| E enjte, 14.04.2011, 07:22 PM |
Nafi ÇEGRANI
SYTË SI DETI BLU
Në ujëvarë dritash ma lave shpirtin
dhe tash trupit i vie erë bari
zjarrit i frikësohem kur lë hirin
dhe e djeg kujtesën malli
në sytë e tu loz dielli im
me zefirët e stinës ëndërrake
për diell njëmijë këngë u kënduan
e kurrë s’u mbajt festival
edhe pse zëri është shteruar
në sytë e tu loz dielli im
lirikat e dashurisë mbetën vargan
vetëm në altarin e shpresave
mikesha ime që ke emër dardan!
Emrin t’a shkruajta në gurë
dhe e luta Zotin:
- T’u bëfsha burrë…!
E ty grua dhe aromë,
si në baladë e gjallë
si nur...
EKSTAZË MALLI
Në buzët e vashës së mirë
shkrihem si pika e vesës
I etur dhe i dehur nis udhëtimin
derisa e mësoj këngën
balada për pikën e lotit më merrë
e vonë ma kthen buzëqeshjen e ngrirë
le të më gjejë të shkrirë dita
përmbi ato buzë që ëndërrohen prore
plot aromë trëndafili
mall i bekuar
në krahët
e mjellmës së bardhë….
Përtej kufijve të kësaj stine
në buzë u linde.
PRAPË PËR DASHURINË
Bukurinë e kallë në flakë dashurie
këngën e shndërron në melodi baritore
cili di të dashurojë më mirë se unë
Kazanovë e këtyre anëve…
mbretëreshë kërkova
e kurrë s’gjeta mbretëreshë
askush zjarrin s’e fiku
se më dashuroi baresha
medet çfarë dashurie pati
vetëm unë, Kazanova e di
tash jam fikalli me kujtimin
bëjmë roje për dashurinë
dhe jetën që na ka mbetur
Ah, Kazanovë!
Prore jam dashnori yt
në kullën e Babilonit
ty Kazanovë sy zjarri
Unë kalorës
I udhëve të gjata
epos i kësaj toke...
E IMJA LULEBORË
Unë u bëra diell mbi shkrepa
ti u bërë hije malesh
kurorë
- e imja luleborë
vullkanet s’mund të rrafshohen
para hapit të ndarjes
me ty, shpirti tim
unë u bëra puhi magjepse
ti u bëre barrë përjetësie
në syrin e ngrirë
me flokët e tua të zeza korb
truallit i thurrë kurorë
prej guri xhevahir…
- e imja luleborë
KUJTIMET I ÇOVA DIKU
Kujtimet i çova nëpër lugje të verdha,
s’dua të ndjell pikëllimin kob të zi.
Në pellgje i zbrazën varre të thella
dhe bekimin tënd ma vodhën përsëri.
Loti i nxehtë shkëputet nga qepalla
dhe vdes i harruar si gjethi në vjeshtë.
Klithmat përgjaken mes buzëve të vrara,
çuditem që gjëma paska filluar të heshtë!
Ulet mbrëmja përmallshëm sonte
e dhëmbja fiket si gaca brenda fikut
nuk kundërmon më erë korriku
Brenda gjolit hënës i prishet bukuria
çfarë mëkati bënë hajnat sot
zanave u dhurova vargjet e mia
Dhe derdha një det lotë
puhia e muzgjeve
kallë vargun në gji
Marigona mbeti vejushë
loti i mbeti zvarrë në sy…
GURI I ZOGUT
Një klithmë engjëllore shpërthen
aq vrullshëm si rrëke përroskash
dhe përplas kepat e legjendës
në krua gurgullon fjala
si çdoherë e mot kalamendet jeta
nëpër udhë e shtigje të gjata
malli është sa mali i Sharrit
loti sa guri i zogut
sa kreshta e shekujve
malesorët kanë ruajtur virtytin
malësorka dashurinë pa lajka
prore e mba në përqafim
ndër brezni lind shikimi
dhe puthjet nektar luleje
bukuri hyjnore në kërthiza
sërisht nën qepallën e dëndur
hiqet loti mal
sytë e saj shejtërojnë nën tempull
në altarin e legjendës
lindin edhe një mijë dashuri
mbi bjeshkën lehonë
brezat janë të fortë
brezat që vejnë e vijnë!
