| E hene, 04.04.2011, 06:18 PM |
Flet botuesja Irena Toçi, presidente e Shtëpisë Botuese Toena:
Libri ka një shtresë lexuesish fanatikë që e kërkojnë shoqërinë e tij në çdo situate
Nuk e vuaj faktin që një femër dhe drejton një ndërmarrje botuese në një shoqëri maskiliste
Misioni ynë nuk është ta shohim atdheun e krijuesve shqiptarë të ndarë në parcela blu dhe rozë
Nga Albert ZHOLI
Ditët e fundit gazeta “Telegraf”, vlerësoi shtëpinë Botuese Toena, si shtëpinë botuese më të mirë për vitin 2010. Ky vlersësim ju dha për cilësinë e botimeve, numrin e shumtë të botimeve, numrin e shumtë të gjinive të botimeve dhe përkrahjen që u jepet talenteve të reja. Me këtë rast ekskluzivisht për “Telegraf” zhvilluam këtë bisedë me Presidenten e kësaj Shtëpie botuese znj. Irena Toçi.
Si ndiheni sot, kur shtëpia botuese Toena që ju drejtoni, u vlerësua nga gazeta Telegraf si “Shtëpia më e mirë botuese për vitin
Në një moment të tillë vlerësues, nuk mund të mos them se ndihem shumë e gëzuar dhe shumë e nderuar, madje. Një vlerësim i tillë që vjen si rezultat i një sondazhi të drejtpërdrejtë te lexuesit organizuar nga një prej gazetave më të lexuara të tregut shqiptar, më entuziazmon vërtet. Pas një viti pune, të konstatosh se lexuesit, pikërisht ata, të veçojnë për punën e kryer duke të vënë në krye të një klasifikimi të tillë, ndihesh sa i vlerësuar si institucion po aq sa edhe më i përgjegjshëm. Sepse përgjegjësia para së gjithash për të sjellë në çdo rast një botim të vlefshëm, për të përcjellë sa herë që është e mundur vlerat më të mira nëpërmjet promocionit të tij, duke bërë të pamundurën që ky produkt libër të shkojë në çdo vend ku ka lexues nëpërmjet librarive, është ajo ndjenjë që na mbush dhe që na shoqëron gjatë gjithë punës sonë si botues.
Ju jeni presidente e Shtëpisë Botuese Toena që prej dy vjetësh, cilat janë vështirësitë që keni hasur në krye të këtij institucioni?
Të jesh në krye të një institucioni të tillë, që ka bërë gjatë këtyre njëzet viteve të fundit një emër qw wshtw bwrw i njohur si brenda ashtu edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, nuk është aspak një punë e lehtë dhe aq më pak një punë e thjeshtë. Përgjegjësitë janë të shumëfishta, si ndaj cilësisë së produktit libër që publikohet, cilësi kjo që konsiston në përzgjedhjen por edhe në estetikën, po ashtu të cilësisë së ruajtjes dhe zhvillimit të marrëdhënieve me autorët e bashkëpunëtorët shqiptarë ashtu si edhe me autorët, bashkëpunëtorët dhe institucionet e tjera që kanë lidhje me librin jashtë kufijve, por edhe përgjegjësi administrative dhe menaxhuese që lidhen edhe me nivelin profesional të stafit me të cilin duhet të punosh. Nga ana tjetër politikat botuese ndryshojnë kohë pas kohe në varësi edhe të kërkesave të tregut aktual dhe në këtë rast duhet treguar kujdes maksimal që të mos rëndohet peshorja vetëm në krahun e kërkesës së momentit, por të krijosh mundësinë për t’iu imponuar lexuesit edhe me botime që nuk janë në çdo rast konsum i momentit por që i shërbejnë formimit të qëndrueshëm në kohë. Nga ana tjetër, organizimi i aktiviteteve promovuese për librin dhe autorin në auditore nga më të ndryshmet brenda dhe jashtë Shqipërisë, është një nga momentet kur duhet të vlerësosh por edhe të përzgjedhësh me kujdes kur dhe si duhet bërë jehona e një botimi me vlerë dhe sidomos cilin auditor do të përzgjedhësh dhe si do t’ia ofrosh informacionin. Kjo është një punë mjaft intensive, por shumë e bukur, mbi të gjitha e bukur për kontaktin e mrekullueshëm që të mundëson me librin e çdo lloji si edhe me personalitete të fushës së letrave nga e gjithë bota shqiptare dhe ajo botërore.
A është e vështirë që një femër të drejtojë një institucion të tillë duke pasur parasysh se femrat pak janë të njohura në drejtime biznesi?
Në të vërtetë, jam duke bërë një punë që e dua fort dhe vështirësitë në këtë rast minimizohen. Është një punë ku në mënyrë të veçantë, si në pak profesione të tjera, harmonizohen më së miri elementët kulturorë me ato të administrimit të një ndërmarrjeje që ka synyme sa kulturëbërëse aq edhe të realizojë një bilanc pozitiv ekonomik në fund të një viti. Eksperienca e këtyre dy viteve të fundit, por edhe ajo 16-vjeçare në të njëjtin profesion me librin më ka mësuar se gjenden edhe rrugët edhe mënyrat për të mos e vuajtur faktin që je femër dhe drejton një ndërmarrje botuese edhe në një shoqëri maskiliste si kjo e jona.
