Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tefik Selimi: Intervistë me Emine Toskën, këngëtare, aktore...

| E shtune, 09.04.2011, 07:51 PM |


Intervistë me Emine Toskën, këngëtare, aktore...

 

Eminja këngëtare, aktore e regjisore...

 

Intevistoi: Tefik Selimi

 

Emine Toska është emër i njohur jo vetëm si interpretuese e këngës së lehtë, por edhe aktore e skenës teatrale. Ajo ka bërë emër në artin e këngës e aktrimit. Pse jo? Sepse, natyra e saj prej një femre me talent, është e lindur dhe e lidhur me artin e këngës e me artin e skenës. Ajo, kënga e aktrimi, janë Një zë ART-i. Zëri i saj është melodik e tingull i rrallë prej një femre urtake, por shumë ambicioze dhe plot energji pune e jete. Kjo këngëtare gjilanase, në vete ngërthen një njeri të fortë e të formuar me shije të hollë në disa fusha të artit të dijes. Emine Toska është nga Gjilani, por jeton në Prishtinë. Ajo jeton me këngën e me artin e skenës, por së shpejti do të “pasurohet” edhe me diplomë për regji. Andaj, për lexuesit tanë zhvilluam një intervistë për gazetën “Bota sot”.

 

“Bota sot”: Cila është Emine Toska, sot?

Emine Toska: Sot jam një aktore e diplomuar në Akademinë e Arteve në Prishtinë, dega aktrimit dhe jam para diplomimit po në Akademin në fjalë për MASTER, në regji teatri duke mos iu ndarë asnjëherë këngës që e kam në shpirt dhe njëherit, ky art më plotëson “pjesën” time si aktore, edhe si njeri. Të gjitha këto i ushtroj me vullnet e pasion. Dhe i gëzohem bagazhit tim të pasur prej një artisteje të kompletuar dhe të plotësuar artistikisht të kësaj kohe që e kemi përpara...
 
”Bota sot”: Si keni hyrë në artin e skenës dhe ate të këngës?

Emine Toska: Po. E di, si sot, kur isha fëmijë, më ka pyetur dikush: çka do bëhem kur të rritem, përgjigjja ime ka qenë aktore dhe këngëtare. Kjo më dukej vetëm ëndërr te ne të jesh aktore e këngëtare me “nam”. Por, ja që kjo ëndërr u bë realitet, edhe pse dua akoma të japi më shumë nga vetja ime,  besoj. Dihet, ca gjëra nuk po ecin mbarë. Sa i përket kulturës dhe hapësirës që do të duhej të na jepej disa artistëve, kjo nuk është në “takt” të mbarë. Është kohë kur matrapazët e diletantët i kanë marrë në dorë frejtë e kulturës. Por, shpresoj në të ardhmen të jetë një periudhë kalimtare, e cila nuk do të zgjas shumë, se ndryshe, arti sot është në duart e atyre që iu janë servile politikës aktuale.
 
”Bota sot”: Çka do të thotë për ju të jeni aktore dhe këngëtare?

Emine Toska: Shihni, kjo do të thotë shumë. I dua te dy rolet. Me flejnë në shpirt. Nuk është thënë rastësisht thënja se, artistët janë ambasadorë të një shteti dhe përçues me shprit që e transmetojnë direkt mesazhin e tyre tek populli. Për ate duhet të bëhet përzgjedhje dhe filtrim “strikt” i artistëve se kujt ti ipet prioritet të prezantojë para publikut, sepse kështu edhe publiku po heziton, pastaj të shkojë në evenimente kulturore, artistët e mirë lihen nën hije, atëherë ata e nuhasin se dicka nuk është në rregull. Mu kjo e zbeh edhe karrierën e ndonjë artisti që është i mirëfilltë e që aktivizohet në ditët e sotme. Është mëkat kjo punë që bëhet. Gara duhet të jetë e fortë në mesin e aktorëve, në mënyrë që të nxisin njeri tjerin për të punuar sa më tepër për të shkëlqyer në mesin e më të mirëve, e jo vetëm të jetë me rëndësi ,,pjesëemarrja” e tyre...
 
”Bota sot”: Jeni para diplomimit në Master për regjisore e teatrit, çka do të thotë kjo për ju?

Emine Toska: Ju them, se jam para diplomimit për Master për regjisor. E pëlqej këtë “zanat” artit dramatik. Pse jo? Ka angazhim të madh, por, besoj do t’ia dali me punë të vullnetshëm e të ngulmtë. Siç dihet, në këtë fushë të artit po bëhen marifetllëqet e shumta në ditët e sotme në kulturë, ku aktorët janë servilë të drejtueseve të kulturës ose të ketë lidhje me njerëzit e politikës, kjo gjë jo vetëm që po na brengos, por edhe po e dëmton “imazhin” e artit tonë në pëgjithësi. Janë njerëz pa “shije” artit dhe nuk e kanë vizituar as teatrin dhe as nuk dinë të flasin e as të shkruajnë gjuhën shqipe drejtë, ku qartë shihet që u mungojnë shprehjet dhe janë tmerresisht të varfër në fjalorin e tyre të gjuhës shqipe, e lëre më shprehjet dhe mendimet e nivelit artistik e estetik të tyre.
 
”Bota sot”: Cilat janë shpërblimet e juaja si këngëtare, por edhe si aktore?

