| E premte, 08.04.2011, 08:59 PM |
Mustafa Ferizi (1941-2011)
Nga Halit Bogaj
Para disa ditësh në mënyrë tragjike/’në një fatkeqësi trafiku/ vdiq Mustafa Ferizi, njëri ndër piktorët tanë më të shquar dhe përfaqësuesit më aktivë të jetës sonë kulturo artistike. Vdiq kritiku i arteve aplikative i cili ishte përherë prezent në rrjedhat kulturore të vendit tonë. Ai ishte i thellë, konciz, i drejtëpërdrejtë, real në shkrimet e tij të shumta.Në çdo artikull të botuar në shtypin tonë ditor dhe periodic, Mustafa Ferizi shkruante ashtu siç duhet të shkruhej për të na i bërë të njohura punimet e piktorëve dhe të skulptorëve por gjithnjë edhe duke i prezantuar të metat e tyre kreative dhe mundësitë e evitimit të tyre. Gjatë punës së tij të gjatë dhe të palodhshme, ai na dhuronte artikuj kuptimplotë. Ishte edhe njohës i përsosur i gjuhës shqipe, të cilit gjatë shkrimeve të tij asnjëherë nuk mund ti gjenim gabime,ngase gjithmonë kishte kujdes të madh se si shkruante. Kishte raste të shumta kur edhe na ndihmonte se si duhej të përpilohej një shkrim dhe shpeshherë çuditeshim se nga e merrte atë forcë të pashterrshme dhe një elan të tillë të pa parë. Mustafa Ferizi/në mënyrë kronike/ ishte i pari dhe i vetmi kritik figurativ që arriti t’i shkruante mbi njëmijë artikuj për artet tona pamore të krijuesve tanë të vjetër dhe të rinj. Ai gjithnjë na mahniste se nga e merrte tërë atë vitalitet për të na i bërë të njohura veprat më të rëndësishme të piktorëve gjenialë të cilët e kishin pushtuar botën.
Mustafa Ferizi të gjitha qëllimet e veta fisnike i arrinte me një angazhim tejet profesional duke qenë thellësisht i dashuruar në punën e vet të cilën e kishte zgjedhur me dëshirë shumë të madhe dhe që e ushtroi gjatë jetës së tij, me një vullnet gjithnjë të pazbehur. Gazetat dhe revistat tona shpeshherë e mbanin firmën e tij, duke zgjuar interesim shumë të madh nga lexuesit e shumtë. Artikujt e tij lexoheshin me lehtësi të posaçme ngase ishin të përpiluar nga një mjeshtër i madh i penës dhe vizionit të paparë. Mustafa Ferizi shkruante edhe për jetën dhe veprimtarinë e piktorëve të mëdhenj botërorë siç ishin: Vinsent Van Gogu, De La Kroa, Pablo Pikaso, Pol Gogen e shumë të tjerë duke u’a kushtuar atyre edhe një libër në gjuhën shqipe në të cilin mësojmë shumë më tepër për. Në vitet e pasluftës së fundit e shihnim në ‘’RTK’’ duke i udhëhequr disa emisione kushtuar krijuesve të arteve tona aplikative dhe figurative. Emisionet ishin shumë të qëlluara, të domosdoshme dhe dokumentare të cilat do të mbesin dëshmi e kohës dhe krijimtarisë sonë bashkëkohore, çfarë duhej të ndodhtë edhe me fusha të tjera të veprimtarive tona shoqërore, siç është letërsia, muzika etj.. Mustafa Ferizi kishte rëndësi dhe rol të madh edhe në hapjen e ekspozitave individuale dhe kolektive, duke i përpiluar shpeshherë edhe katalogjet e tyre. Gjithçka që kalonte në duart e tij e kishte vulën e një autori të përkushtuar me pasion të madh. Përveç artikujve kushtuar arteve pamore, Mustafa Ferizi shkruante edhe poezi, drama dhe ese letrare. Ai na e la të botuar edhe një vepër estetike kushtuar klasikut tonë të madh Jeronim De Rada duke e bërë edhe më të begatshme jetën dhe veprimtarinë e kolosit tonë letrar.