| E marte, 05.04.2011, 07:58 PM |
Kisha dhe regjistrimi
Nga: Shaban MURATI
Kisha ortodokse serbe është ndër kishat politike më të përziera në jetën dhe veprimtaritë politiko-shoqërore të vendit, në krahasim me simotrat në vendet e tjera të kontinentit europian. Por ajo po fiton primatin edhe në drejtim të klasifikimit si kisha më e përdorur nga shteti në drejtim të subversionit ndaj sovranitetit dhe identitetit të shteteve e popujve të tjerë. Fushata e kishës serbe kundër shtetit të pavarur të Malit të Zi dhe identitetit kombëtar malazez arriti kulmin, kur në prag të regjistrimit të popullsisë, që filloi më 1 prill, patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej iu drejtua më 29 mars shtetasve të Malit të Zi që të bashkohen rreth fesë së tyre, kombit të tyre dhe gjuhës së tyre, dhe të regjistrohen si serbë të fesë ortodokse.
Është vërtet pa precedent politik dhe fetar, që kreu i një kishe kombëtare të një shteti t'u drejtohet me thirrje shtetasve të një shteti tjetër, që të regjistrohen ashtu siç ua kërkon patriarku i kishës së shtetit fqinj. Analisti i çështjeve fetare, Mirko Djordjeviç i deklaronte gazetës serbe "Blic" se "nuk është në frymën e kishës të dërgojë mesazhe të tilla dhe duke vepruar kështu, kisha ka dalë jashtë misionit të saj". Daliborka Uljareviç, drejtore e Qendrës së Edukimit Civil në Podgoricë, thekson se "Mesazhi i patriarkut serb përfaqëson kufizim të të drejtave të njeriut. Konventa për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe Kushtetuta e Malit të Zi garantojnë të drejtën e çdo qytetari për të mos deklaruar kombësinë dhe fenë".
Ndërmarrja e një misioni jashtëpastoral, por politik dhe subversiv ndërkombëtar, në dëm të një shteti dhe populli fqinj, nuk duket se ishte një trill aksidental i kreut të kishës ortodokse serbe. Është një politikë e qëllimshme e kishës serbe, e cila në mënyrë intensive dhe ofensive, është përpjekur që të shkatërrojë themelet e shtetit të ri të pavarur të Malit të Zi. Po në të njëjtën ditë, pra në prag të regjistrimit të popullsisë, një përfaqësues i kishës ortodokse serbe në Mal të Zi, Nikodim Bogosavljeviç, e shkallëzoi kryqëzatën kishtare serbe kundër identitetit të shtetit dhe kombit malazez, deri në pikën që në radion "Svetigora" deklaroi se kombi malazez nuk është krijim i zotit, por i djallit, dhe nuk mund të ketë bekimin e kishës.
Kemi të bëjmë me një fushatë të orkestruar presioni dhe ndërhyrje në punët e brendshme të Malit të Zi, për të detyruar njerëzit që ta shpallin veten serbë. Partia Socialdemokrate e Malit të Zi deklaroi lidhur me këtë fushatë të kishës ortodokse serbe se kisha serbe po përdor të njëjtën retorikë kundër malazezëve si nazistët gjermanë kundër çifutëve.
Ofensiva subversive dhe ndërhyrëse e kishës ortodokse serbe në punët e brendshme dhe në jetën e popullit të Malit të Zi nuk duhet parë vetëm si pasqyrë e frymës dhe e politikës etnocentriste serbe, që ka ndjekur dhe ndjek kisha ortodokse serbe kundër të gjithë popujve joserbë në ish-Jugosllavi dhe jashtë saj. Në të është e dukshme vula e politikës zyrtare të qeverisë së Beogradit, e cila që në kohën kur
Mjafton të shohësh dinamikën demografike të Malit të Zi gjatë tridhjetë vjetëve të fundit për të kuptuar ofensivën e organizuar dhe presionin e madh shtetëror dhe fetar të qeverisë serbe dhe të kishës serbe mbi popullin dhe shtetin malazez. Sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 1991, numri i pakicës serbe në Mal të Zi ishte 3.3 për qind e popullsisë së republikës. Në regjistrimin e vitit 1991 ishte 9.3 për qind e popullsisë. Në vitin 2003, kur ishte profilizuar perspektiva e shkëputjes së Malit të Zi nga i ashtuquajturi "Unioni Serbia dhe Mali i Zi", Beogradi përdori të gjitha mjetet e presionit dhe të korruptimit për të rritur artificialisht numrin e pakicës serbe, e cila në mënyrë të habitshme doli 31 për qind, një kërcim shifror i pajustifikueshëm për çdo kriter dhe ekspertizë shkencore demografike. Fryrja artificiale e pakicës serbe është një metodë, që Serbia po e përdor në të gjitha vendet e rajonit, ku ka komunitet serb. Qëllimi është që pakicat serbe të fitojnë statusin shtetformues, që ka "Serpska republika" në Bosnjë-Hercegovinë, status i cili i krijon mundësi Serbisë të luajë me ekzistencën e shteteve, siç po shohim në Bosnjë.
Është një objektiv, që Serbia po e synon edhe në Kosovë me komunat serbe në veri, por në Kosovë, duke pasur popullsi shqiptare, ajo nuk mund të prodhojë artificialisht serbë dhe nuk mund ta shtojë numrin e pakicës serbe, ndaj Beogradi zyrtar u bëri thirrje serbëve atje ta bojkotojnë regjistrimin e popullsisë, që gjithashtu filloi më 1 prill. Se sa ambicioze është taktika serbe e shtimit artificial të pakicës serbe në shtete e tjera, e provon edhe rasti i Shqipërisë, ku befas prodhohet në epruvetë dhe një pakicë serbe myslimane, një absurditet, që i bën të qeshë shumë vetë edhe në Beograd. Qëllimi është që Serbia të pretendojë një numër sa më të madh serbësh në Shqipëri, që të ketë fushë më të gjerë presioni mbi shtetin shqiptar. Pre e manipulimeve serbe kanë rënë edhe disa zyra shtetërore në Shqipëri, të cilat në disa dokumente kanë përdorur termin e shpikur "pakica serbo-malazeze". Nuk mund të ketë pakicë dykombëshe, "serbo-malazeze". Ka ose pakicë malazeze, ose pakicë serbe, sepse pakicat nuk mund të kenë dy shtete amë.
Regjistrimi i popullsisë është një proces shtetëror dhe laik. Shtetet, që janë në këmbë për interesat e tyre kombëtare, nuk lejojnë që të gërryhet sovraniteti dhe identiteti kombëtar nga një tolerancë qeveritare, që vjen nga klientelizmi ose nga implikimi me forca regresive të brendshme dhe të jashtme, të cilat guxojnë të ndërhyjnë në procesin shtetëror të regjistrimit dhe në thelbin kushtetues e sovran të shtetit.