Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Enver Bytyçi: Unë e dua Kosovën, nëse bëhem kryetar?!

| E marte, 05.04.2011, 07:59 PM |


Paradoks:

- Unë e dua Kosovën, nëse bëhem kryetar?!

 

Nga Enver Bytyçi

eb_shqip@hotmail.com

 

Kosova është në një vakuum institucional. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vendit për të zhvleftësuar procesin e zgjedhjes së presidentit, Behgjet Pacolli është rikthyer në pikën e nisjes, ndërkohë që Jakup Krasniqi ka rimarrë në dorëzim detyrën e ushtruesit të detyrës së presidentit. Një rit i nevojshëm për të respektuar institucionet e vendit dhe vendimet e tyre. Por më tej çfarë? Si do të vijojnë zhvillimet e mëvonshme? Ka disa opcione: Së pari, AKR, pra partia e Pacollit, kishte inicuar nisjen e procedurave për rizgjedhjen e multimilionerit kosovar si të parin e Kosovës. Madje ajo parti e kishte paracaktuar një grua nga radhët e saj për t’ia “kundërvënë” presidentit pa mandat, njësoj si Partia e Punës në prillin e vitit 1991 kishte bërë me Ramiz Alinë, duke ia ka “kundërvënë” atij Namik Doklen. Historia përsëritet çuditërisht në të njëjtin soj dhe këto lloj historish do të tregohen dikur si anekdota, për të bërë humor me politikën dhe politikanët shqiptarë të këtij soji. Dyzet ditët e Pacollit ishin ditët e një angazhimi të jashtëzakonshëm. Fillimisht “presidenti” i befasoi të gjithë tek shkoi pa ndonjë repart sigurie të posaçme në veriun e Mitrovicës, për çka mori lëvdata në një prononcim të Boris Tadiç në Bruksel, kur ai tha se për herë të parë një president i Kosovës shkon në veri të Kosovës dhe aty flet serbisht.

Më pas Pacolli, shkoi në Tiranë për të folur shqip. Për të folur shqip me presidentin Topi, por edhe për të marrë një çertifikatë qytetarie në Lezhë. Nw ekranet e televizioneve, ku më shumë binin në sy gazetarët e ekzaltuar nga kënaqësia e prezencës së bosit të madh, sesa tw vetë presidentit tw Kosovës. Në këto ekrane ai foli gjatë, shumë gjatë, se “do ta bëjw këtë e do ta bëjw atë”, sa të dukej se Kosova brenda natës do të shndërrohej në shtetin më të zhvilluar dhe konsoliduar të botës. E ndërkaq ai kishte harruar se që të flasësh në emër të një vendi, do të duhej të kishe fituar besimin e shumicës, qoftë dhe relative, të atij vendi. Megjithatë ish-presidenti ishte ngutur me vrap të kapte qiellin, duke kërcyer nga Tirana për në Shkup. Edhe aty më shumë se Pacolli president i mandatuar dhe i zgjedhur nga të tjerë deputetë të legjitimuar, ishte paraqitur si biznesmen i fuqishëm. Në Prishtinë, në veriun e Mitrovicës, në Tiranë e në Shkup, ku Pacolli pati fatin të jetë prezent, bashkëbisedojw me partnerët siç këndon gjeli nga maja e grumbullit të plehut. Dukej qartë se më shumë pranohej si pareli, sesa si politikan. Ndaj dhe presidentit 40 ditor të Kosovës i duhej të bisedonte me partnerët, sikur bënte biznes me Boris Jelcinin dhe vëllain e Millosheviçit në Moskë dhe me bashkëpunëtorët, si sipërmarrësi me çirakun. Fatkeqësisht në këtë rolin e fundit ai u gjend përballë shumë prej gazetarëve, analistëve, opinionistëve këtej e andej kufirit shqiptaro-shqiptar. Por Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk i kishte marrë parasysh të tilla poza dhe vendosi atë që duhej vendosur: - Paligjshmërinë e presidentit të Kosovës.

Entusiazmi i të qenit president fallco çoi në veprimin tjetër të rikandidimit. Mirëpo mesa duket kjo skemë nuk po funksionon. Jakup Krasniqi nuk ka hequr dorë nga jo-ja e tij dhe nuk ka ndërmend që ta pranojë Pacollin për kandidat për president. Andaj dhe AKR-ja ka marrë pozicion të ri: - Kërcënon Thaçin se do të largohet nga koalicioni, nëse nuk bëhet Pacolli president. Thaçi është në dilemë. Ai edhe dëshiron, edhe nuk dëshiron që ta çojë vendin përsëri në zgjedhje të parakohëshme. Në të vërtetë Kosova nuk e ka komoditetin që të hyjë shpejt në fushatë zgjedhore. Ajo i ka nisur disa punë dhe duhet t’i çojë deri në fund, sepse një punë e lënë përgjysëm është më e dëmshme sesa një punë e panisur. Më së shumti kjo lidhet me procesin e bisedmeve me Serbinë. Por edhe me performancën e vendit në komunitetin ndërkombëtar. Prandaj dhe mbetet të shfrytëzohen mundësitë reale që ekzistojnë. Nëse Pacolli dëshiron që për shkak të karrikes së tij të largohet nga qeverisja, atëherë shqiptarët do të kenë rastin ta njohin më mirë atë si dhe ta përceptojnë më saktë atë çfarë ai përfaqëson. Se Pacolli u lodh duke thënë: “Unë e due Kosovën”. Hë de duaje tash që nuk të pranojnë për president! Kush nuk e dashka Kosovën, duke qenë vetë i pari i saj?! Edhe Milosheviçi, nëse shqiptarët do ta pranonin për sundues të atij vendi, nuk kishte për të bërë asnjë hap kundër tyre. Edhe ai do ta donte Kosovën! Madje më shumë se Pacolli. Po Kosovën nuk mund ta duash vetëm kur je president i saj. Kosova duhet dashur edhe kur je qytetar i thjeshtë i saj.

