Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sarë Gjergji: Bibla dhe roli i saj në letërsi

| E shtune, 09.04.2011, 07:58 PM |


BIBLA DHE ROLI I SAJ NË LETËRSI

 

Nga Mr. Sarë GJERGJI

 

Bibla nuk është vetëm libri  më i lexuar në histori. Ajo, si asnjë libër tjetër, në të gjitha epokat e historisë njerëzore, ka prekur, ka frymëzuar e ka ndikuar personalitete të mëdha të fushës së letërsisë, të filozofisë, të pikturës, të muzikës, të skulpturës, të arkitekturës, thjesht ka ndikuar në çdo fushë të artit , të kulturës e të mendimit njerëzor përgjithësisht. Duke pasur për bazë Biblën, duke u frymëzuar dhe ndikuar nga ajo, artistë botëror krijuan veprat e tyre të jashtëzakonshme. Dhe shembull i mirë për këtë janë Mikelangjelo, D. Aligieri, Xh. Bokaçio, Betoveni, Mocarti, Gjon Milton, Dostojevski, Tolstoi, Hajne, Gëte, Khajami, Xh.B. Sho, Bodleri, Hygo, D. Kish, Tolstoi, A. Kamy, Prusti etj.etj.

 

Bibla në letësrinë evropiane

 

Bibla është libri më i njohur dhe më i përhapur, dhe se në qytetërimin perëndimor  ajo qëndron si një bazë e të gjitha shprehjeve zhvillimore shpirtërore, sidomos në letërsi dhe në artet figurative, në gjuhësi dhe në mendimin filozofik (Prof. Dr. E.Sedaj). Ç’është e vërteta, Bibla është përmbledhje librash, të cilët në vete përmbajnë bërthamën e aftësisë mendore, kulturën e përbashkët njerëzore, harmonizimin e religjionit monoteist, nivelin e progresit filozofik, etik dhe estetik, por edhe shkallët e qytetërimit dhe gjendjen e tij në periudhat e caktuara të historisë. Ndërsa, shkenca bashkëkohore biblike sot në vete ngërthen disa disiplina siç janë: hermeneutika ose shkenca e interpretimit të saj, historia, gjeografia, arkeologjia dhe filologjia biblike me lëndët e veta të studimeve. Ato të gjitha së bashku i shërbejnë ekzegezës ose hermeneutikës aplikative, përkatësisht interpretimit dhe përpunimit e studimit të librave, fragmenteve, fjalive dhe fjalëve nga Bibla (Nebi Islami). E shkruar prej autorësh të shumtë e në kohëra të ndryshme, Bibla bashkon në vete forma të ndryshme të shkrimit, gjini të ndryshme letrare, prandaj  brenda saj do kemi: këngë, mite, tregime, histori, prozë, poezi, përrallëza, legjenda, ditarë, epope, kronika, dialogje, profeci, lutje.. Prandaj Bibla, si një libër me vlera të mëdha letrare u bë ndër shekuj një gurrë e pashtershme dhe burim frymëzimi për krijues të shumtë, të cilët huazuan prej saj motive të shumta, personazhe, ngjarje, simbole, figura  metafora etj.etj. Në të vërtetë , studiuesi i njohur, Nortrop Fraji (Anatomia e kritikës) është i mendimit se letërsia perëndimore  ka qenë e ndikuar nga Bibla më  shumë se nga çdo libër tjetër.  Prandaj, mosnjohja e Biblës kërcënon të kuptuarit të pjesës më të madhe të letërsisë, të artit, të muzikës, të filozofisë e të kulturës perëndimore. Një dëshmi e mirë që do sforconte mendimin e mësipërm të Frajit, veç të tjerave, është edhe letërsia gjermane.