Ndaj Shekulli bëri vetëvrasje
për ditën e nesërme
bulojnë prore malet e shtogut
atje këndohet elegji
te Guri i Zogut
lind një dashuri -
në tokën e Eposit
këndojnë Zanat
qanë Ajkuna, qanë
për kalorësin e saj
në Lugje të Verdha
zhvishen shpatat cullak
dhe nis dyluftimi
kreshnikët janë gati.
DUKE PUTHUR DIELLIN TËND
- poeteshës korçare -
Në qytetin tënd qielli është i kaltër
ka fruta degë e ullirit
pranë teje erdha
dhe putha diellin tënd
me një buzëqeshje të kulluar
e lava vargun e bardhë
më tha:
- Diellin zgjodha dashnor
vargu yt m’u bë kulm qielli
malli e zjarri më mori
gjaku u trazua buzëmbrëmjes
përsëri pushova te ulliri
duke puthur diellin tënd
nata m’iku si në ëndërr
u bëre gjeth vjeshte
dhe ike sikur flutur
lum ai që pret pranverën
dhe një flutur të bardhë
në blerimin e ëndërruar
me hijen e erës
aromë serenate
Buzët tua të gufuara
në puthjen e engjëllit
dhe një ëndërr
mbi qiellin blu
diell me agun
që lind dashuri!
SY SHARRI
Pse ma more guximin
Perandor
sytë tash kanë humbur shkëlqimin
Perandor
çfarë gjaku ke
ngjyra e kuqlimtë të mungon
Perandor
bano në vetminë tënde
kështjella hijerëndë të takon ty
përballë murlanesh
Perandor
unë bëj jetën time
kurrë se pëlqej fronin e rrejshëm
perandori bolshevike
që ha sytë e Sharrit
sërish lindin prore
Sharrian dhe Sharriza…
SHQIPONJAT FLUTUROJNË LART
Në stinë shekujsh
në kohën e krizës moderne
njerëzit vuajnë nga gandomania
vetëm njerëz përplasur në shkëmbenj
harrojnë të jetojnë përjetësinë
duke shpalle fajtor
- janë gjyqe koti,
një mjegull bie mbi pullaze
ne pleqërojmë ditët nëpër biruca
në ferr për së gjalli
kuvendojmë me retë zibardha
harrojmë të hapërojmë stinët e çala
në vite të humbura
kush ka faj, zgjim i vonë
e nuk po e kuptojmë dhembjen në damarë
- vetëm pse jemi lindur shqiptarë…
Shekujt e nemur ikin zinxhirë
dhe shtatë breza kuvendojnë
me malet mbi male
vashat nusërojnë me hijen
e shqiponjat lartë fluturojnë
mbi Fushë Gjuricë dhe Tropojë
në qiellin mbi Radikë.
ose Vjosë ujëvarë
- Çamëri e bardhë!
GJURMË E FRENGJI
njëmijë shekuj u kalamendën
dhe njerëzit vrapuan kah dielli
gjurmët mbetën në brigje
hije mali në faqe.
njëmijë rrudha i pranoi për banim balli
zjarri e dogji e hiri e mbuloi
dielli u mbeti në shuplakë
si topth zjarri -
ndërtuan kulla me gurët e rrënojave
prapë u falën për prag e frengji
baballarët që lanë gjurmë
në tëbana e gurë -
njëmijë vjet i mbuloi shtërngata
e kurrë mundjen s’e pranuan
lexuan hieroglifet e ekzistimit
si në baladë odash -
lum ata që i bën vend vetes mbi dhe
dhe lanë gjurmë për breza
që lindin në fundshekull përsëri
për një të re betejë jete…