Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pilo Zyba: Zoti im!

| E shtune, 09.04.2011, 07:18 PM |


PILO  ZYBA

 

ZOTI   IM !

 

Më fal, zoti im, për fjalë e për letër,

Por fajin e ke ti, që krijove këtë vepër.

E gatove të bukur, të ëndërrt si jehona,

Për të dënuar mendjet dhe ndjenjat tona.

 

I bëre kryevepër në trup e në kokë,

Flokët ujëvarë ua derdhe me okë.

Buzët u leve me aromë e musht

Si vera e bukur vreshtëzën në gusht.

 

Pastaj na bërtet, rëndë na qorton,

Çdo djalë që dorën te ato afron,

Vashëzën që bëre, si gotë të mbushur,

Mund të rrijë pa zbrazur e pa puthur?

 

Porse ti më thua, dora është mëkat,

Ajo ngjet me ujk, apo me lugat,

Kur i krijove, me bukuri dhe shije,

Krijesa jote, zot, në mëkat na shtije.

 

Gotëza e mbushur me ndjenjën shkumë,

Më qëndron përpara si të jetë lumë,

Dhe hiret i rrjedhin me ditë e me natë,

Për mua, o zot, nuk paska mëkat?

 

Sa herë që shkon, bukurinë përkund

  sinfoni pranvere, të ëmbël e pa fund,

Nuk shpërndan në shpirtin tonë të etur

Mallin dhe dashurinë e pa tretur?

 

Mollëza kur piqet, imzot, duhet vjelur,

Çdo  ligj, çdo Kuran në çast duhet shkelur,

Se po iku vjeshta frytet nisin bien,

Fryti e humbet bukurinë  dhe shijen.

 

Se çdo ditë, imzot, ka lulzimn e saj,

Po nuk e shijove, pastaj nis e qaj...

Pema vesh fustan, lule edhe erë,

Lajmëron, pas saj na ardhka pranverë...

 

Kështu edhe vasha, çelet lulëzohet,

Bukuri e saj kudo nis dëgjohet,

Në syrin e artë, në zërin si notë,

“Më shiko të lutem”, që nga larg të thotë.

 

Aromën ti lules, vallë pse ja dhurove,

Buzët edhe mollzat pse ja pikturove?

Kuptohet, që bleta jonë e vështrimit

Të rendë pas ngjyrës, dhe kundër gjykimit.

 

Dhe prapë bëre gabim, i nderuar, Zot,

Ndaj dhe mendja ime me shpirt po ta thotë;

Kur bletën e vështrimit e lë të baresë,

Shpirtin, dashurinë pse i lidh në besë...

 

Syri lakmitar bredh në lule e fletë,

Shpirtin edhe ndjenjën, i qëllon, i tret.

Shpirti kur sheh bletën, që kurrë nuk zë vënd,

Trulloset, shqetësohet dhe ikën nga mënd.

 

Prandaj të më falësh, mëkat është dhe ky,

Shpirti edhe syri nuk rrinë dot të dy...

Kur njëri shëtit, pas luleve mbetet,

Tjetri nga zilia dhe meraku tretet...

 

Kur buzën e zgjas, më thua, gabim!

Kur dua ta puth, më thua, është krim!

Atëherë të lutem, ju me vetëdijen,

Buzët nuk mi dhatë, që të provoj shijen?

 

Bukurinë, më thua, si verë mos e pi,

Në liqen të syve nuk gjej qetësi.

Zgjuar e në gjumë, nuk gjej ngushëllim,

Më thuaj të lutem, ky nuk është dënim?

 

Dënim nuk është dhe në anën tjetër,

Kur të mrekullushme bën një kryevepër?

E ngarkon me mollë, me frytin e bukur,

Pastaj flet, bërtet; nuk duhen këputur!

 

Harron vallë, që pema gjithë atë ngarkesë,

E përkëdhel, e rrit vetëm me një shpresë,

Se dikush do shkojë, do kalojë pranë saj,

Frytet ti dhurojë e me dëshirë ti hajë.

 

Pas tyre krijon, Ungjillin dhe Kuranin,

Mallkon mëkatin, më pas shpall fermanin.

Të gjith mëkatarët me djem e me vajza,

I nxjerr që të gjithë jashtë nga parajsa.

 

Këtu ke të drejtë, sepse kështu duhet,

E vërteta hapur kërkohet të thuhet,

Sepse sot të rinjtë e kanë kuptuar,

Dita e parajsës këtu do jetuar.

 

Ditëza e bukur duket  në mëngjes,

Kur dielli hedh dritë mbi lulen me vesë,

Ndaj duhet shijuar e gjithë kjo krijesë,

Nuk kam pse të vuaj, parajsën të pres.

 

Kur kam etje, dua, të pi gjithë burimin,

Nuk më prish punë, jep, a s’jep bekimin,

Se ujrat e moshës rrjedhin me rrëmbim,

Dhe ujët që ikën, nuk kthehet në burim...

 

Mushtin e ndjenjës vashës do tja shtrydh

Shpirtin s’kam përse, mes prangash ta ndrydh.

Se vera thartohet dhe vlera humbet

Tërbohet dhe thyen dhe poçen e vet.