Cilët kanë qenë librat më të spikatur gjatë vitit 2010 dhe cilët janë librat që kanë tërhequr vëmendjen e publikut për këtë vit?
Gjatë vitit 2010, Shtëpia Botuese Toena, botoi më shumë se 150 tituj të rinj nga të gjtha fushat e krijimtarisë: letërsi shqipe, letërsi të huaj, fjalorë dhe metoda të mësimit të gjuhëve të huaja, publicistikë, histori, studime nga fusha të ndryshme, monografi dhe kujtime, albume, kulinari dhe mjaft botime për fëmijë. Shkrimtarë nga më të njohurit dhe më të sukseshmit të këtyre viteve botuan librat e tyre me siglën tonë. Midis tyre, shkrimtari Fatos Kongoli solli “Iluzione në sirtar” – një rrëfim të sinqertë në vetën e parë që zbulon para lexuesit vetë jetën e autorit; “Të jetosh në ishull” i shkrimtarit Ben Blushi u ribotua me një format xhepi; shkrimtari Zija Çela solli romanin “Goja e botës”; U ribotuan romanet “Daullja prej letre” dhe “Boshi” të shkrimtarit Besnik Mustafaj; shkrimtari Teodor Laço solli vëllimin me tregime “Statusi i qenit”; shkrimtari Sulejman Mato romanin “Njerëzit janë si retë”; shkrimtari Viktor Canosinaj romanin “Jetë të marra peng”; shkrimtari Ylljet Aliçka “Koha e puthjeve”; shkrimtari Uran Butka vëllimin me tregime “Dora e shtetit”; poeti Bardhyl Londo vëllimin “Shën shiu”; poeti Preç Zogaj “Nuk ndodh asgjë veç dashurisë”; shkrimtari Odise Kote “Betimi i rremë”; poetja Vojsava Nelo “Gërsheti i prerë”; i mirënjohuri Dhimitër Anagnosti “Nata e trokitjeve në xham”; Artan Mullaj “Varri i pagëzimit”; Çlirim Hoxha “Ditari i një murgeshe”; poeti Demir Gjergji “Bibla e buzëve” e shumë të tjerë; botimi i secilit prej tyre qe padyshim një kulminacion personal i autorëve në fjalë, aq sa qe për ne si shtëpi botuese mënyra më e mirë për t’i dhënë lexuesit vepra me vlerë nga çdo pikëpamje.
Nga botimet prej fushave të tjera, qenë disa autorë që me librat e tyre tërhoqën vëmendjen e lexuesve në mënyrë të veçantë: historiani Pëllumb Xhufi me “Shekulli i Voskopojës, 1669-
Sipas statistikave tuaja viti
Në një situatë të përgjithshme jo të favorshme ekonomike, botimi dhe shitja e librit nuk mund të bëjnë përjashtim. Kur një pjesë e mirë e shoqërisë sonë jeton në varfëri apo rrezikon të mos sigurojë as të ardhurat e domosdoshme të jetesës, nuk ka vend për entuziazëm, dhe as për të deklaruar se do të rrisim spektrin e shtresave që do të afrojmë te libri. Por, pranoj me kënaqësi të them që libri ka një shtresë lexuesish fanatikë që e kërkojnë shoqërinë e tij në çdo situatë.
A ruhet në Shqipëri nga shtëpitë botuese e drejta e autorit dhe cilat janë masat që merren për ruatjen e kësaj të drejte?
Mendoj që situata te ne nuk është ende ajo që do të dëshironim dhe ajo që kemi synuar ne si botues edhe pse ka përmirësime të ndjeshme në krahasim me fillimet e botimeve private në Shqipëri. Dhe është e natyrshme kur në këtë moment në tregun e librit operojnë shtëpi botuese serioze për aktivitetin që kryejnë, që respektojnë në çdo rast të drejtën e autorit dhe në këtë mënyrë punojnë edhe konform konkurrencës së ndershme, dhe këtu do të përmendja shtëpitë botuese Omsca-1, Scanderbeg Books, Dudaj, IDK, Onufri, K&B etj. Por në të njëjtën kohë ka ende shtëpi botuese të tjera, disa prej tyre mjaft produktive madje të mbështetura edhe me fonde publike që nuk e respektojnë në çdo rast të drejtën e autorit.
Kjo e drejtë megjithatë është e mbrojtur edhe te ne me ligj. Pra, në çdo rast i dëmtuari mund t’i drejtohet Gjykatës ose Zyrës së të Drejtës të Autorit, që veç të tjerash ofron edhe asistencë juridike.
Në përgjithësi, cilët janë librat më të kërkuar në treg: librat publicistikë, për fëmijë, librat artistikë, historikë apo monografitë?
