| E hene, 04.04.2011, 07:56 PM |
TRI PIKA ZJARRI
Nuri PLAKU
TRI PIKA ZJARRI
Tri pika zjarri më luajnë në sy
Tri pika zjarri më pikojnë për ty.
Më djegin të trija më bëjnë flu
Ngjyrën e gjakut ma kthejnë në blu.
Tri pika zjarri më luajnë në sy
Tri pika zjarri më pikojnë për ty.
JAM MULLIXHI... S’JAM MULLIXHI...!
Kërkoj një gjethe lisi fatthënës
Në Frakullën e sotme me rrënjë në lashtësi
Të bëhem orakull mbi zjarre të shuar
Kur zjarret e tua më djegin në gji
Dëborë harrimi bluaj në kujtime
Jam mullixhi…s’jam mullixhi...!
Por gjethja e lisit më bëhet patkua
Varur në derën e një fati të ri
Netët treten peng i trazuar
Derdhur si pah mbi flokët e mi
Dëborë harrimi bluaj në kujtime
Jam mullixhi...s’jam mullixhi...!
Një kal i vdekur gjethen patkua
E vë nën thundër e niset veri
Një mjegull netësh ka hedhur mbi shpinë
Si vello të bardhë ta sjell tek ti.
Dëborë harrimi bluaj në kujtime
Jam mullixhi...s’jam mullixhi...!
ISHA I VOGËL ATËHERË
Isha i vogël atëherë
Kur më humbi aspra e Judës
Aspra që dikush ma dhuroi për datëlindje
Ndoshta njëra nga gratë e fshatit
Që ndiqte fëmijët nga pas me mallëkime
A ndoshta fallxhorja që i rrëfente nënës
Fillin e mpleksur të jetës sime.
Isha i vogël atëherë
Dhe ende se njihja vlerën e monedhave të tilla
As mëkatet që shiteshin e bliheshin si njihja
As mëkatarë s’kisha qenë ndonjëherë
Veç puthjen time dikush mbi monedhë
E ngjiti të gatuar
Me bukë dhe verë.
Isha i vogël atëherë
Dhe ende përdorja shaminë e bardhë të së nesërmes
Për të fshirë
Hundën e Pinokut të lodrave
Isha i vogël atëherë
Dhe qaja për asprën e humbur të Judës
Për asprën e Judës që dikush ma vodhi në fëmini
Ndoshta Pinoku që qeshte me mua
Dhe mbrapa shpinës sime
Tështinte pabesi.
VEGLA E PARË E BOTËS
Guri është vegla e parë e botës
Kurse bota
Fruti që gjuaja
Në pemën time të fëminisë.
Ajo tundej në degë
E më spërkiste në buzë
Me pikëza mushti
Duke më bërë të tërin
Lakmi e guxim.
Pastaj kthehej në gur
E më gjuante
Stinë më stinë.
TEK TRUALLI I VJETËR
Diku, nën dhera të heshtur
Hesht trualli im i vjetër
Si një Trojë e përgjumur.
Mbi bar shkëlqen
Vesa e verdhë e mallit
Mbushur me hënëza të tretura.
Sa herë që vete atje
Bëhem bulkth përralle
E këndoj ninulla djepi.
Se Troja ime ka gjum të përjetshëm
Si gjithë Trojat e zhdukura të botës
E unë këndojë
I mallëngjyer përherë.
Se Troja ime më bën gjithmonë
Edhe pak të verbër
Edhe pak Homer.
VDEKJA E BURIMIT
Kur vdiq burimi i fshatit tim
I pari e qau një zog me pikëllimë.
Pastaj e qau një pemëz e re
Me fletët që binin të thara përdhe.
Dhe dherat nga dhimbja u bënë kaminë
Kur vdiq burimi i fshatit tim.
Në ara burimin e vdekur e qau
Dhe fara e hedhur dhe plisi dhe kau.
Kur vdiq burimi atje në kodër
Vdiq dhe kënga me dajre dhe lodër.
Një nuse papritur u bë verem
Verem u bën pas saj dhe ca djem.
Plakave në faqe su thahej loti
Mallëkim e kemi, thoshin, nga Zoti.
Dhe burrat thonë, së pari atë mot
Ikën të gjenin burime në botë.
Dhe dherat nga dhimbja u bënë kaminë
Kur vdiq burimi i fshatit tim.
DASMA E GUSHTIT
Jam ftuar në një dasëm ku s’martohet njeri
Në një dasëm gushti ku bëhet orgji.
Dhuratë do të çojë një kryq të harruar
Vjedhur dikur nga një murg i mallëkuar.
Më ftojnë në një sofër të nginjem me verë
Të hidhem e kërcejë si kurrë ndonjë herë.
Në dasëm më ftojnë në muajin gusht
Pa ditur se ç’jam, as dhëndërr as krushk.
As mik nuk jam, as shok e di
Armik në qofsha s’ma ka thënë njeri.
Dhuratë do të çojë një kryq të harruar
Vjedhur dikur nga një murg i penduar.
KUR VETËTIN EMRI YT
Kur vetëtin emri yt
Në dimrin e kujtesës sime
Ndriçohen gjithë reliefet e fjalëve të pathëna.
Pastaj midis tyre
Bije një rrufe
Dhe zjarret djegin çdo mëri.