Jo vetëm në qarkun letrar gjerman, mbretëron mendimi se asnjë libër nuk ka ndikuar më fuqishëm në katër shekujt e kaluar në gjuhën dhe letërsinë gjermane se sa Bibla e përkthyer në  këtë gjuhë nga reformatori,  Martin Luter, në fillimet e shekullit XVI. Janë të njohura, prandaj, diskutimet e shumta letrare për Biblën, të cilat nga Klopshtoku, nëpërmjet Gëtes e romantikëve arrijnë deri te Rainer Maria Rilke dhe Brechti, i cili i pyetur se cili libër ka ndikuar më shumë tek ai, përgjigjet prerë se është Bibla. Biblën e përkthyer nga Luteri, gjermanët e konsiderojnë bazë të artit të tyre. Nga ky kënd, letërsia gjermane në krahasim me letërsinë italiane, frënge e angleze nuk kishte më pse të druhej. Është i pafund numri i krijuesve botëror që në veprat e tyre e kanë  Biblën qoftë si model krijues, qoftë për motivet, qoftë për figurat, simbolet, qoftë si diskurs letrar, si hipotekts, qoftë si referencë etj. e tj. Edhe letërsia gjermane, e kemi fjalën për letërsinë e krijuar  pas përkthimit të Biblës në këtë gjuhë, njeh numër tejet të madh krijuesish të cilët në një ose formë tjetër do mbështeten tek Bibla.  Kështu, veprat e Klopshtokut (1724-1803) janë derivime  biblike.  Mesia ( e shkruar ndërmjet viteve 1748-1773) që në qendër të saj ka Krishtin, është e ndikuar nga Besëlidhja e Re. Mesia është një vepër lirike-epike mbi vuajtjet, vdekjen dhe ngjalljen e Krishtit. Sipas studiueses Ljerka Sekuliq,  suksesin  (e Mesias, vër. S.Gj.) e ndihmoi edhe zgjedhja nga materiali biblik, flijimi i Krishtit për çlirimin e njeriut – që e aktualizoi simbolikisht tendencën e qytetarisë për “shpëtim” nga detyrimi jonjerëzor i shoqërisë (L. Sekuliq). Po me tematikë biblike janë edhe veprat e tjera të këtij shkrimtari, si: Vdekja e Adamit (1757), Salomoni (1764) dhe Davidi (1772), gjë që shihet edhe nga vetë titujt. Edhe te shkrimtari i madh Gëte, do të hetojmë praninë e Biblës. Kështu  pjesa Prolog në qiell  e Faustit është e inspiruar nga Libri i Jobit (1:6-12), ndërkaq që edhe librat e tij të tjerë, qofshin në poezi, roman a pjesë teatrale janë përplot citate biblike. Fridrih Hölderlin (1770-1843) me elegjinë Bukë dhe verë tematizon darkën e fundit të Krishtit, të cilin e quan Zotëri e Mësues, për të reflektuar një marrëdhënie më të përafërt, më intime, njësoj si Gjoni ungjilltar, rolin e të cilit e luan edhe te himnet Patmos, një krijim tjetër i ndikuar nga Bibla. Po motivet biblike do jenë të pranishme edhe tek Novalis (F.Hardenberg), si te  Këngët shpirtërore (1799), ose te Clemens Brentano (1778-1842), në Serenata dhe rruzare (1810), një përpjekje kjo për një epos botëror të krishterë, ndërkaq Reiner Maria Rilke (1875-1926), botoi: Vajtimet e Xhonatanit, Ngushëllimi i Elisë, Jeremia, Ester, të gjitha me motive nga Besëlidhja e Vjetër, ndërkohë që paraqitet edhe me poezitë Kryqëzimi, I ringjalluri, për të përmbyllur një cikël me motive biblike me Jeta e Marisë.  Një tjetër shkrimtar, vepra e të cilit do jetë me përmbajtje biblike është edhe Thomas Mann (1875-1955). E tillë është Jozefi dhe vëllezërit e tij, libër kjo e ndarë në katër pjesë: Historitë e Jakobit (1933); Djaloshi Jozef (1934); Jozefi në Egjipt (1936) dhe Jozefi ushqen familjen (1943). Është kjo një histori e njohur biblike. Romani është një pasqyrim i kohës i mbështjellë me një vel biblik. Autori qe edhe vet i mërguar dhe çështjen e eksodit e trajtoi mbi hipotekstin biblik: Mojsiu 1:37-40. Njëri ndër autorët  më të suksesshëm të letërsisë bashkëkohore gjermane, Stefan Heym (1913-2001), bazuar në historinë biblike të mbretit David, i cili gjithashtu kishte huqet dhe të metat e veta, në librin Mbreti David, raport,  paraqet sistemin politik totalitar në Gjermaninë Demokratike. Heroi i romanit, Ethani, i bën një raport mbretit David, por që rebelimin e tij kundër sistemit nuk guxon ta thotë hapur, por e fshehë “nën rreshta”, për shkak të mungesës së shprehjes së mendimit të lirë.  Janë një tjetër kategori  e shkrimtarëve gjerman të shekullit  XX, si: G. Trakl (1887-1914), N. Sach (1891-1970),  P. Huchel (1903-1981), E. Meister (1911-1970) dhe P. Celan (1920-1970), në veprat e të cilëve hasim Psalmet dhe atë psalme pendese, si reagim për katastrofat e problemet e shekullit XX. 

