Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Plaga e dhjetë me Hënën

| E shtune, 09.04.2011, 07:57 PM |


PLAGA E DHJETË

ME HËNËN

 

Nga:  KALOSH ÇELIKU

 

Protestë në Shtëpinë Publike

 

Imzot, më diferencuan neokomunistët

dashuri që bëjnë me Ebu Xhehlin

e përhapin SIDËN në Shtëpinë Publike.

 

Përditë dezinfektohem nga Virusi

verë të kuqe pi te Pazari Grave

ballë për ballë Ebu Xhehlit

imam në mesin e kryehoxhallarëve.

Që, ngrenë dolli, dehen me lëngje

Shejtanin e vrasin me eshtra.

E heqin vallen më shpallin të marrë

Ngase: e shava dje Pushtetin

e shaj sot, do ta shaj nesër!

 

Pasmesnate, kthehem në shtëpi

Rrospit? e Ebu Xhehlit

dorë më dorë më hedhin mbi çatia

pak para agimit më dhunojnë mes librave...

 

Shenja e nisjes

 

Nata pa Hënë.

 

Yjet tallen me zjarr

Qiellit i kërkoj fjalë

Dita më bie me shuplakë.

 

Shenja e nisjes, oj Nënë!...

 

Dritare kah Dielli

 

Mesnatë.

Ylli bie shigjetë prapa maleve

Hëna në një lis është varur.

 

Poetin mbi vargje s’e merr gjumi

Nata e hap dritaren kah Dielli...

 

Mesditë

 

Dielli po lind një - tetë këmbë

Hija e gjatë - larg Dielli.

 

Hija një - dy - tetë këmbë

Dielli perëndon - afrohet Nata.

 

Mesditë, pse nuk është - mesditë?...

 

Dardha Gorrice

 

Çafka sot ka hipur në dardhë

Fruta ha nusërohet në këtë kohë.

Baba, e vështirë qenka buka e ugareve

Vargjeve u vjen era ugarë

Toka ka gjak ugari.

 

Dardha plaket në mes të fushës

Çafka sot i del zot me këngë...

 

Luhatje në degë

 

Shkretirë

Qielli ndizet flakë

Dielli saç mbi kokë.

 

Hëna vargun e kërkon

Yjet i shuan vetëm dita.

 

Plaku përkundet në barkë

Ditën e ka zënë gjumi.

Lakuriqi luhetet në degë...

 

Thirrje në mesnatë

 

Mjegullat e zeza

ecin nëpër qiell

do të bjerë shi.

 

Diellit ia kanë lidhur sytë

thirrni rrufetë!...

 

Duarthatë

 

Puthjen nën rrezet e Hënës

Laurë, mos e harro!

Nata oj mike qe e fantazmave.

 

Zemrën mos e shtegto

Greminës së vjeshtës kahmote!

 

Botë e hiçit

 

Qiellit e gjeta veten nën një re

Ujëvarave gjigante të Niagarës

Bulevardeve të stolisura me ferra.

Laurë, thuaj në botën e hiçit.

 

Këmbëkryq e gjeta afër sofrës së zbrazët

Baltës së frytshme të fshatit

Llambave të thyera elektrike.

Laurë, sot të gjitha në vargje i varrosa.

Laurë, jetoj në botën e hiçit...

 

Laurë, ëndërra iku nga unë...

Palaçoja m’i shau vargjet

 

Laurë, deri te Ti eca zvarrë rrugës

Thembrën nuk ia preka Akilit.

Ditën e nesërme tehut të shpatës

Këmbë keq do të eci më gishta.

 

Kashtë hidhni - më shuani me zjarr

Palaçoja, Laurë m’i shau vargjet...

 

Vaje në gjumë

 

Laurë, Ti ke qarë në gjumë

Mesnata ka qenë e ftohtë.

 

Laurë, sonte të mbulova me vargje

Diellin ta zbrita në dhomë.

 

Varg s’kam pasur ta djeg dhomën...

 

Ankand te Pazari Grave

 

Vjen derisa unë rrokullisem lëmsh

me të Dashurën e Omar Khajamit

e shahem me librat horror.

 

Kot, para s’kam të të huazoj për bukë

Palaçot nderohen me shpërblime.

 

Asgjë s’kam, vetëm pagjumësi...

 

Konferencë kombëtare

 

Rastësisht të takova në rrugë

të kishin dëbuar nga Partia.

 

Urdhëro: unë s’jam Uolt Uitmani i madh

as miku im, Mirko Gashi - bohem

unë jam Kalosh Çeliku - rebel

dhe me Ty do të pi verë.

 

Nëse të ka përzënë Partia

vogëlushe, unë nuk të përzë...

 

Minare për ezanin

 

Vapa e ka mbyllur derën

terri nëpër dhomë e heq një valle.

Miken e kanë dhunuar fjalët.

 

Mëngjes. Mikja para mikrofonit

kërkon një minare ta thirrë ezanin...

 

Mos gërmo thellë

 

Mos gërmo shumë thellë

se do të hasësh në gur

varre e eshtra!

 

Mos gërmo shumë thellë

se do të hasësh në plagë

do të shpërthejë vaji!

 

Mos gërmo shumë thellë

se do të mbytesh në mua!...

 

Mike s’kam

tjetër Kalosh

 

Mike, s’kam tjetër Kalosh

të shtrihet me Ty në shtrat.

 

Mike, s’kam tjetër Kalosh

pa dy shtamba verë...

 

Pushtimi i Shkupit

 

Kur qentë e pushtuan Shkupin

e u strehuan te Pazari Grave

kockat dolën nëpër Qytet

u lëpinë nëpër Bit-Pazar.

