Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Ziko: Stinët

| E diele, 17.04.2011, 07:50 PM |


Vangjush Ziko

 

S T I N Ë T

 

 

FËMINIA

 

S' më kujtohet.

Patjetër,

ishte gjiri i nënës,

i njelmët,

i ëmbël

me shijen e jetës.

 

Yjtë e qiellit

mbi djep,

patjetër,

shikonin.

Patjetër,

mbi mua fallxhonin.

 

Një lodërz e lecktë

më ftonte në jetë.

 

Një purtek' e mënjollës

  bënte kalorës.

 

 

RINIA

 

Mëz i hazdisur

me buzët me qumësht.

Për ku më je nisur

mbuluar me shkumbë.

Vrapon pa ndërprerë

në skërka me gurë.

Kamxhikun e erës

s' e ndjen mbi lëkurë...

 

S' e di ti hiç fare,

o mëzi i ri.

 

Mëgojzë të artë

një zanë kalit.

 

 

BURRËRIA

 

Kur piqen frutat,

degët rënkojnë.

 

Kur korren grunjat,

kosat djersë kullojnë.

 

Kopshti im

kujton lulet.

 

Ara ime

blerimin.

 

Një thinj' e balukes

ndjell borën

dhe dimrin.

 

 

PLEQËRIA

 

Mjalt' i hidhur i jetës.

Dyll' i ngrirë

i kujtesës.

 

Ëmbëlsi e velitur

e këngës.

Thumb i topitur

i brengës.

 

Mërmëritje e heshtjes

së varrit.

Ikona e Shën Llazarit

në pikën e tharë

të lotit

Duke pritur

mëshirën e Zotit.