Duke qenë një libër bazë, libër në themelet e qytetërimit  perëndimor, Bibla përgjatë gjithë  ekzistimit të saj ka vazhduar së ushqyeri me lëndë letërsinë, krijues e studiues të fushave të ndryshme të artit e të mendimit njerëzor përgjithësisht.

Bibla është  një tekst në lëvizje, do thoshte studiuesja Feride Papleka.  Si e tillë,  ajo komunikon me të gjitha epokat e mendimit njerëzor (letrare, filozofike etj.). Bibla është gjithnjë  një sot dhe flet  gjithmonë me të tashmen. Një veçori e këtillë, patjetër që do ta bëjë Biblën një libër të pazëvendësueshëm për krijuesit, jo vetëm të artit letrar. Duke pasur një hapësirë të gjerë përmbajtësore, Bibla paraqet kodin e madh letrar të kulturës dhe të civilizimit evropian (Prof. E. Sedaj). Tematikat e shumta që gjenden në Bibël, si: dashuria, eksodi, tradhtia, vrasja, robëria, paqja, hyjnorja, shpresa, ringjallja,  sprova, mëkati, humanizmi, premtimi e shumë të tjera janë dhe tematika frymëzimi për krijues të shumtë.  Veç kësaj, duke pasur parasysh edhe rrethanat (shoqërore, politike) në të cilat shpesh u gjenden krijuesit, për më tepër në rrethana të disfavorshme për lirinë e mendimit ose edhe sanksionim e saj, është Bibla ajo që krijuesve do iu ofrojë strehë, një mundësi dhe model se si mund të shpreheshin ata, siç do të vepronte Milton tek Parajsa e humbur, ta zëmë.  Por Bibla si një tekst në lëvizje, si Libër i Shenjtë do ushqejë me lëndë letrare, me lëndë arti edhe Manconin. Prandaj, rrymimi kryesor dhe botëkuptimi që e shpreh romani i tij (Të fejuarit, vër.S.Gj.) – është moralizimi i krishterë, katolicizmi dhe synimet e tij, ideali moral që del prej këtyre synimeve (Prof. Hasan Mekuli). Po nga i njëjti moral, po nga i njëjti shpirt biblik janë të frymëzuara edhe Himnet e shenjta, me të cilat donte të kremtonte festimet kryesore të viti liturgjik e të ofronte një shembull të lirikës së re, që do të ishte  e tipit koral dhe objektiv. Nga dymbëdhjetë, sa kishte menduar të  bënte, Manconi kishte përfunduar vetëm pesë himne: Ringjallja (La Risurrezione) – (1812);  Emri i Marisë (Il nome di Maria) – 1812-1813); Krishtlindjet ( Il Natale) – (1813); Pasioni (La Passione) – (1814-1815) dhe Rrëshajët (La Pentecoste) – (1822, redaktimi i tretë).

