| E diele, 17.04.2011, 06:52 PM |
NATEN, MBI NJU JORK
(Ky Cikël me vjersha është nxjerrë nga libri “Vdekja e varreve” i autorit Zeqir Lushaj,botuar në Tiranë, nga “Kristalina KH”,në vitin 2009. ISBN:978-99956-43-00-3)
Zeqir Lushaj
DUKE PARË HARTËN
Në hartë,
Nju Xhersi në Amerikë,
Njësoj, si Shqipëria ime, në Europë.
Sikur i ka prerë gërshërë e rrobaqepsit,
Si dy kafshata buke,
Të ndara nga një copë.
Kur, Unë,
U ndava në dyshë,
Që të mos i mbetet qefi asnjanit,
Shpirti zu vend buzë Adriatikut,
Dhe, trupi u degdis,
Në breg të Oqeanit.
Gjindem në të dyja,
(Njëkohësisht, askund!),
Shmallem pak me hartën,
…Dhe, asgjë më shumë!
./.
NJU-XHERSI
Vila,
Vila,
Vila…,
Nën blerimin
E pasosur.
Nju – Xhersi…!
Një emër,
I mirënjohur.
./.
MANHATANI
Manhatani, gjigand!
Zemra e Nju-Jorkut.
Disa e quajnë edhe,
Qendra e Botës!!
Një qytet kollos,
Vërtetë madhështor.
Mua, m’i kujton
Alpet e thepisura,
Në mes
Të Europës
./.
NATËN MBI NJU-JORK
Natën, mbi Nju Jork,
Nga dritarja e avjonit,
Shikon, vërtetë një mrekulli.
Një pafundësi dritash,
Dhe ngjyra,
Në pafundësi!
Mbështetur tek xhami,
Si në ëndërr,
Me vetvehten flet:
– Të gjitha i ka,
Ky, Nju Jorku,
Përveç emrit:
– Kryeqytet!
./.
PËR ATA QË NUK E DINË
Si një mollë,
E prerë përgjysëm.
Si dy,
Kokrra gruri.
Nju – Jorkun,
Dhe, Nju-Xhersin,
I ndanë,
Dhe i bashkon lumi!
./.
HEEEJ, A JAM UNË?
Shikoj Nju-Jorkun,
Nga ballkoni i katit 108,
Të një gradaçeli të Manhatanit.
….!
Heeej,
A jam Unë!
A jam Unë,
Griçori emigrant
Mbi shpindë të “shejtanit”!
./.
E PËRBASHKËTA
Mendoj,
Me laps e me letër në dorë,
Ulur, në një gur,
Në Fridom Park.
Për një nuse shtatzanë,
Që po ecën mendueshëm,
Sikur flet,
Me krijesën e saj në bark!
* * *
Ndoshta, krijuesit,
Në të gjithë botën,
Tek frymëzohen, diçka për të thanë,
Kanë diçka të përbashkët
Me këtë grua,
Me këtë nuse,
Që shpejt,
Do të bahet nanë!
./.
MË PYETI NJË VAJZË
Në parkun, tek stolat, buzë pishinës,
Ku, Unë, shpeshherë ulem e rri,
Një ditë, më pyeti, për një adresë,
Një bjonde simpatike, mbi një xhip të ri.
Do të më falësh, o vajzë bukuroshe,
Për pyetjen tuaj, nuk ju ndihmoj dot,
Jetoj në anën tjetër të kësaj bote,
Jo këtu, ku po më shihni sot!
Qeshi me gjithë shpirt ajo vajzë e re,
Shkeli gazin, e m’u afrua ma ngat,
– Nuk është pak të jetosh në dy kontinente,
Qenke burrë i mirë: – Paç fat!
Nga dera e makinës, ku ish zgjatur,
Dalëngadalë, e rriti shpejtësinë,
Tek kthesa e rrugës, në fund të parkut,
Me përshëndeti, me dorën mbi gabinë …
./.
EPITAF
- Xhon Kenedit -
Veç një gjë,
Dihet,
Dhe, thuhet saktë:
Oqeani,
Përpiu avjonin,
Dhe trupin e Tij!
* * *
Në familjen,
Presidenciale “Kenedi”,
Vallë…?!
Vallë?
Pse kaq shumë’
Tragjedi?!
./.
PËR MUA
Shumë thënie ka,
Për Amerikën,
Tash dhjetra e qindra vjet.
Për mua,
Është vendi i fjalës së mirë,
Vendi i njerëzve korrekt.
./.
ÇAST MËRZIE
Përveç ajrit që lëviz,
E them se, ndoshta:
– Vjen prej atdheut tim!
Këtu,
Gjithçka tjetër,
Është e huaj.
Dhe, për mua,
Nuk ka asnjë kuptim!
(Manhatan, prill 1998)
MË FRYMËZON FAN NOLI
Tek lodhem në tejskaj,
Dhe, mallkoj veten,
Shpesh herë,
Unë, i gjori,
…Dikush,
Më flet rreptë:
…!
– Qëndro, he burrë!
Për dy dollarë në ditë,
Ka punue edhe Fan Noli…!
* * *
…E marr me mend,
Viganin e Kolonjës,
Në punët e rëndomta të Amerikës,
Dhe…,
(në atë pak kohë të lirë),
Nëpër kisha,
Duke ngritur,
(Në Shqip),
Ndonjë Meshë!
Më shumë
Për Kombin,
Se për punët e Fesë!!
./.
BOTA - NJËSOJ
Ja, kjo qenka edhe Amerika!
Male, fusha, pallate, qiell dhe tokë…,
Njerëz dhe makina të çdo kalibri,
Njësoj, si kudo tjetër nëpër botë.
Një grup të kamurish i japin emër shtetit,
(Ka njerëz të pasur, që nuk e dijnë sa kanë!)
Mes ankthit të drogës, alkoholit, duhanit…,
Ka miliona të varfër, në kufirin fatal.
Ka njerëz me kulturë,globin zhbirilojnë,
Ka injorantë ,që të mërzisin jetën,
Të gjithë llogoriten të lirë, në këtë botë,
Sa është e vështirë të njohësh të vërtetën.
Për shumë gjëra ky vend, quhet si ma i miri,
…Edhe Zot shtëpie, mund të bahet musafiri!!,
Edhe të paudhit, i duket se, e gjen vendin,
Vota e pederastëve, mund të rrezojë Presidentin!!
* * *
Prandaj, mos u lodhni shumë, o njerëz!
(Atë, që ndjej në zemër ju këshilloj),
“Një okë e pesë, një okë pa pesë”,
Bota, kudo qenka njësoj!
./.
(Dhënë për botim në “Zemra Shqiptare”,dhe “Shqipria Etnike”, Prill 2011)