Emine Toska: Nuk dua ti shpalosi ato, për faktin se dua të jem modese. Të tilla kam shumë dhe më të ndryshme. Atëkohë, kur kam qenë shumë aktive, si me shfaqje, ashtu edhe me këngë, s'ka pasur aq festivale sa ka sot. Po ndoshta më mirë ka qenë atëherë, sepse shpërblimi dhe pasuria më e madhe ka qenë vlerësimi i publikut dhe kritikëve të artit. Shpërblimet në letër asnjëherë nuk janë vlerësime reale, e aq më pak në këtë kohë, sepse bëhen kompromise, pazarëlleqe, imponime, marrëveshje, balansime, ndikime nga politika, klanet e deri tek ndikimet më të ulëta. Por, prapë se prapë ka ardhur deri te ajo që të shpërblehet dikush që nuk e ka pasur potencën dhe kualitetin e nevojshëm për ta marrë atë shpërblim.
 
”Bota sot”: Cilin zhanër të muzikës (këngës) e preferoni ose e adhuroni?

Emine Toska: E preferoj më shumë zhanrin e muzikës së lehtë, i cili më përshtatet shumë për interpretim. Por, fatëkeqësisht, sot në gjithë botën kërkohet muzikë me dinamike, e te ne këtë nuk e pëlqejnë shumë. Prandaj, unë e kam sprovuar veten në disa zhanre dhe nuk jam ndier keq dhe kam kaluar shkëlqyeshëm. Shumë kam bërë këngë për “qejfin” tim, por vështië ka qenë të plasohen dhe të pëlqehen nga publiku. Kam angazhuar kompozitorë shumë të njohurë dhe tekstshkrues për këngë artistike, por s’ka pasur shumë të interesuar për to dhe vetëm kam paguar shumë për realizimin e tyre, sepse këto këngë, për fat të keq, as nga televizionet nuk vlerësohen
 
”Bota sot”: Emnja sot, por cila ishe dje?

Emine Toska: Si të shtoj: kam qenë një vajzë që gjithëmonë jam sjellur si e rritur, me një qëndrim dinjitoz, e dëgjueshme, e përkedhelur nga të gjithë, pak tekanjoze dhe njeri që e sfidon vetën në shumë sfera. Për këto nuk pendohem kurrë, por më vjen keq që kam qenë dhe vazhdoj të jem shumë modeste. E adhuroj modestinë. Pse jo? E, te ne, modestia e madhe, keqëkuptohet dhe keqinterpretohet në disa raste. Ndihem krenare me të arriturat e mija, gjithmonë duke u bazuar vetëm në talentin, punën dhe forcat e mija, e posaçërisht në kohën dhe rrethanat në të cilat jam fomuar dhe kam zhvilluar veprimtarinë time, karrierën time prej aktoreje, këngëtareje dhe tani edhe të një regjisoreje të ardhshme.
 
”Bota sot”:Cilat role i keni luajtur në skenën teatrale?

Emine Toska:Kam të realizuara mbi pesëdhjetë role në skenat e teatrove të ndryshme, e me dhjetëra në filma të metrazhit të shkurtër dhe atij të gjatë. Do ti përmend disa prej tyre. Në rolin e Hindës në shfaqjen ,,Sfinga e gjallë", në rolin e Maria Magdalenes dhe të Kaltrines në shfaqjen ,,Darka publike", në rolin e Zanës në shfacjen ,,Ditëlindja", në rolin e Elmirës në shfaqjen ,,Ligatina", vajzën e gjeneralit te shfaqja ,,Gjenerali i ushtrisë së vdekur", rolin e gruas në shfaqjen ,,Anonimi i Vendikut" , stjuardesen franceze në shfaqjen ,,Stjuadesat", shtatë rolet e femrave te shfaqja ,,Provo edhe një herë sem", rolin e gruas qytetare te shfaqja ,,Mos e prek", rolin e gruas te shfaqja ,,Grafitet", rolin e gruas së spiunit në shfaqjen ,,Liria po vjen", në rolin e femrës në shfaqjen ,,Zeka i zi", në rolin e vajzës në shfaqjen ,,Dimri me i gjate", femra e transformuar në të tri moshat në shfaqjen ,,Katër epoletat" , në rolin e murgeshës në shfaqjen ,,Iluzionet e dashurisë", në rolin e Dallëndyshes në shfaqjen ,,Një natë në hotel" etj... Ndërsa si regjisore kam punur shfaqjen ,,Bora e Kuqe".
 
”Bota sot”: A është vështirë të jesh në skenë apo të këndosh?

Emine Toska: Nuk është edhe aq e lehtë, sidomos në këto rrethana, që po jetojmë, të jesh aktore me plotkuptimin e fjalës. Përndryshe, sa më përket mua, unë kurrë si frigohem punës dhe paraqitjes sime para publikut dhe kritikës në skenë, sepse talentin e kam të lindur nga natyra, të cilin e posedoj dhe e bëj me korrektësi, sinqeritet dhe, mbi të gjitha, me plotë dashuri, Dhe, këto atribute nuk mund të mi marrë askush dhe shpresoj të vijnë ditë më të mira për mua dhe disa artistë të tjerë...
 
Bota sot”: Keni diçka ndonjë porosi për të tjerët?

Emine Toska: Motoja imja: Punoni korrekt pa kalkuluar sa do të fitoni, sepse të arriturat e përfitimet vijnë vetëvetiu. Zoti na shpëtoftë nga interesgjinjtë. Këta janë në gjendje të bëjnë gjithcka vetëm për të arritur dhe shfrytëzuar këtë kohë të pakohë. Andaj, kultura, është këtu, ku është, sepse ata në vend se të japin kontributin e tyre për postin e besuar duhet qenë besnik e servil atij që e ka vendosur aty. Do të doja në këtë përvjetor të retë të pavarësisë, të mendojmë se si të ndërmarim diçka që të ndryshojmë pozitivisht në të mirë të artit, kulturës dhe mirëqenies sonë.