Studiues të shumtë, duke pasur parasysh ndikimin e Biblës tek  krijues të ndryshëm, flasin edhe për një letërsi të tërë kishtare botërore e për një philosophia biblica-philosophia Christi.

Kur flasim ose shkruajmë për traditën letrare dhe për ndikimet biblike në letërsi, atëherë me të drejtë do të aplikojmë edhe termin letërsi kishtare, term ky  letrar-shkencor që aplikohet me dekada  dhe shekuj në historinë e letërsisë botërore, prandaj, në dritën e këtij pohimi po theksojmë se në historinë e letërsisë botërore mund të lexohet jo vetëm për ekzistimin e letërsisë kishtare, por edhe për llojet e ndryshme të kësaj letërsie me ç’rast edhe janë aplikuar termat: drama kishtare (që në mesjetë ishte pothuaj e vetmja formë e dramës së zhvilluar dhe embrion prej së cilës u zhvillua drama moderne evropiane dhe teatri modern), drama liturgjike (e cila kulmin e vet e arriti në shek. XII), himni kishtar, shkrimtarë kishtarë etj. etj. Si përfaqësues më eminent që janë  frymëzuar nga Bibla janë: Shën Ambrozi (340-397), Shën Jeronimi (340-420), Shën Augustini (354-420), Shën Toma, Beda Venerabilis (670-735), Euzebi i Cezarisë (260-340) etj., pa të cilët nuk mund të paramendohet asnjë histori e letërsisë botërore (Prof. Isak Ahmeti).

 

2. Bibla në letërsinë shqipe

 

Dihet që Bibla është një antologji e çuditshme e shumë librave të shkruara në kohë të ndryshme (M.Zeqo), dhe se ndikimi i saj është tejet i madh për letërsitë e kombeve të ndryshme. Së këndejmi, letërsia shqipe nuk bën përjashtim nga  letërsia botërore e ajo evropiane sa i përket ndikimit të saj prej Biblës. Përkundrazi, letërsia shqipe e filluar me Formulën e Pagëzimit të Pal Engjëllit (1462), si asnjë letërsi tjetër në botë, që në origjinë të saj mund të cilësohet si një letërsi biblike.

Ndikimin e literaturës biblike në shkrimin dhe krijimtarinë shqipe, sipas studiuesit Nuhi Ismajli, mund ta shohim në mënyrë të veçantë në idetë biblike për Fjalën (e cila siç dihet identifikohet me Perëndinë, Dritën, Jetën; Gjoni, 1,1-4) dhe në idetë e pikëpamjet  biblike për  Gjuhën, për gjuhën si dhunti të Zotit, natyrisht  për gjuhën kombëtare (Vap.2, Kor. 1, 14). Të nxitur e të udhëhequr nga pikëpamje të tilla biblike, do të shkruajnë edhe Budi (poezia XVI: “Tashti të lus, ndritmë muo,/ Zoti im me një rreze,/ Si të jetë urdhënuom / Shpirti shint prej te/ Shqip të mundëj me rrëfyem,/ ndonjë kankë të re”), edhe Lekë Matrënga, i cili me vargjet: “Gjithëve u thërres, kush do ndëljesë,/Të mirë të krështee, burra e gra / Mbi fjalë të tinzot (kupto: arbërishte, S.Gj.) të shihi meshë” te “Këngë e Përshpirtshme, hyjnizon gjuhën shqipe, arbërishte. Është ky hyjnizimi më i hershëm shqipes që njohim gjer më sot. Edhe Buzuku do ta shkruajë Mesharin (sajim i përshtatjes së paratekstit, siç do thoshte Dr. F. Cakolli, i Biblës pra) nga dashuria për botën amë. Me këtë libër, ndërkaq, sipas studiuesit Prof. Dr. Z. Rrahmani, fillon teoria e shkrimit të shenjtë, por e cila do shtjellohet më tej tek Bogdani.