Edhe pse ne botojmë një gamë të gjerë titujsh që i përkasin fushave të ndryshme, librat që prodhohen në tirazhe shumë më të larta janë ato që vijnë nga letërsia shqipe apo e huaj, si edhe fjalorët dhe metodat e ndryshme. Por, sigurisht që emrat e njohur dhe të spikatur, qofshin ata shkrimtarë, historianë, publicistë, filozofë apo studiues të fushave të ndryshme tërheqin vëmendjen e lexuesve dhe të medias duke qenë se e kanë krijuar profilin e tyre të besueshëm profesional ndër vite.
Shihet se në shtëpinë tuaj botuese tuaj kanë botuar dhe krijues apo intelektualë me bindje të djathta (kur dihet që bashkëshorti juaj është deputet i PS). Si ka ardhur ky bashkëpunim?
Sigurisht që janë botuar dhe do të vazhdojnë të botohen, sepse misioni ynë si institucion nuk është ta shohim atdheun e krijuesve shqiptarë të ndarë në parcela blu dhe rozë. Mendimi intelektual i kuruar në çdo fushë dhe vlerat letrare artistike vijnë si nga ata që kanë bindje të majta ashtu edhe nga ata që kanë bindje të djathta, qofshin këto bindje të deklaruara ose jo. Mendoj që të ndërtosh një shoqëri demokratike të vërtetë duhet t’u japësh hapësirë dhe mundësi të gjithëve të thonë mendimin e tyre, aq më tepër kur ky mendim nuk përputhet dhe nuk shkon në të njëjtën rrjedhë me ato çka beson ti vetë. Është lexuesi ai që në analizë të fundit zgjedh dhe gjykon. Sidoqoftë, ne në çdo rast tregojmë kujdesin e duhur për ruajtjen e etikës profesionale, në mënyrë që veprat që botojmë të mos nxisin frymën e fyerjes dhe urrejtjes dhe të mos jenë objekt denigrimi për ngjarje, fenomene apo njerëz të veçantë. Kriteri ynë themelor në përzgjedhjen e një vepre për botim janë vlerat që ajo mbart dhe mesazhi që përcjell për të gjithë shoqërinë shqiptare.
Duke folur për gratë, a mendoni se shoqëria shqiptare është ende maskiliste dhe se femra ende nuk ka gjetur terrenin e duhur për të marrë vendin që meriton?
Mendoj se probleme rreth ruajtjes së balancave të mundësive apo dhe kontributeve që vijnë nga meshkujt dhe nga femrat janë të pranishme edhe në shoqëri demokratike shumë më të zhvilluara se e jona. Por problemi më i madh në Shqipëri, edhe në qarqet më të larta intelektuale është se maskilizmi nuk mjaftohet me kufizimin e lirive të palës tjetër por kalon në fyerje dhe poshtërim në shumë raste, për fat të të keq. Ajo çfarë mund të kontribuojmë, si burrat edhe gratë që besojnë në këtë lloj balancimi real mendoj se minimalisht është të mos tregohemi indiferentë, nëse duam që nesër të njëjtat situata të pakëndshme t’i vuajnë fëmijët tanë, qofshin këta djem apo vajza.
Cilat janë problemet kryesore të librit sot, duke pasur parasysh dhe shpërndarjen te lexuesi më i largët?
Duke iu rikthyer librit, duhet të pranoj që nëse problemi i botimit të çfarëdo lloj libri është kapërcyer tashmë në Shqipëri falë ekzistencës së shtëpive botuese private, që kanë dëshmuar këto 20 vjet se mund të punojnë dhe të arrijnë rezultate pozitive edhe pa ndihmën e buxhetit të shtetit duke qenë në lartësinë e duhur profesionale. Problemi më i pazgjidhur te ne qëndron në kontaktin që libri duhet të ketë me lexuesin kudo ku ky lexues jeton dhe çfarëdo statusi që ai ka, të varfër apo të kamur, me apo mundësi për ta blerë librin.
Për të zgjidhur këtë handikap do të duhet që shteti të ringrejë dhe të bëj funksionale dora-dorës bibliotekat e qyteteve, fshatrave, shkollave dhe njësive të tjera vendore duke rritur fondet e tyre monetare, që kontakti me librin të bëhet i mundur edhe kur qytetarët nuk kanë mundësi për të frekuentuar rregullisht libraritë.
Libri i Shtëpisë Botuese Toena a shkon në Kosovë Maqedoni dhe Mal të Zi ku ka shqiptarë dhe si është bashkpunimi me libraritë e këtyre vendeve?
Gjatë këtyre 20 vjetëve Shtëpia Botuese Toena ka ngritur një rrjet të gjerë librarish me emrin e saj në qendrat më të mëdha banuese të Shqipërisë dhe të Kosovës, si në Tiranë, Durrës, Vlorë, Orikum, Himarë, Sarandë, Pogradec, Prishtinë dhe së shpejti edhe në qytete të tjera të Shqipërisë e jashtë saj. Kemi bërë donacione me mijëra libra artistikë apo didaktikë biblotekave publike apo bibliotekave të shkollave e shoqatave të ndryshme në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Suedi, Greqi etj. Ky ka qenë dhe do të mbetet një angazhim nga i cili nuk do të heqim dorë.