 

Prapë kam arsye që s’jam mëkatar

Që ndjenja kërkoj, të jap e të marr,

Se po nuk u dhashë te vajzat me fat,

Vallë dhe ndaj tyre, nuk bëkam mëkat?

 

Ato nuk e duan burimin e ndjenjës,

Të rrjedhë i ëmbël në rrënjën e pemës,

Era e puthjes t’u endet ndër fletë

Që trupi tu dridhet e të marrë jetë?

 

Bletë do të bëhem, të shëtis gjithë lulet,

T’u marr e t’u jap polen me pekulet.

Vërtet bën mëkat një bletë që shkon,

Po lulja e bukur, nuk bën kur e fton?

 

Ajo shpalos ngjyrat, aromat, petalet,

Dhe vështrimin hedh tuuutjeeeee...nga malet,

Unë them veprimi kuptohet shumë lehtë,

Mbi të fton të vinë, të bukurat bletë.

 

Fajin se ka bleta, që rend me nxitim,

Faj nuk ka dhe lulja, i madhi, zoti im?

Dikur kam dëgjuar, të fliste, të vjetrin;

Bleta edhe lulja s’rrojmë  pa njëri – tjetrin.

 

Lulja e çelur kur në rrugë shkon

Me ngjyrat, aromën vallë s’provokon?

Sa herë, ajo, me hap rrugën mat,

Na thërret e fton të biem në mëkat?

 

Ç’far po them dhe unë këtë mbrëmje vere,

Jeta e gjithë qënka një vullkan tenxhere.

Nga zjarri në to, dhe vala që hidhet,

Dhe ena, dhe gjella, që ka brënda, digjet...

 

Ta vlerësoj, o zot, krijimin dhe Ungjillin,

Por brënda tyre shikoj edhe trillin,

Prandaj kam vendosur, parajsën që kam,

Ta gëzoj, të luaj e ta bëj shandan!

 

Përse të lë frytet që i kam në trastë

Me mëndjen, që nesër i ha në parajsë.

Më mirë sot, hëngra dhe u ngopa,

Se nesër, premtimet, mund të jenë të kota.

 

Nuk është njëlloj, imzot, i vërtetë,

Më mirë shkoj i ngopur vetë në atë jetë.

Pastaj ku më vini në parajsë a ferr,

Kjo pastaj, im zot, pak më bën qeder...

 

Por dhe për atje kam shumë pretendime,

Dua të më vini pranë një lëndinë.

Kokën të ma vini pranë në një krua,

Të shoh kur pinë ujë bukuritë e tua.

 

Vërtet do jem thellë, mbuluar me dhe,

Syri ndonse shuar, nga jashtë nuk she,

Dua që hapat ti dëgjoj kur rend

Bukurinë, shijen unë ua marr me mënd.

 

Dhe nën hire ecjesh, si flladi i lehtë,

Gjumi më pushton dhe prehem i qetë.

Kur zëri i burimit të rrjedhë mijra fjalë

Ngjet se jam i zgjuar, ngjet se jam i gjallë.

Nuk më duhen postet, ati im, i shtrenjtë,

Ndjenjën, bukurinë unë i kam të shenjtë,

Si dua kalatë ndërtuar me gurë,

Vlerat monetare nuk i desha kurrë.

 

E vetmja kala e vërtetë në botë

Është kala e shpirtit, zemra, këtë thotë.

Prandaj, ati im, në bëra gabime,

Në rrjedhën e gjatë të gjith jetës sime,

 

Në putha, përkëdhela, me vënd e pa vënd,

Pa marrë e pa pyetur dhe mendimin tënd,

Lutem të më falësh, lutem të më ndjesh,

Në fajet e mia dhe ti dorë do kesh.

 

Që ditën që bëre mollën edhe Evën,

Bëre Adamin, bëre dhe pranverën,

U the, të mos hanë frytin që krijove,

Pa kuptuar, atë, s’e pe, i dënove!

 

Ndjenja, dashuria, kanë të tyret shtigje,

S’pyesin për moral, s’pyesin për ligje,

Dhe po të mos hanin, zot, të jam i lutur,

Prapë që të dy s’do ishin të lumtur!

 

Do vdisnin të etur, të ngrënë nga meraku,

Ujku nuk e di që rri ngritur çarku...

Uria dhe etja e shtyjnë drejt stanit,

Ndonse mirë i di dhe qëntë e çobanit...

 

Të më falësh, zot, që shkela Ungjillin,

Mendimeve të mia, ti sot hiqua fillin,

Hiqëm nga parajsa, në daç çrregjistromë,

Në daç më fshij nga lista me gomë!

 

S’më prish punë shumë, vetë bëj gabime,

Sepse në gabime gjej parajsën time,

Nuk më pëlqejnë ligjet, nuk më bëhet vonë,

Në daç fal gabimet, po deshe dënomë...

 

S’ka rëndësi falja, as edhe pendimi,

Rëndësi ka ndjenja, puthja dhe shijimi,

Dhe pse jashtë parajsës, rëndë i dënuar,

Rëndësi ka molla të jetë e kafshuar...

 

Me kaq, zoti im, jemi të kuptuar ?