| E hene, 04.04.2011, 07:56 PM |
Recension
Historia e Kosovës në vargje
Dr. Zenun Gjocaj: ” Kosova e kuqe” Prishtinë , 2011, faqe 300
Nga Hilmi Saraçi
Për veprimtarinë shkencore (gjuhësore dhe letrare) të Dr, Zenun Gjocajt është shkruar mjaft, në veçanti si studius dhe krijues i disa veprave të shkencave të albanologjisë . Ai në këtë fushë ka merita të veçanta, sidomos për kulturën e gjuhës, çështjeve gramatikore dhe problemeve leksiko-frazeologjike.Në këtë fushë për herë të parë ka prekur seriozisht disa tema për gjuhësinë dhe shkencat e albanologjisë.
Çasje mjeshtrore dhe artistike për historinë
Kohë më parë doli me veprën “Kosova e kuqe” si pjesë e dytë e poemës epope “Çiftelia e Kosovës”. Vepra “Kosova e kuqe”si vazhdimësi e veprës së parë e shkruar dhe hartuar në vargje me një çasje mjeshtrore artistike, paraqet besnikërisht historinë tonë kombëtare nëpër disa periudha të kohës- 600 vjeçare.…
Në parathënjen e librit autori do të theksojë se “verzionin e parë e shkrova me qefin në gji, nëpër shkëmb e hi, nëpër teh shpate , nëpër tym e flakë, nëpër klithma e krisma , me vesh në krah, duke pritur si cjapi të kasapi”…sepse vepra paraqet historinë e Kosovës ,me rrjedhat e ngjarjeve të hidhura , por krenare , të lidhura ngusht me luftën heroike të popullit tonë për çlirimin kombëtar, sidomos kundër pushtuesit serb.
Organizimi dhe lufta për liri dhe pavarësi kombëtare
Vepra ndahet në gjashtë kapituj me tituj dhe nëntituj të veçantë dhe të radhitur mirë dhe me kujdes. Në kapitullin e parë “Fytafyt me orë të liga” i ndarë në disa nëntituj me pedantëri dhe kujdes përmbajtësor si Krisi pushka në Malësi të Pollogut, Drenica e përflakur, Shala e Bajgorës, Flaka e Dukagjinit, Gjak e flakë në Gollak… Rezistenca dhe lufta për liri dhe pavarësi kombëtare është njëra ndër preokupimet të autorit në këtë vepër, prandaj vargu i frymëzimt dhe i dashurisë për atdheun dhe për tërësinë kombëtare e autorit lartësojnë veprën si tërësi: “Çiftelia dhe lahuta / Shpata, lapsi edhe pushka / Janë simbolet e atdheut / Prej Teutës e Skënderbeut”… Autori duke u ndalur në rrethanat e luftës për çlirimin kombëtar, flet me përkushtim dhe krenari për organizimin kundër armikut, në veçanti flet për kuvendet e mbajtura dhe vendimet e marra që kishin për qellim mbështetjen dhe organizimin sa më të mirë për ta kundërshtuar dhe luftuar armikun. Lufta në Drenicën e përgjakur dhe për prijsit e saj zënë një vend të veçantë në këtë vepër. Gjithashtu nuk lë pas edhe luftëtarët nga Shala e Bajgorës , nga Dukagjini dhe Gollaku . Autori me njohuri të standardit të lartë të historisë sonë kombëtare do të thurrë vargje që tingëllojnë zëshëm, siq tingëllon kënga e rapsodit popullor me sharki e çifteli për trimat e popullit tonë që shkrinë jetën për liri dhe pavarësi kombëtare,.prandaj autori do të theksojë:”Heu, ju trojet e Kosovës/ U bërë brenga e mbarë botës/ Moj rinia e shqiptarisë/ Hije u ka lulja e trimërisë”… Autori pastaj vazhdon për historin e lavdishme dhe krenare gjatë kësaj periudhe, për të sqaruar me njohuri dhe mjeshtri të rrallë (në vargje) të gjitha ngjarjet dhe luftrat heroike të popullit tonë kundër pushtuesit, në veçanti atij serb në Kosovë.
