| E marte, 05.04.2011, 07:33 PM |
FITONIMIA DHE ZOONIMIA E DUSHKAJËS
Prof. Skender Hoxha, "Fitonimia dhe zoonimia e Dushkajës", Art poetika, Pejë, 2010.
Shkruan: Prof. asc. dr. Begzad Baliu
Në hartën e vogël të Republikës së Kosovës mund të gjenden shumë krahina etnografike të vogla apo më të mëdha, për të cilat nuk mjafton një jetë njeriu për ta gjurmuar pasurinë e saj materiale e shpirtërore të banorëve të saj. A është kjo arsyeja pse, kërkimet në këto zona, të njohura para se gjithash si krahina etnografike, historike, gjuhësore dhe folklorike e etnologjike, janë gjurmuar prej fqinjëve tanë, shumë dekada apo vite para se të na okuponim. Madje që nga fundi i shekullit XIX e fillimi i shekullit XX, deri në fund të shekullit XX, kur u kurorëzua lufta jonë çlirimtare, e përkrahur edhe nga demokracia e përbotshme.
Prej pasurisë së tyre të njohur a të panjohur deri më tash, sot mund të kuptojmë se për studimet shteruese të tyre nuk mjafton as vetëm një jetë studiuesi, as vetëm një jetë institucioni dhe as vetëm një jetë brezi. A është prandaj, kjo arsyeja pse studiuesit sot i lakmojnë kolegët e tyre që bëjnë hulumtime, kërkime, vlerësime dhe sinteza për eposin e krahinës së Rugovës, për trashëgiminë historike të krahinës së Drenicës, për pasurinë e fitonimisë dhe zoonimisë së Maleve të Sharrit, për sintaksën e krahinës së Gallapit, e të tjera e të tjera.
A është kjo arsyeja pse e lakmojmë studiuesin Skënder R. Hoxha, veprën e të cilit po e përurojmë sot. A është kjo arsyeja pse studiuesin e kësaj vepre e vendosim në rrugën e dobishme të asaj lagjeje, që me përkushtim e ka vjelë dhe e ka inventarizuar një pasuri të madhe e të papërsëritshme të botës materiale e shpirtërore. Në të vërtetë me hulumtimin e krahinave etnografike shqiptare janë marrë edhe studiues të tjerë para studiuesit S. Hoxha, por natyra e këtyre kërkimeve jo rrallëherë është kushtëzuar prej orientimeve historike dhe politike të shteteve të caktuara, prej pengesave që teknokracitë qeveritare të kohës bënin në hulumtuesit dhe studiuesit e kësaj lënde. Kjo është arsyeja pse Rugova e Mark Krasinqit e Zymer Nezirit dhe e Gërkoviqit nuk është as e hulumtuar as e vlerësuar në përmasa të njëjta; pse toponimia e politizuar e Kosovës e Atanasije Urosheviqit nuk është e atyre përmasave në të cilën ngrihet toponimia diakronike e Kosovës e Skënder Gashit etj. Ky ishte edhe synimi i studiuesve shqiptarë (Idriz Ajeti, Mark Krasniqi, Zymer Neziri, Skënder Gashi etj.), që përmbysjen e koncepteve të parardhësve të tyre (Jovan Cvijiq, Atanasije Urosheviq, Kosovka Ristiq etj.) e kishin qëllim primar.
Kur mjeshtri ynë i veprës që po e përurojmë, filloi kërkimet në krahinën etnografike të Dushkajës, po këtë qëllim kishte. Të inventarizonte gjithë pasurinë gjuhësore të krahinës së Dushkajës, ta studionte atë dhe ta sistemonte në tërësinë e studimeve onomastike shqiptare. Në ndërdijen e tij padyshim, si edhe te të gjithë bashkëkohësit e tij, kjo iniciativë ishte përgjigje Atanasie Urosheviqit dhe shkollës serbe të Jovan Cvijiqit gjatë gjithë shekullit XX.
Sigurisht kjo është arsyeja pse kërkimet e tij do të bëhen rrënjësore, të thella, të shumanshme dhe shumështresore. Dhe kjo do të jetë arsyeja pse kërkimet e tij n fushë te onomastikës nuk do të përfundojnë as me një studim konference shkencore, as me një monografi të karakterit etno-gjuhësor dhe as vetëm me një vepër të karakterit deskriptiv.
