Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mikel Gojani: Marjan Brahimi - Një jetë e tërë në shërbim të arsimit kombëtar

| E diele, 17.04.2011, 07:59 PM |


Homazh përjetësie

 

NJË JETË  E TËRË NË  SHËRBIM     ARSIMIT  KOMBËTAR

 

Nga Mikel Gojani

 

Në jetën shoqërore, përgjithësisht ndodh, që njerëz të shquar, të arsimit, kulturës e të historisë sonë kombëtare, të veçohen nga të tjerët për aftësi intelektuale, për përkushtim në çështjet madhore, për veprimtari të devotshme dhe për pathyeshmëri të vullnetit e të idealit që kanë. Të tillë njerëz lindin në çdo kohë, dhe padyshim se janë të nevojshëm për jetën, shoqërinë dhe kombin në përgjithësi dhe, secili në fushën e vet dhe njëherësh, bashkërisht i vënë vulën arsimit, kulturës dhe historisë së një kombi. Brezat që pasojnë, si begati më e çmuar e një kombi, të kaluarën e rimarrin, pikërisht nëpërmjet këtyre njerëzve të shquar. Në historinë e arsimit, kulturës dhe të historiografisë sonë kombëtare shqiptare, të tillë njerëz ishin dhe do të mbeten në këto gjurmë.

Kështu, në galerinë e pishtarëve të dijes dhe të arsimit, po ashtu edhe të atdhedashurisë, hyn edhe emri i mësuesit të nderuar, Marjan Brahimi, këtij mësuesi dhe atdhetari të devotshëm të çështjes kombëtare.

Mësuesi Brahimi, gjatë tërë jetës zhvilloi betejë të pa kompromis për shpërndarjen e rrezeve të dijes dhe të diturisë kombëtare shumë brezave shqiptarë. Pra, në historinë e lavdishme të arsimit shqiptar, të përpjekjeve për t’i dhënë dije dhe mësim kombëtar popullit tonë të shumëvuajtur, mirëpo, kurdoherë të papërkulur, figura e Marjan Brahimit, është e shndërruar në simbol të madh, në yll të pashuar frymëzues për brezat e ardhshëm. Kërcënimet, përndjekjet, kurthet e përgatitura për likuidim fizik dhe metodat tjera të trysnisë nga ana e okupatorit serb dhe të qarqeve të caktuara reaksionare të kohës, për asnjë moment nuk kanë arritur që këtë frymëzues të shkronjave shqipe ta mbrapsin nga rruga e tij për të cilën ishte përcaktuar. Moto e veprimtarisë së tij ishte të nxënit e dijes dhe të diturisë kombëtare gjeneratave të reja të kombit të tij që kishin etje të madhe për dije dhe arsim. Dhe, kjo moto i shërbeu si frymëzim për veprim gjatë gjithë rrugës së tij jetësore.

Mësuesi Marjan Brahimi, u lind më 1946 në fshatin Gllaviqicë të Pejës. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, ndërkaq shkollën normale  e përfundoi në Pejë. Pas kryerjes  së normales ai punoi si mësues në shkollën e vendlindjes, në Gllaviqicë. Në këtë kohë, krahas punës si mësues arriti që me korrespondencë të kryejë Akademinë Pedagogjike. Kështu që, Marjani me dekada të tërë shkriu jetën e tij dhe dijen deri në frymën e fundit, duke kryer misionin e shenjtë të mësuesisë në shkollën fillore „Zef Serembe“ në Gllaviqicë.

Mësuesi Marjan gjatë gjithë kohës sa punoi me nxënësit, gëzoi nderimin dhe respektin  e shumë brezave të nxënësve. Breznitë mësuesin Marjan e kanë  vërejtur gjithnjë  udhërrëfyesin e njeriut të urtë e të dashur. Gjithherë bënte përpjekje për të punuar me mish e me shpirt për të mirën e tyre dhe të shkollës shqipe në përgjithësi. Shkollën shqipe ku punoi arriti ta shndërrojë në fole  dijesh dhe njohurish, duke hapur nga ana tjetër shtigje të ndryshme për gjeneratat që pasojnë. „Arsimi është pjesë e jetës sime“,thoshte Marjan. „Është pasuria më e madhe të ndiesh atë botë magjike. Nuk është çështje edhe aq e vogël“, pohonte ai.

Në vitin 1970   vëllai i tija Preka  u inkuadrua në botën e jashtme,  përkatësisht në Austri. Pasi që kushtet ekonomike i kishte të vështira,   mërgimi e vëllait, ishte shumë i rëndësishëm për arye se ishte një mundësi e mirë që Marjani bashkë me familjen e tij të ngriheshin në aspektin ekonomik. Ne familje ishin rreth pesëmbëdhjetë anëtar dhe që të gjithë detyroheshin të jetojnë nga një pagë e vogël e mësuesit Marjan.   Mësuesi Marjan,  pos obligimeve  të shkollës ishte i detyruar  që të interesohej edhe  për familjen, për ta punuar tokën dhe kujdesur për blegtorinë. Po ashtu krahas këtyre punëve edhe veprimtaritë të tjera që i kërkonte kauza kombëtare nuk kishte mundësi t’i lërë anësh dhe kështu ai angazhohej me mish dhe me shpirt në këto aktivitete dhe angazhime në të mirën e kombit të tij.

Në vitet e okupimit, për shumë vite bashkë  me kolegët të tjerë ka punuar pa pagesë vetëm e vetëm që brezat e rinj të këtij  kombi të marrin dituri dhe arsim kombëtar. Në vitin 1999, bashkë me familjen ishte i detyruar që t’i lëshojë trojet e veta  shekullore duke u strehuar në Mal të zi, ndërkaq më vonë duke u shpërngulur për në Kroaci. Aty ka qëndruar deri më të kryer të luftës së përgjakshme në Kosovë. Me tu kthyer në Kosovë, shtëpinë e kishte të djegur dhe  të shkrumbuar, mirëpo me ndihmën e miqve dhe  të dashamirëve ai arriti që ta rindërtojë. U dallua si veprimtar në shkollë dhe jashtë saj. Njëherësh ai u zgjodh  kryetar i fshatit të tij. Zhvilloi një aktivitet të vyeshëm dhe kishte një bashkëpunim të ngushtë edhe me priftin e kishës së fshatit, Don Vinko Palajn, më të cilin arritën të punojë shumë në të mirën e fshatit dhe të lokaliteteve tjera në përgjithësi. Puna e tyre është jashtëzakonisht e frytshme në shumë fusha të jetës në këtë mjedis.

Marjani vdiq më 22 prill 2001 në Gllaviqicë.  Pas vetes la  gruan Lizen dhe katër fëmijët, djemtë Vilsoni,  dhe Vilçencin,vajzat Valbonën dhe Valentinën, po ashtu dhe vëllanë Prekën dhe motrat Dila dhe Vera. Emri dhe figura e mësuesit Marjan do të mbeten të pashuar në kujtesën e familjes, të të afërmve dhe gjithë atyre që kanë njohur. Sepse, ai pas vetes la emrin, la gjurmët e bardha. Puna, virtytet dhe mesazhet e tij  shumëkujt do t’i shërbejnë udhërrëfim ne jetë