën veriore të këtij shteti, Mitrovicën.

Me vlera të veçanta ishin dhe diskutimet e bëra nga Prof.Emil Lafe, nga Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, i cili theksoi nevojën e përdorimit të gjuhës shqipe të njësuar në të gjitha tekstet shkollorë, që nga Abetarja dhe deri te tekstet e Universiteteve tona. Ndërsa dr. Ramiz Zeka, drejtor i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Ismam (Tiranë) foli për disa çështje të botimit e përdorimit të teksteve në shkollat fetare, që funksionojnë në trojet shqiptare. Me interes ishte dhe diskutimi i arsimtarit e shkrimtarit Namik Selmani, për disa problema të teksteve për shkollat shqipe në Çamëri. Në vazhdim, Latif Hajrullahu, drejtor i Shtëpisaë Botuese të Librit Shkollor “Albas” (Tiranë), përmendi nevojën e botimit sa më cilësor të teksteve të ndryshëm shkollorë dhe për përdorimin e tyre alternativ. Prof. Murat Gecaj nënvizoi domosdoshmërinë e pasqyrimit korrekt, sa më të gjerë e të shpejtë,  të veprimtarive të IIKSH, në shtypin e shkruar e atë elektronik, si dhe ne faqe të ndryshme të Internetit. Kështu, do të krijohet një mendim mbarëshqiptar për mbarëvajtjen e këtij projekti me shumë rëndësi, që lidhet mjaft ngusht me identitetin tonë kombëtar.

Në fjalën përmbyllëse, Dr. Ibrahim Gashi i falënderoi pjesëmarrësit në tubim për mendimet e shprehura dhe theksoi nevojën e bashkëveprimit të punës së komisioneve, në rajone e shtete të ndryshme, ku shqiptarët banojnë në trojet e tyre stërgjyshore dhe në Diasporë.

Pastaj, të gjithë së bashku, morëm pjesë në një darkë, që ishte shtruar për pjesëmarrësit, ku nuk u ndërprenë dhe vazhduan bisedat për temën kryesore të tubimit, pra për tekstet mësimore në shkollat, ku mësohet gjuha e bukur  amtare shqipe.

Pjesëmarrës në tubimin e IIKSH, Tiranë, 16 prill 2011 (Foto nga: M. Gecaj)
Pjesëmarrës në tubimin e IIKSH, Tiranë, 16 prill 2011 (Foto nga: M. Gecaj)
 

Tiranë, 17 prill 2011