Megjithatë presidenti i larguar, kërkon ta largojë edhe partinë e tij 6 përqindëshme nga koalicioni i qeverisjes. Kjo do të thotë se kësaj partie dhe liderit de facto të saj nuk i intereson aspak Kosova dhe stabiliteti i institucioneve të saj. Atyre ju intereson vetëm pushteti dhe fuqia pushtetore që fitojnë. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që demagogjia e një politikani dhe një partie të dekonspirohet e të demantohet për kaq shpejt. Nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e politikës botërore që ta duash vendin kur vjen në pushtet e të mos e duash atë kur nuk je në pushtet”. Ky lloj paradoksi ka shfaqur në të vërtetë diçka interesante në procesin e lartpërmendur. Behgjet Pacolli, në ndryshim nga shumë politikanë shqiptarë, të cilët mendojnë si ai, është shfaqur hapur, ka folur me sinqeritet, u ka thënë shqiptarëve atë që ndjen. Eshtë ndjerë mirë në kolltukun e presidentit dhe menjëherë ka shfaqur entusiazmin e tij me dashuri të pakufishme për Kosovën. Ka zbrit nga kolltuku i presidentit dhe menjëherë ka reaguar në të kundërt, duke kërcënuar me shkatërrimin e institucioneve të tjera, duke dëshmuar se nuk e ndjen më atë dashuri që kishte më parë për vendin e tij.

Në kushtet e tilla ka një mundësi tjetër: Thaçit i duhet të riformatojë koalicionin qeverisës. Sa më shpejt, aq më mirë. Për mua AAK-ja do të ishte partneri më i mirë. Jo për Thaçin, por për Kosovën, sepse AAK-ja ka dëshmuar opozicionin e vet dhe nuk do të pranonte kompromise të patolerueshme. Të paktën kështu mendohet teorikisht. Praktikisht thuhet se edhe AAK-ja ka probleme me korrupsionin dhe disa dukuri antidemokratike që lidhen me menaxhimin e pasurisë së Kosovës. Por le t’ia lëmë këto për momentin thash e themeve e thash e themaxhinjve. AAK-ja duhet të dëshmohet në qeverisje. Ajo ishte dëshmuar dikur në qeverisje dhe sa kohë ishte drejtuar nga lideri i saj, Haradinaj, kishtë dëshmuar përkushtim dhe suksese mbresëlënëse. Kur Haradinajn e kishin pasuar të tjerët, atëherë dalë nga dalë kishte arritur që të shkelte ligjin e shenjtë të shenjtërisë së Kosovës për të mos e përdorur atë si i zoti përdor lopën e qumështit. Për hir të së vërtetës edhe Çejku i kishte rezistuar deri diku këtij tundimi, por më pas gjithçka ishte shkatërruar. AAK-ja në opozitë ka dëshmuar më shumë përgjegjësi, ka reaguar më me vendosmëri dhe preokupim për fatet e Kosovës. Do të ishte mirë që Thaçi ta tërhiqte me çdo çmim në koalicionin qeverisës, me qëllim që ta përdorte AAK-në si një aset në të mirë të Kosovës.

Në kushtet e mosfunksionimit si duhet të institucioneve, edhe LDK-ja është mirë që ta mbështesë qeverisjen e vendit, pa qenë nevoja të formojë një koalicion qeverisës. P.sh, nëse në ligje të caktuara nuk sigurohet shumica e deputetëve për shkak të votës së munguar të deputetëve minoritarë, atëherë LDK-ja duhet ta rishqyrtojë pozicionin e saj opozitar dhe të mos lejojë rikthimin e krizave për arësye të kundërshtimit të serbëve të Kosovës të përfaqësuar në parlament e në qeveri. Një pakt I tillë, edhe nëse nuk nënshkruhet, është gjithnjë I vlefshëm për stabilitetin dhe paqen e Kosovës e të të gjithë rajonit. Hashim Thaçin do të duhet ta pranojnë në krye të qeverisë të gjithë aktorët politikë të Kosovës, sepse ai ka marrë mandatin e formimit të kësaj qeverie. Këtë duhet ta bëjë AAK-ja si edhe LDK-ja. Nuk do t’i drejtohem Vetëvendosjes, pasi ajo është një parti-lëvizje, e cila nuk ka në programin e saj atë program që kanë të gjitha partitë e tjera në Kosovë. Kështu që Vetëvendosjes do t’i duhet të durojë derisa të shndërrohet në parti fituese e zgjedhjeve në Kosovë, për të kërkuar më pas partnerët e saj në qeverisje.

Shkurt, duket se për të dalë nga situata kaotike Kosovës i duhet të vendosë në disa opcione: - Ose ta rizgjedhë Pcollin në postin e Presidentit dhe të vazhdojë e ta thellojë krizën e Kosovës; - Ose të mos e rizgjedhë atë, e nga ana tjetër ta ruajë koalicionin e sotëm, çka edhe pot ë arrihet për momentin, do të jetë shumë I brishtë dhe i shkurtër; - Ose të ridimensionojë koalicionin e ri me AAK-në, ndoshta dhe me LDK-në, megjithëse përvoja e legjislaturës së kaluar ishte e hidhur më së shumti për shkak të arbirtraritetit të partisë në pushtet; - Ose të shkojë në zgjedhje të parakohëshme në 45 ditët e ardhshme, duke e mandatuar dhe një herë Jakup Krasniqin si president të vendit. Opcioni i fundit do të ishte njësoj dëmprurës për vendin, sa edhe opcioni i të qenit President të Behgjet Pacollit.