 

Kur qentë e pushtuan Shkupin

Mikja u vesh në të zeza...

 

Vrapim pas shpërblimit

 

Mijëra vjet në këtë Tavernë

Ne të dy pimë verë.

Lehin gojëligat - lehin qentë.

 

Mijëra vjet në këtë Tavernë

ne shkruajmë poezi.

Plasni gojëliga - lehni qenë

të mos mbetni pa shpërblim!...

 

Urraaa e palaçove

 

Urraaa, bini - linçe intelektuale

biseda informative në polici

e linçe fizike

e pi verën.

 

Urraaa, nëpër Bit - Pazar

mbylljani të gjitha dyert

dritaret me hekura

përzëreni nga puna

burgoseni, torturone

i këndoi Mikes.

 

Urraaa, mbylljani gojën

shpalleni spiun – tradhtar!

Shkaku: na hyri nga oxhaku

e do Miken. Dhe, Atdheun...

 

Diagnozë e Rrospive

 

Heu miqtë e mi, me një këmbë në varr

trumbetoni se jam kundër të gjithëve.

Në Unionin e viçave

ma keni paraparë diagnozën

se së shpejti do të çmendem.

 

Hi-hii-hiii... Viçat - shkencëtarë

që s’ngopen me barin mbi varr...

 

Veten për darkë

 

Përditë e ha ngapak Veten

nga këmbët te koka.

E përsëri kam uri.

 

E shtroj në sofër

Veten time për darkë.

 

E përsëri kam uri...

 

Dera ime - oxhaku

 

Në jetë dikush

hyn nga dera.

 

Derën ma mbyllën kulturofagët

dritaren – Rrospit?.

Mua fisit të kaçakëve

që hyj nga oxhaku...

 

Miqtë e Kalosh Çelikut

 

Unë jam Kalosh Çeliku - rebel

aq më bënë për policët

oborrtarët e pushtetin.

Miqtë më të mirë i kam gratë

Poezinë. Dhe, verën.

 

Unë jam Kalosh Çeliku - rebel

aq më bënë për spiunët

kukullat, mashat shqiptare.

 

Miqtë më të mirë i kam gratë

Poezinë. Dhe, verën...

 

Luftë me Veten

 

E lehtë është lufta me armikun

e vret, ose të vret.

 

E rëndë është me Veten

as të vret, as mund ta vrasësh...

 

Azil politik

 

Qentë kur mu ndërsyen pas shpine

vetëm për një asht - shpërblim

e kulturofagët – këlyshë me zgjebe

ditënatë të Nënës Parti...

 

Unë Mike ika nga Atdheu

te Ti kërkova azil politik...

 

Plaga e dhjetë

me Hënën

 

Nëntë vjet e mbyta Veten me verë

Gjithë Natën duke shkruar poezi.

Mëngjes. I zgjuar me Hënën.

 

Nëntë vjet ndeza një qiri

Me Hënën e plotë mbi Liqe

Jerm mes shtambave me verë.

 

I çmendur pak para agimit

U zgjova nga varri im me libra…

 

Rrapin e kam Tyrbe

 

Rrapin e kam Tyrbe. Vera

Nën te rrjedhë lum. Pini!

Unë jam i bekuar. Zbrita nga qielli

Cuca Boheme me dy Shtamba verë

Dje, më ktheu në jetë. Ringjalli.

Poezinë e kam grua. Cucën Boheme

Dashnore. Që më vodhi nga vdekja.

 

E më ktheu përsëri nën Rrap. Tyrbe…

 

Dhe ky

jam Unë

 

Mu tha goja. Fyti, Imzot

Mos keni një shtambë verë?

Vapë. Ende kam etje

Poezia më ka mbetur në fyt.

 

E volla dashurinë. Miken

Lirinë. Dhe, ky jam Unë…

 

Grua natën e mirë

 

Grua, natën e mirë! Ika.

Pasmesnate, më pret një Grua tjetër:

Poezia. Dhe, është xheloze.

Nëntë burra nuk mund ta bëjnë zap

Natën.Vetëm Unë ia jap hakun.

 

Grua, natën e mirë! Ika

Falemnderit. Që, nuk je xheloze...

 

Gruaja besnike

 

I dëbova armiqtë rreth Meje. Edhe Miken

Vetëm poezinë nuk mund ta përzë. Nuk ik.

 

Është grua besnike. E do burrin...

 

Unë jam Ujk. Dhe,

dua plagë!...

 

Grua, mirëmëngjes. Erdha

Unë jam Ujk. Dhe, dua plagë!

 

Edhe Ajo nuk ishte xheloze...

 

Testament para Vdekjes

 

Ebu Xhehli më pret te xhamia

e di, do të më shpjerë në Xhehenem.

 

E Unë do ta lë me testament:

të më përcjellin rrugës pas Çuke.

 

Mike, shqyeji daullet e ciganëve

poetë, mbani një minutë heshtje

para dy shtambave me verë

sa ta mashtroj Ebu Xhehlin

e t’i futem tinëz në Xhenet!...

 

Deri sot askushi

s zuri rob lufte

 

Pusi çdo anë. Shkrepje armësh zjarri

Shtinë trusakatët. Këlyshët me zgjebe.

Vetëm, “plumbat” e xhadive përpak vranë

Shpallin hero lufte te Parku i Grave.

 

Vërtetë burrënesha, ia dinin rendin luftës

krahasim me burrat me pashterka.

, nuk dilnin mejdan, ballë për ballë

Po, tinëz shtinin nga pusia. Ferra pas shpine.

 

Dhe, deri sot askushi s zuri rob lufte...