Në vazhdim,Dr.Gjocaj do të shkruaj me pietet e krenari për kushtrimtarët e lirisë , të cilët u ngriten në këmbë dhe dhanë kushtrimin për luftë kundër armikut shekullor. Këtij kushtrimi do t’i prijë Adem Demaçi me shumë atdhetarë të tjerë . Për veprimtarinë patriotike të Adem Demaçit-luftën e tij për liri dhe pavarësi:, Dr. Gjocaj do të thurë vargje të nivelit të lartë artistik dhë do të këndojë me respekt dhe dashuri për të gjithë luftëtarët e kësaj periudhe: “ Ligjëron Adem Demaçi/ Si Kosovës t’i hiqet saçi/ Nga Ulqini, në Çameri/ Të bashkohemi me nënën Shqipëri…”
Historia e lavdisë dhe sakrificës kombëtare
Në kapitullin “Prushi i shprushur” , autori do të paraqesë ngjarjet rrënqethëse, trishtuese dhe zyllumin e paparë të pushtuesit serb në Kosovë të cilët vranë e prenë pa mëshirë burra, gra , pleq e plaka, të rinj e të reja , fëmijë.. . Të gjitha këto të shkruara me dhëmbje dhe trazim shpirtëror, por me ndjenjë të lartë patriotike . Prandaj në pjesën “Agime të përgjakura , autori do të ndalet më tepër për organizimin për të luftuar këto krime dhe robërinë : “ Në Dardani po bie tupani/ Na u
Vepër e ndërtuar me mjete gjuhësore dhe kompozicionale të epikës heroike të eposit letrar
Vepra “Kosova e kuqe” në përmbajtje , formë dhe brendi është ndërtuar me mjetet gjuhësore e kompozicionale të epikës heroike të eposit letrar. Si e tillë ajo përmbushë një segment shumë të rëndësishëm të epikës sonë letrare artistike në përgjithësi dhe krahas “Lahutës së Malësisë” të Gjergj Fishtës dhe “Gardës krutane “ të Kolë Jakovës, e vepra të tjera të këtij zhanri, ky epos shënon rrumbullakimin e një triniteti letrar, duke përmbledhur historinë e popullit tonë në vargje , prej kohës së Skënderbeut deri të legjendari Adem Jashari. Përpjekja e autorit për ta shkruar në vargje historinë e 600 viteve të fundit të popullit shqiptar janë përpjekje të hapëruara nëpër sfida po aq të rrezikshme dhe të vështira , sikur vetë historia e popullit tonë . Autori Dr. Zenun Gjocaj, ka arritur që disa nga segmentet më të rëndësishme të historisë kombëtare dhe të traditës sonë krijuese t’i bëjë zap brenda vargjeve , aq sa mund të bëhet zap historia që shkruhet në vargje. Shumë prej sfidave , qofshin ato kompozicionale , gjuhësore, letrare e artistike janë lidhur më mjeshtri krijuese , në tërsinë e kësaj vepre madhore , falë punës , vullnetit përkushtimit dhe punës 20 vjeçare të autorit, por falë edhe afinitetit për ta rirrëfyer në vargje këtë pjesë të historisë sonë me gjuhën e popullit , ashtu sikur kanë bërë Fishta , Naimi, Kolë Jakova e të tjerë . “Çiftelia e Kosovës” dhe “Kosova e kuqe” janë rezultat i një vrojtimi tepër të thellë të shumicës prej fenomeneve që përbëjnë jetën dhe historinë e Kosovës dhe të trevave veriore dhe verilindore të atdheut. Autori është jo vetëm njohës i shkëlqyer i frazeologjisë dhe gurrës së pashtershme të gjuhës së popullit , por edhe njohës i rrjedhave historike , prej Skënderbeut deri te legjendari i UÇK-së, Adem Jashari.