| E marte, 05.04.2011, 06:31 PM |
Vullnet Mato
NETËT E METROPOLIT
Netëve të metropolit,
nëpër tryeza lokalesh,
mijëra çifte përkulur
mbi filxhana dhe gota,
luajnë role në drama,
dhe filma të jetës reale,
me metrazhe të shkurtër,
apo seriale të plota.
Puthjet e pakursyera
të skenave dashurore,
lënë gjurmë të turbullta
me fshirje të shpejta,
si në serviset prej qelqi,
ku shenjat hetimore,
zhduken te lavamanët
ku rrjedhin çezmat.
Dhe ndodh premtimet
nuk arrijnë funde gazmore,
ndonëse personazhet
betohen te altari me gota.
Po të mos luanin shumica
tragjiken jetësore,
mund të ndriçohej
nga dy diej bota.