Nga kjo që shënuam më sipër, mund të kuptojmë se pikëpamjet e porositë biblike,  kanë ndikuar  në nxitjen e aktit krijues, të të shkruarit shqip. Por jo vetëm si nxitje e të shkruarit, e të krijuarit. Bibla është edhe model krijimi (edhe kompozicional, si p.sh. Çeta... e Bogdanit), edhe paratekst, hipotekst. Herave të tjera është një tekst që edhe kontekstualizohet, ose thënë me gjuhën e teoricienëve të kohëve të fundit se veprat janë bërë prej veprave të tjera: të bëra të mundshme prej veprave fillestare që i thithin, përsërisin, sfidojnë, ndryshojnë. Ky nocion nganjëherë quhet me emrin e hirshëm “ndërtekstualitet”. Një vepër është ndërmjet dhe në mesin e teksteve të tjerë përmes lidhjeve të saj me këto (Xh. Kaller).

Letërsia shqipe, po thuaj, për gjatë gjithë shekujve të gjallimit të saj, ka tematizuar identitetin kombëtar. Kjo, për arsye të rrethanave historike në të cilat u gjend populli ynë. Kështu krijuesit tanë, që  të shumtën e rasteve ishin dhe klerikë, kishin barrën e dyfishtë: artin, artin e të shkruarit dhe udhëheqjen e popullit, vendit drejt lirisë. Këta krijues  (klerikë) duke e njohur mirë Biblën dhe mësimet që dalin nga ajo, është krejt e natyrshme, prandaj, të mbështetën fuqishëm  tek Bibla e të ndikohen nga ajo. Ç’është e vërteta, integrimi i Biblës në letërsinë tonë, pjesëmarrja e saj, kur më pak e kur më shumë, në zhvillimin tonë kulturor dhe  shpirtëror prej kohëve më të lashta, kur iliro-shqiptarët nga vetë Shën Pali dhe Shën Mateu kanë njohur dhe përvetësuar në shpirtin e tyre, në jetën e tyre, vlerat morale, filozofike, patriotike dhe letrare të Biblës e deri më sot, nuk ka vetëm vlerë historike, sidomos gjatë periudhave të ndryshme të letërsisë sonë (I.Ahmeti). Bibla me vlerat dhe vitalitetin e saj që ka e që reflekton ka pasur një ndikim të madh  te autorët e të gjitha periudhave letrare, si: Shën Jeronimi e Shën Niketë Dardani, Barleti, Maruli, Beçkemi,  Pal Engjëlli, Buzuku, Budi, Bogdani, Matrënga, N.Brankati, N. Filja, Variboba, Serembe, Santori, Skiroi, De Rada, De Martino, Naumi, Naimi, Prenushi, Çajupi, Gjeçovi, Noli, Lasgushi, Haxhiademi, Fishta, Kadare, A. Podrimja, Z. Rrahmani, Gjerqeku, A. Shkreli, M. Gashi,  I.Ahmeti e tek shumë autorë të tjerë.

Nga kjo çetë krijuesish, është krejt normale dhe reale të ketë krijues të tillë që do të jenë ndikuar në shkallë, nivele e forma të ndryshme nga Bibla. Për më tepër, ndikimi i Biblës në letërsinë shqipe është krejt i natyrshëm edhe për arsye të  rrethanave të gjithmbarshme shoqërore e historike, zhvillimeve dhe proceseve nëpër të cilat kaloi kombi ynë nga njëra anë, dhe të rrethanave kulturore e civilizuese nga ana tjetër. Kjo edhe e vë letërsinë e kulturën tonë në shtratin e përbashkët të letërsisë e të kulturës së civilizimit e të qytetërimit perëndimor. Prandaj, tendenca që letërsia shqipe të shihet jashtë këtyre rrjedhave (evroperëndimore) nuk ka mbështetje në kurrfarë argumentesh.

Letërsia shqiptare fillon me dy kolosët e mëdhenj të kulturës e të civilizimit perëndimor: me Shën Jeronimin e me Shën Niketë Dardanin. Si të tillë edhe duhet trajtuar atë.