Nëse është ditë
Unë bëhem lamtumirë
Nëse është natë
Bëhem tradhëti.
ËSHTE NJË MARS
Është një mars i sharguar diku nëpër vite
Që gdhendi emrin e tim eti
Në një pllakëz mermeri të bardhë
Për të zbukuruar
Një kodër të vogël gjelbëroshe.
Mbi gërmat e tij
Vuri petale të verdha zhabinoku
Si hënëza kujtimesh
Tretur në kamare.
Është një mars
Që digjet qiri
Diku në ca varre…
SHENJTËRIMI I DRURËVE
Katër drurë, katër pisha
Thithin retë me harabela
Varen degët e rënkojnë
Si nga fruta të pavjela.
Zbret një qiell me cicërimë
Hymn i kaltër nëpër pisha
Shenjtërohen katër drurë
Katër tempuj, katër kisha.
KONTRAST
Në qiell
Betejën e shirave
E fiton
Harku i ylberit.
Në tokë
Ca flatra të endure shpendi
Më kujtojnë
Kthetrat e skifterit.
MALEVE TË ATDHEUT TIM
Ju lindni nga barku i mermertë heronjë
Dhe rrisni
Shira dhe ylberë.
Në ujërat e tyre
Vijnë e ikin pelikanët e fatit
Të çukisin
Pak dimër alpin.
Të gjitha madhështitë
Janë skllevër të mermerit tuaj
Veç pelikanët para tij
Vijnë e ikin
Si udhëtar të huaj.
Vijnë e ikin
Deri sa vdesin
Nën shira ylberi.
O malet e vendit tim
Më jepni
Një pelikan mermeri!
SA UDHË E GJATË
Nuk di çpjellë jam
Guri a balte.
Njëra më duket si mëmë
Tjetri si at.
Njëra më bëhet ardhje
Tjetri ikje e gjatë.
Balta – jetë
Guri – përjetësi.
Midis të dyve
Zot a njeri?
TË TRADHËTUAR JANË VEÇ PYJET
Udha e dritës është gjithmonë e drejtë
Me bërryla që shfaqen netëve
Në mungesa udhëtarësh.
Anash
Ngrihen pyje përrallorë
Me drurë, të tradhëtuar
Veç prej gjetheve.
Zanat dalin nga enigmat e tyre
E më ftojnë
Në vallëzim me gjarpërinjtë.
Vetëm Eva hesht
E skuqur nga trillet.
Të tradhëtuar
Janë veç pyjet.
MALLI I ZOGJVE TË EGËR
Unë kam hapur shpesh tunele në ajër
Midis zogjve të egër të fëminisë
E aty gjeja udhët e mija të largëta
Që flinin në ëndërrën e bukur të rinisë.
Por zog i egër su bëra kurrë ndonjëherë
Se qiellin ma burgosën në qerpikë
Ndaj hap tani llagëme në ajrin e ftohtë
E malli i zogjve më kthen në eremit.
KOHA E GURIT
Më duket sikur kam të njëjtën moshë
Me gurin e çilë si flokët e mi
Për hir të fjalës që humb në mjegull
Emri mbi gur më bëhet fli.
Tashmë më rëndojnë dhe gurët prej letre
Dhe letrat e shkruara me gërma guri
Erdhi koha kur gurët e dherave
Të shfaqin gjurmët mbi supet e një burri.
RËNIA E MUREVE
Të gjithë muret
Kanë pak vdekje brenda tyre
Siç kanë pakë jetë
E pak madhështi.
Por vdekja kur shfaqet
Ngjan me vdekjen e burrave
Që fshehin aventura
Thellë në gji.
Dhe muret rrëzohen
Dhe burrat bjenë
Me pak tragjedi.
URIA E LUMIT TIM
Kur dimri shtron acarin mbi dhera
Në trupin tim ndiej
Mornicat e para të ugareve
Përzier
Me rënkimin e frutave të vonuar.
Kur pranvera end nëpër netë
Këngët e bulkthit të parë
Unë bëhem
Klithma e tyre hënore.
Dhe para meje
Shfaqet si në përrallë
Një pyll i ri dhe një lum i ri.
Pylli mbushet me orakuj
Që lexojnë gjethet e lisave
Ndërsa lumi bëhet një burr i fuqishëm
Si Nili i largët dhe Aosi antik
E më kërkon një mollë fushe
Të shuaj urinë.
Duartë e mija bëhen shportat e gushtit
Mbushur me prushin e frutave
Ku vjen e digjet
Uria e lumit tim.
TË JESH PAK MAGELAN
Është aq e rëndësishme
Të jesh brenda vetes
Pak Magelan…
Të zbulosh territore
Dhe në vendin e nisjes
Të kthehesh përsëri.
Pastaj të gjitha këto
T’i bësh koloni.
KUAJTË E SOTËM
Çdo qime kali është një rrjedhë argjendi
Që vezullon në pluhurin e dikurshëm të udhëve.
Dhe trokthi i tyre është një gjemim dimri
Harruar diku në shtigje karvanarësh.
Por tashmë ata enden të heshtur
Në lëndinën e kositur të hingëllimave.
Enden dhe përtypin të përgjumur
Alfabetin e dikurshëm të udhëve.