Vepra “Fitonimia dhe zoonimia e Dushkajës” përveç Parathënies dhe një Hyrjeje të shkurtër, fillimisht është ndarë në dy tërësi të mëdha:
Pjesa e parë, Fitonimet zë vëllimin më të madh të kërkimet të tij dhe sigurisht edhe pasurinë më të madhe të kësaj krahine. E kuptueshme. Një krahinë etnografike, banorët e të cilës jetojnë shekuj me radhë nga bujqësia, është e kuptueshme që referencat e tyre të përditshme edhe për orientim, t’i kenë emërtuar me emrat e bimëve, luleve, prodhimeve bujqësore dhe sidomos pemëve, që në njëfarë mënyre paraqesin shenjat ‘e paluejtshme’ orientuese në natyrë. Në të vërtetë edhe brenda tyre do të mund të sintetizoheshin tipat e ndërtimit të këtyre mikrotoponimeve, me të cilat do të përcaktoheshin edhe vlerat e të jetuarit të popullsisë sedentare shekuj me radhë.
Nëse mikrotoponimet Livadhet e Atavave, Kodra e Amanit, Fusha e Dredhëzave apo Roga e Dredhëzave, Mali i Firajave, Grahoda etj., paraqesin pasurinë e brendshme natyrore të kësaj krahine, mikrotoponimet Lugjet e Amanit, Prroni Laknave, Brija e Pasul’s, dëshmon për mënyrën e jetesës së banorëve të kësaj ane.
Një tipologji krejt e përgjithshme do të na jepte sisteme te ndryshme fitonimesh: gjuhësore, historike, etnografike, trajta dialektore, sociale, shumegjuhësore etj. Një numër i madh mikrotoponimesh të ndërtuara mbi një bazë të gjerë të fjalësit fitonimik, si: bostanishtë, grah, kashtë (Kashjak), lakën, linishtë, Maravç, qepë (Llukac), oriz, pasulë, rasat, sanë, spirrak, shavar, thekën, ahishtë, arrë, bli, bojli, dardhë, dudë, dushk, fiq, gllë, frashër, krekcë, kshtajë, kumull, lajthi, lis, mllakë, murriz, plep, qarr, qurrshi, rrush, vneshtë, shelnik, shkumëz, shkozë, shtog, thanë, ferrë, therrë, verr, vidh, vjosë etj., dëshmojnë të kaluarën historike të kësaj zone, të jetës rurale të banorëve të saj, të mënyrës së akceptimit të tyre në kohë të ndryshme dhe simboliken qe merrnin, të mënyrës së shqiptimit dialektor të tyre, të ndikimit periferik të leksikut sllav në raste tepër të veçanta etj.
Pa dashur të merrem me sisteme etnolinguistike dhe historiko gjuhësore, të fitonimeve dhe zoonimeve të krahinës së Dushkajës, të pazakonshme në paraqitjet publike të këtyre veprave, dua të theksoj vetëm faktin se të gjitha njësitë, nuk janë paraqitur thjesht si një inventarizim leksikor, ashtu sikur ndodhë në shumë nga botimet në këtë fushë, as thjesht vetëm si një inventar leksikor me shënime përgjithësuese dhe përshkruese, por secila veç e veç janë paraqitur edhe me referenca historikisht të njohura në gjuhësinë shqiptare, dëshmon përkushtimin e autorit që këtë vepër ta sistemoj dhe t’i jap vlera shkencore.
Dua të theksoj në fund të kësaj fjale përmbledhëse se vepra “Fitonimia dhe zoonimia e Dushkajës” është botimi i parë i këtij lloji dhe i vetmi tash për tash në studimet onomastike në shkallë monografie, në ndërkohë qe vendet dhe popujt e tjerë këto korpuse tashmë i kanë botuar në formate dhe në përmasa të tjera shkencore të avancuara. Sigurisht kjo dëshmon më së mirë përkushtimin dhe synimin e autorit të saj, që veprën e tij ta qoj përpara edhe me kërkimet të reja, të cilat nuk do ta pasurojnë vetëm bibliografinë e tij, por edhe bibliografinë e gjuhësisë shqiptare.
Prishtinë, 3. 3. 2011