Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lavdrim Lita: Rexhep Qosja dhe sindroma “Salieri”

| E premte, 08.04.2011, 07:59 PM |


Rexhep Qosja dhe sindroma “Salieri”

 

Nga Lavdrim Lita

 

Investimi intelektual i Rexhep Qosjes ndaj kryeministrit Berisha ka të gjitha simptomat e të qenit patologjike. Pak veta flasin për shkrimet e Qoses, ndonëse të gjithë njohin etapat e escalation-in verbal të tij, por në fund prapë mbetemi pa përgjigje ndaj pyetjes që dëgjoj në çdo vend që shkoj: çfarë ka në mendje Qosja, cili është synimi i tij, ku do të shkojë me këto rrejshmëri të realitetit? Nuk pretendoj t’Ju jap një përgjigje përfundimtare, kufizohem të kompozoj shpjegimet e mundshme në një shkrim që mban brenda teoritë më të akredituara, përpos stuhisë hormonale. Sepse kjo sëmundje therëse që të lë pafrymë, padyshim, ka prekur Qosen tonë në pleqëri, pasi në rininë e tij intelektuale ai ishte energjik dhe entuziast sidozot në thurje e qëndisje ditirambesh për Mareshalin Tito, bile edhe pas vdekjes së tij.

Megjithatë përjashtoj a-priori nga diagnoza kauzat patologjike, të tipit si kafka e qeneve doberman që në një moshë të caktuar pësojnë tkurrje truri dhe çmenden deri në atë pikë sa kafshojnë edhe pronarin. Kurse simptoma e sëmundjes së papërcaktuar klinikisht që ka prekur akademikun tonë janë dukur në skanerin e medies pas ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit, ku Shteti u sulmua nga hordhitë barbare të Edi Ramës. Për gjithçka që shkon keq në kombin tonë, Rexhep Qosja shkruan se fajin e ka Saliu. Afërmendsh këtë gjë e mendon pa dorashka intelektuale edhe Partia Socialiste, e cila për gjithçka thotë “fajin e ka Saliu”. Kësisoj sulmi simultan “Qose-PS” nuk është ndonjë surprizë e papritur, pasi kanë fije të lidhura në kohë të shkuara, ku të gjithë ishin shokë të Partisë. Shqiptarët s’mund të harrojnë dot se nëse ka vjellë kush vrer kundër Shqipërisë e demokracisë tek ne, kundër Sali Berishës, ky është Xhep Qosja. Shqiptarët s’mund të harrojnë se ky e quajti revolucion të vonuar demokratik shkatërrimin e Shqipërisë në vitin 1997. Është i njëjti Rexhep Qose që i hiqte ditën e punës Ibrahim Rugovës në Akademi, veç që Rugova të mos e merrte rrogën e plotë. E kur e shihte se Rugova e merrte pagën pa e numëruar dhe e fuste në xhep, Qosja tërbohej pse nuk ankohej ai për ditën e hequr të punës.

Megjithatë, hedhja e fajit dikujt tjetër është shpjeguar në psikologji si një alibi për të shpëtuar nga përgjegjësitë civile. Nëse Edi Rama shpëton nga përgjegjësitë e organizimit të qëllimshëm të ngjarjeve të 21 janarit, faji nuk është i Saliut, por i atyre zyrtarëve të lartë të Shtetit që bëjnë shurdhmemecin për sulmin ndaj institucionit të kryeministrisë dhe jo kryeministrit Berisha. Kurse përgjegjësitë që kërkon Rexhep Qosja ndaj kryeministrit Berisha shkojnë përtej mundësive dhe aftësive njerëzore për t’i kuptuar çfarë qëllimi kanë në prapavijë.

Cilado qoftë shtysa parake e akademykut për të sulmuar kryeministrit Berisha, një gjë është e sigurt, Rexhep Qosja ka zgjedhur një mënyrë për të qenë në qendër të vëmendjes për merita jo akademike, pra të akuzojë ndonjë figurë që zotëron vlera e simpati te shqiptarët. Përpara se kryeministri Berisha të ishte në qendër të syrit të “ciklonit” Qose, në fakt, ishte një tjetër figurë e rëndësishme që u stigmatizua dhunshëm nga made in-myku: Ismail Kadare u sulmua brutalisht nga i pandreqshmi Qose për identitetin europian të shqiptarëve. Duke sulmuar Kadarenë ose në rastin e fundit Berishën sa herë i jepet rasti, apo pa ju dhënë një i tillë (duke e krijuar nga hiçi), ai bën të lexueshme prekjen nga patologjia e Salierit, domethënë ciflosja e imazhit të dikujt me çdo kusht dhe me çfarëdolloj mënyre. Duhet ta dini, Salieri ishte një muzikant që nuk pranonte suksesin e kolegut të tij Moxart, dhe thonë se e helmoi mikun-rival të famshëm. Për ta përkthyer në terma aktualë, them që Qose nuk e pranon suksesin e Kadaresë sepse është një shkrimtar njëqind herë më i mirë se ai, them se Qose nuk e pranon suksesin në politikë të Berishës sepse ai vetë dështoi për të qenë politikan. Kujtojmë këtu dështimin e tij në zgjedhje në Kosovë ku mori 0.001 për qind. Kësisoj aleanca me Ramën është aleanca e dështimit të Salierit për të qenë violinë e parë e demokracisë dhe e letërsisë.