| E shtune, 09.04.2011, 07:57 PM |
Rita Saliu
NË KOSHARE...
Sa e vështirë qenka Bacalok
Të jesh në Koshare pa Agimin e Saliun
Kur majave të lisave fluturojnë shqiponjat
Të nxitura nga fluturimi i tyre përtej
Oqeanesh
përtej mjegullës shtrigë me sy të robërisë
Nuk do të vijnë as kësaj radhe, u thash
Kanë shkuar në bregun tjetër
Për të sjellë pak diell
Dhe pak bukuri për lulet e shkelura të dheut
Sa vështirë qenka Bacalok
Të jesh në Koshare pa të rënët
S'të njohka njeri në mjegullën e rënë
Nga motet e mërzitura për mungesën e tyre
Sa vështirë qenka Bacalok
Të jesh në Koshare pa trimat
Ku vetëm dy rrasa të vetmuara
Përpiqen ta përjetësojnë historinë
Tej pyllit të lirisë mos shkoni pa ne , më thanë
E një rrufe qëlloi lisat më të gjatë të bjeshkës
Që ruante kujtimet për ditën e flijimit
Sa vështirë qenka Bacalok në Koshare
Të përballesh me dhimbjen
Dhe me harrimin e atyre që pane nga shpati
Si vdiset për dashurine
Prishtinë, 11 prill 2010